Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërmerr një nismë të re anti-korrupsion
TIRANË, 17 dhjetor 2014 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrin për Çështjet Vendore/Koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit, z. Bledar Çuçi, paraqitën sot në Tiranë një nismë të re në mbështetje të masave anti-korrupsion në Shqipëri.
Nisma prej 638 mijë eurosh financohet në partneritet nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), në bashkëpunim me Shkollën Italiane të Administratës Publike. Ajo zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Ky projekt do të jetë një pjesë integrale e ndërhyrjeve shumëdimensionale të Qeverisë së Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Ai do të mbështesë zbatimin e Strategjisë gjithëpërfshirëse kombëtare kundër Korrupsionit dhe Planin e saj të Veprimit dhe do të ketë një objektiv të trefishtë. Së pari, të përmirësojë kapacitetet e administratës publike; së dyti, të rrisë angazhimin e sektorit privat; dhe së treti, të ndihmojë në ndryshimin e perceptimit të korrupsionit, veçanërisht mes shoqërisë civile, duke u kushtuar vëmendje të veçantë të rinjve.
“Është e domosdoshme që të rifitojmë dhe ndërtojmë besimin e qytetarëve shqiptarë përmes ndërhyrjeve të përbashkëta dhe të vendosura”, tha Çuçi. “Ne jemi angazhuar dhe po punojmë në secilin sektor, në mënyrë që veprimet konkrete të orientohen drejt rezultateve”.
Christoph Denk, kryetari i Zyrës Rezidente të BERZH-it në Tiranë, tha: “Fillimi i këtij programi do ta ndihmojë Shqipërinë të hedhë edhe një hap drejt një sektori më transparent dhe llogaridhënës publik dhe privat. Shoqëria civile mund të luajë një rol thelbësor për të fuqizuar mirëqeverisjen, e cila është thelbësore për një mjedis biznesi të mirë. Ne po punojmë me Qeverinë e Shqipërisë për të përmirësuar klimën e biznesit, prandaj kjo është një shenjë e rëndësishme për investitorët, që u tregon se vendi është plotësisht i përkushtuar ndaj kësaj çështjeje”.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, tha: “Për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit nevojitet transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha nivelet. Ndikimi i korrupsionit është më i madh se sa vetëm devijimi i burimeve, sado i rëndësishëm qoftë ai. Korrupsioni, gjithashtu, gërryen shoqëritë dhe kontribuon në mungesën e justifikuar të besimit dhe sigurisë tek ata që qeverisin”.
Veprimtaritë kundër korrupsionit janë në krye të axhendës së OSBE-së në Shqipëri. “Është e rëndësishme që qeveria të nxisë një partneritet të vërtetë me shoqërinë civile, median dhe qytetarët, në hapat kundër korrupsionit. Ata duhet të vihen në lëvizje për të punuar së bashku me qeverinë dhe komunitetin ndërkombëtar, për të lehtësuar marrjen e veprimeve të integruara e të bashkërenduara për të luftuar korrupsionin,” tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Florian Raunig.
Alberto Petrucci, përfaqësues i Shkollës Italiane të Administratës Publike, tha: “Pasojat ekonomike të një projekti kundër korrupsionit janë të jashtëzakonshme. Ato kanë të bëjnë me efiçiencën e administratës publike dhe, rrjedhimisht, me konkurrueshmërinë e një vendi në tërësi, cilësinë e produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga sektori publik, shpenzimet e sektorit publik dhe, për pasojë, edhe me nivelin e taksave dhe të borxhit publik, dinamizmin ekonomik dhe kapacitetin për inovacion”.
Zbatimi i projektit do të nisë në janar 2015 dhe do të përqendrohet në masat për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në institucionet shqiptare. Gjithashtu, ai do të rrisë kapacitetet e administratës publike për të luftuar si duhet korrupsionin dhe për të punuar për krijimin e një partneriteti të fortë mes sektorit publik e privat. Ndër përfituesit e projektit janë ministritë e Arsimit, Mjedisit, Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, komuniteti i biznesit, shoqëria civile dhe qytetarët shqiptarë.