Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnon punonjësit e Shërbimit të Provës në lidhje me Sistemin e Vlerësimit të Rrezikshmërisë për të miturit dhe të rinjtë në moshë madhore
Në datat 15-18 korrik, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim për 30 punonjës të Shërbimit të Provës nga gjithë vendi si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës. Trajnimi kishte për synim që të prezantonte Sistemin e Vlerësimit të Rrezikshmërisë për të Miturit dhe të Rinjtë në Moshë Madhore, si dhe praktikat më të efektshme për trajtimin e të dënuarve të mitur. Ky sistem vlerësimi si dhe udhërrëfyesi përkatës për përdorim u hartuan nga një grup pune i drejtuar nga Prezenca.
Sistemi i Vlerësimit të Rrezikshmërisë është një instrument vlerësues i mirëstrukturuar për të gjithë të dënuarit e mitur dhe të rinj në moshë madhore që bien në kontakt me sistemin e drejtësisë penale. Ky instrument përqendrohet tek shkelja e të dënuarit të mitur dhe të ri në moshë madhore për të identifikuar tek ajo atë mori shkaqesh dhe rrethanash, të cilat fillojnë me mosarsimimin dhe mbarojnë me problemet e shëndetit mendor dhe të cilat mund të kenë prodhuar këtë lloj sjelljeje.
“Të miturit dhe të rinjtë në moshë madhore janë veçanërisht të brishtë përballë sistemit të drejtësisë dhe trajtimi i tyre nga organet gjyqësore, jo vetëm si viktima dhe dëshmitarë, por edhe si të dënuar është një test i vërtetë për të gjitha shoqëritë,” tha Shefja e Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Fiorentina Azizi.
Ilir Qafa, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, tha se ky institucion bën të gjitha përpjekjet për të siguruar trajtimin profesional të të miturve të mbuluar prej tij. “Për shkak të aspekteve specifike të punës me të miturit dhe të rinjtë në moshë madhore, trajtimi i duhur i tyre është i nevojshëm për një integrim të plotë në shoqëri. Ja pse, e hartuam këtë instrument vlerësues të mirëstrukturuar për të dënuarit e mitur dhe të rinj në moshë madhore në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri”, tha ai.
Trajnimi u zhvillua në kuadrin e një projekti të Prezencës që ka për synim zhvillimin e praktikave të efektshme të Shërbimit të Provës në Shqipëri.
Prezenca ka luajtur një rol kyç në krijimin e Shërbimit të Provës në Shqipëri, duke e mbështetur fuqimisht këtë institucion si në realizimin e veprimtarive që kanë të bëjnë me rritjen profesionale të personelit të tij, ashtu edhe në intensifikimin e bashkëpunimit me institucione të tjera të përfshira në dhënien dhe zbatimin e alternativave të dënimit me burgim. Prezenca gjithashtu ka luajtur një rol të dorës së parë në fushën e drejtësisë për të mitur si dhe në ngritjen e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre në Shqipëri.