Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria e Punëve të Brendshme bashkëpunojnë për rritjen e profesionalizmit të Policisë së Shtetit
TIRANË, 16 Maj 2014 – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ilirjan Mustafaraj, Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, dhe Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, u shpërndanë certifikata 33 drejtuesve të nivelit të mesëm të policisë pas përfundimit me sukses nga ana e tyre të programit të trajnimeve për zhvillimin e lidershipit.
Punonjësit e Policisë u pajisën me certifikata të lëshuara nga Instituti për Lidership dhe Menaxhim me seli në Britaninë e Madhe, ekspertët e të cilit e ofruan këtë trajnim nën kujdesin e OSBE-së.
“Dëshiroj të theksoj se ngritja e një sistemi arsimi të akredituar dhe të qëndrueshëm që i ofron policisë shqiptare dhe institucioneve të tjera të sigurisë publike një trajnim cilësor është e një rëndësie thelbësore,” tha Wilton. “Për Prezencën, ceremonia e sotme nuk duhet parë si e vetmja përpjekje, por si pjesë e një kontributi strategjik afatgjatë për rritjen e profesionalizmit të Policisë së Shtetit shqiptar, të cilën Prezenca do të ketë kënaqësinë që të vazhdojë ta mbështesë”.
Prezenca e filloi këtë program të zhvillimit të lidershipit për policinë në vitin 2012 si një përpjekje të përbashkët me Ministrinë dhe me Policinë e Shtetit për t’i ofruar policisë një trajnim të përshtatur sipas nevojave të saj, të qëndrueshëm dhe të leverdishëm për profesionalizimin e saj të mëtejshëm. Deri tani, këtë program njëmujor trajnimesh e kanë përfunduar me sukses më shumë se 100 drejtues të parë dhe të nivelit të mesëm të Policisë së Shtetit dhe të Policisë së Kufirit dhe Migracionit.
Ky program zhvillohet në kuadrin e synimit strategjik afatgjatë të Prezencës për fuqizimin e Policisë së Shtetit dhe përmbushjen nga ana e saj të standardeve më të larta profesionale. Për realizimin e tij, Prezenca punon në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me organizata të tjera ndërkombëtare. Prezenca do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit për zhvillimin e një sistemi arsimor të akredituar në sektorin shqiptar të sigurisë.