Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe publike përpara zgjedhjeve vendore të 2015-s
Forumi i parë i një sërë forumesh që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike u zhvillua më 11 qershor 2014 në Tiranë. Nëntë forumet vertikale dhe 18 horizontale – pjesë e një projekti njëvjeçar të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri – do të mbledhin gra që mbajnë poste publike dhe politike dhe ato që synojnë të hyjnë në jetën politike.
Këto forume, të cilat do të mbështeten në mënyrë aktive nga grupet rajonale të punës të Platformës Kombëtare të Grave, do t’u ofrojnë mundësi ndërveprimi grave të zgjedhura në poste zyrtare nga i tërë spektri politik, grave që aspirojnë të nisin një karrierë në politikë dhe anëtareve të shoqërisë civile. Në forume do të identifikohen sfidat që hasin gratë në rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën e barazisë gjinore dhe zhvillimin e planeve rajonale të punës. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet pjesëmarrjes së grave nga grupet e cenueshme, si ato rome.
Megjithë arritjet e kohëve të fundit në barazinë e grave, përfshirë rritjen e numrit të grave deputete dhe ministre, gratë në përgjithësi mbeten të nënpërfaqësuara dhe të disfavorizuara në vendimmarrjen politike dhe publike të të gjitha niveleve. Me afrimin e zgjedhjeve vendore të 2015-s, kjo përpjekje për rritjen e kapaciteteve do të përqendrohet në veprimtaritë për të promovuar gratë si vendimmarrëse politike dhe kandidate të mundshme, me synim sigurimin e një barazie më të madhe gjinore në proceset zgjedhore.
Këto veprimtari janë në vijimësi të nismave të mëparshme të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në fushën e barazisë gjinore, veçanërisht të rezultateve të projektit trevjeçar “Rritja e pjesëmarrjes së grave në qeverisje”. Ato kontribuojnë në realizimin e synimeve të objektivave të Planit të Veprimit të OSBE-së për Barazinë Gjinore.