Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizojnë një konferencë për reformën zgjedhore
Përfaqësues të qeverisë, Kuvendit, partive politike, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare u mblodhën në Tiranë më 30 qershor 2014 për të diskutuar rreth reformës së Kodit Zgjedhor dhe rreth vënies në zbatim të rekomandimeve zgjedhore të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
Kjo veprimtari organizohej nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë dhe zyra e UN Women në Shqipëri.
Pjesëmarrësve iu drejtuan Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lefterije Luzi, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, Nënkryetari i Komisionit të Kuvendit për Çështje Ligjore dhe eksperti për çështje zgjedhore, Oerd Bylykbashi, dhe Këshilltari Zgjedhor pranë OSBE/ODIHR-it, Steven Martin.
“Me afrimin e zgjedhjeve vendore të radhës në mes të vitit 2015, tani është pikërisht koha që autoritetet shqiptare të hartojnë një udhërrëfyes për zbatimin e rekomandimeve ende të pazbatuara të OSBE/ODIHR-it,” tha Ambasadori Florian Raunig, Kryetari i Prezencës së OSBE-së. Raunig tha se Kuvendi duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të plotësuar vendet vakante në KQZ. “Përbërja e pjesshme e KQZ-së e ka penguar ndjeshëm funksionimin e saj siç duhet, duke përfshirë edhe administrimin e zgjedhjeve”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje me përgjegjshmëri të rolit dhe misionit kushtues, duke synuar gjithmonë standardet më të larta të procesit zgjedhor, mirëpret çdo sugjerim dhe rekomandim nga ana ekspertëve që i shërben përmirësimit të punës së tij dhe cilësisë së procesit zgjedhor,” tha Kryetarja e KQZ-së Lefterije Luzi.
Ministri Celibashi rishprehu angazhimin e Qeverisë shqiptare për implementimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ai gjithashtu shprehu mbështetjen e plotë të Qeverisë ndaj “ndërmarrjes profesionale të KQZ-së, Prezencës së OSBE në Tiranë, si dhe të Këshillit të Europës mbi krijimin e qendrës së trajnimit të administratës zgjedhore”.
Deputeti Bylykbashi theksoi nevojën për nisjen pa vonesë të reformës zgjedhore, duke bërë thirrje për miratimin e saj me konsensus në Kuvend. Ai gjithashtu vuri në dukje se blerja e votës është një fenomen “shumë shqetësues”.
Pjesëmarrësit e Konferencës hartuan një paketë rekomandimesh me synim përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Rekomandimet kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor, siç mund të përmendim krijimin e një platforme trajnimesh për komisionerët zgjedhorë, respektimin e plotë të kuotave zgjedhore, realizimin e të drejtës së votës nga personat me paaftësi fizike, rolin e mediave në fushatat zgjedhore, si dhe financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. KQZ-ja do t’ia paraqesë këtë paketë për shqyrtim Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.