Fëmijët e Korçës mësojnë rreth punës dhe veprimtarisë së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Një grup prej 90 fëmijësh nga qyteti juglindor i Korçës morën pjesë në një sërë veprimtarish me natyrë bashkëvepruese dhe argëtuese të zhvilluara nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri më 5 gusht 2014, me synimin për t’i ndihmuar ata që të kuptojnë koncepte të tilla sikurse të drejtat e njeriut, toleranca dhe mosdiskriminimi.
Fëmijët, shumica e të cilëve i përkisnin komuniteteve Rome dhe Egjiptiane apo janë të prekur nga paaftësi fizike, merrnin pjesë në një kamp veror të organizuar nga Bashkia e Korçës.
Pesë skuadra me punonjës të Prezencës i drejtuan fëmijët në zhvillimin e lojërave me role, lexuan për ta tregime, si dhe vizatuan bashkë me ta, me synimin për t’i ndihmuar që të kuptonin tema me rëndësi për mandatin e Prezencës, sikurse sundimi i ligjit, policimi në komunitet, por edhe rëndësia e përfshirjes së opinionit publik në vendimmarrje. Duke pasur parasysh përkatësitë e ndryshme të fëmijëve iu kushtua një vëmendje e veçantë krijimit të një mjedisi komunitar pozitiv, me synimin për të nxitur integrimin shoqëror dhe respektin e ndërsjellë. Një veprimtari tjetër përfshinte punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët trajtuan informacione të rëndësishme të fushës së sigurisë me fëmijët.
Prezenca po ashtu i nxiti fëmijët që të bëhen qytetarë aktivë në komunitetet e tyre. Në njërën prej veprimtarive, fëmijët fotografuan pika të ndryshme të qytetit, duke u përqendruar në gjërat që ata mendojnë se duhen përmirësuar në secilën prej tyre. Fotografitë e tyre do të shfaqen në një ekspozitë të organizuar nga Bashkia, së bashku me vizatimet e fëmijëve të tjerë në lidhje me gjërat që u pëlqejnë më së shumti në qytetin e tyre, me synimin për të shërbyer si një burim frymëzimi për projektet bashkiake për përmirësimin e qytetit në të ardhmen.