Prezenca e OSBE-së dhe Bashkimi Evropian i Transmetuesve bashkojnë forcat për të ndihmuar shndërrimin e transmetuesit publik shqiptar
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe Radio-Televizioni Shqiptar (RTSH) nënshkruan, më 9 qershor 2015, një marrëveshje për veprimtari të përbashkëta në të ardhmen për të mbështetur shndërrimin e transmetuesit publik shqiptar në një transmetues publik të pavarur, profesional dhe të qëndrueshëm.
Marrëveshja u nënshkrua në fund të një seminari strategjik dyditor, të organizuar nga Prezenca dhe EBU, me dhjetë anëtarë të rinj dhe kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, Drejtorin e Përgjithshëm në detyrë dhe ekspertë ligjorë të RTSH-së.
Qëllimi kryesor i seminarit ishte shkëmbimi i ideve dhe i vizionit për shndërrimin e transmetuesit publik në Shqipëri, si dhe krijimi i një marrëdhënieje harmonike dhe mirëkuptimi mes anëtarëve të Këshillit, drejtuesve dhe ekipeve redaksionale për rolet e tyre në procesin e shndërrimit.
Gjithashtu, anëtarët e rinj të Këshillit u njohën me kornizën ligjore ekzistuese për transmetuesin publik në Shqipëri, përfshirë ligjin për mediat audiovizive, statutin e RTSH-së, rregulloren e Këshillit Drejtues, si dhe politikat editoriale.
Ekspertët e EBU-së paraqitën praktikat më të mira në krijimin e besimit dhe të përgjegjësive të qarta dhe në sigurimin e mirëkuptimit nga strukturat drejtuese. Ata paraqitën edhe parimet qeverisëse të medias në shërbim të publikut.
Seminari ishte pjesë e përpjekjeve të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për të ndihmuar shndërrimin e RTSH-së në një transmetues të pavarur, profesional dhe të qëndrueshëm. Në nëntor 2013, Prezenca organizoi një konferencë kombëtare për reformën në transmetuesin publik. Një seminar rajonal për mediat në shërbim të publikut dhe për rritjen e besimit të publikut u organizua nga Prezenca, në nëntor 2014, në bashkëpunim të ngushtë me RTSH-në, EBU-në dhe UNESCO-n. Në mars dhe prill 2015, Prezenca e OSBE-së dhe EBU ofruan trajnim për gazetarët e RTSH-së lidhur me paanësinë dhe raportimin e zgjedhjeve.