Të rinjtë shqiptarë dhe serbë përfundojnë Shkollën Verore për dialogun ndërkulturor në epokën dixhitale organizuar me mbështetjen e OSBE-së
TIRANË, 30 korrik 2015 – 34 të rinj nga Shqipëria dhe Serbia përfunduan sot një Shkollë Verore pesë-ditore për dialogun ndërkulturor të të rinjve në epokën dixhitale, ku diskutuan dhe ndanë përvoja e ide rreth sfidave me të cilat përballet rinia në vendet përkatëse.
Me ndihmën e një ekipi të përbërë nga trajnues shqiptarë dhe serbë dhe ekspertë nga Ministritë e Rinisë së të dy vendeve, pjesëmarrësit u fokusuan në tema të tilla si përfshirja e të rinjve në jetën publike dhe politike; politikat rinore; promovimi i vlerave demokratike dhe nxitja e dialogut ndërkulturor; roli i medias në dialogun ndërkulturor; si dhe mënyrat se si mund të sfidohen paragjykimet dhe stereotipat.
Të rinjtë u pritën sot nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, dhe nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig, dhe nga Këshilltari i Parë i Ambasadës Serbe në Tiranë, Jugoslav Djordjević i shoqëruan të rinjtë në këto takime.
“Thellimi i marrëdhënieve dhe ndërtimi i urave ndërmjet të rinjve është rruga më e mirë për të forcuar mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe miqësinë e ndërsjellë. Kjo është arsyeja se përse rinia është një forcë thelbësore për të intensifikuar integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë,” tha Ambasadori Raunig.
Aktiviteti u organizua bashkërisht nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë dhe nga Ministria e Sporteve dhe Rinisë e Republikës së Serbisë, në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar Rinor të Serbisë dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Misionit të OSBE-së në Serbi.
Shkolla Verore është fryt i Memorandumit të Mirëkuptimit për Rininë të arritur në vitin 2014 nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë me qëllim ndërtimin e urave ndërmjet rinisë shqiptare dhe serbe.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është përfshirë në mënyrë aktive gjatë viteve të fundit në një varg projektesh me qëllim forcimin e ndjenjës së angazhimit qytetar dhe përgjegjësisë ndërmjet të rinjve, për t’i ndihmuar ata që ta kenë një ndikim real në proceset vendimmarrëse në vend.