Operacionet në terren të OSBE-së në Taxhikistan dhe Shqipëri punojnë bashkërisht për të mbështetur pjesëmarrjen e grave në jetën politike
Një grup prej tetë politikanesh nga të gjitha partitë politike të regjistruara në Taxhikistan, mes të cilave edhe një deputete, zhvilluan një vizitë pune në Shqipëri më 2-8 prill, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërrajonal dhe shkëmbimin e përvojave për fuqizimin e grave në jetën politike. Kjo vizitë u organizua bashkërisht nga Zyra e OSBE-së në Taxhikistan dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
"Një nga qëllimet kryesore të Zyrës së OSBE-së në Taxhikistan është të promovojë barazinë gjinore dhe të mbështetë gratë taxhike në pozicione udhëheqëse, si dhe të krijojë mundësi të reja për mësim, shkëmbim përvoje dhe rrjete për gratë nga të gjitha nivelet e jetës politike dhe publike", tha Markus Mueller, Kryetar i Zyrës së OSBE-së në Taxhikistan. "Kjo vizitë pune e nivelit të lartë, e organizuar bashkërisht, do t’i ndihmojë gratë politikane dhe deputete të të dyja vendeve që të mësojnë nga përvojat e njëra-tjetrës, të bëhen më të forta dhe të realizojnë plotësisht potencialin e tyre".
Delegacioni u takua me Kryetarin e Kuvendit, me përfaqësuese të Aleancës së Grave Deputete, me tri anëtare të qeverisë, me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me kryetaret e bashkive Roskovec dhe Patos, si dhe me anëtare të Platformës Kombëtare për Gratë, një rrjet vullnetar prej rreth 500 grash nga partitë politike dhe shoqëria civile, i ngritur nga Prezenca e OSBE-së.
Më 6 prill, ato morën pjesë në prezantimin e botimit të dytë të broshurës “Fuqizimi i grave në politikë”, një përmbledhje intervista me politikane të suksesshme në Shqipëri, botuar nga Prezenca.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, tha: “Ne në OSBE besojmë me shpirt në rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike, edhe do të vazhdojmë punën për ta promovuar në të gjitha nivelet, nga legjislacioni i brendshëm deri te aktivizimi qytetar. Do t’i nxitja gratë politikane që të bashkëpunojnë dhe të gjejnë kompromisin përtej përkatësive partiake".
Kjo është hera e dytë që operacionet në terren të OSBE-së në Taxhikistan dhe Shqipëri bashkëpunojnë për të mbështetur përparimin e grave në jetën politike të Taxhikistanit. Në dhjetor 2015, ato organizuan një tryezë të rrumbullakët në Dushanbe për fuqizimin e politikaneve taxhike.