Prezenca e OSBE-së dhe Këshilli i Evropës ndihmojnë Shqipërinë në rritjen e profesionalizmit të komisionerëve zgjedhorë
TIRANË, 31 mars 2014 – Praktikat dhe platformat më të mira për trajnimin e komisionerëve zgjedhorë u diskutuan sot në Tiranë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri. Shembuj konkretë të qendrave për trajnim zgjedhor u sollën nga drejtueset e dy strukturave të tilla në Gjeorgji dhe Moldavi.
Pjesëmarrësit – përfshirë përfaqësues të partive politike, ekspertë zgjedhorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe policisë – ranë dakord për të eksploruar më tej mënyrat për ngritjen e një qendre të trajnimit zgjedhor në Shqipëri për të rritur profesionalizmin e administratës zgjedhore dhe për të eliminuar problemet në këtë fushë.
Raportet e fundit të misioneve vëzhguese të OSBE/ODIHR-it, po ashtu, kanë nxjerr në pah nevojën për rritjen e profesionalizmit të administratës zgjedhore, edhe përmes përmirësimit të trajnimit të komisionerëve zgjedhorë.
“Ideja është të kemi një administratë zgjedhore më profesionale përmes një personeli të trajnuar më mirë,” tha Claudia Vollmer, shefe e Departamentit të Demokratizimit në Prezencën e OSBE-së.
Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, tha se administrimi i zgjedhjeve në të shkuarën është prekur negativisht nga emërimet e vonuara ose zëvendësimet e minutës së fundit të komisionerëve zgjedhorë nga ana e partive politike. Ajo tha se, në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, partitë zëvendësuan mbi një të tretën e komisionerëve të nivelit të dytë, një shifër shtatë për qind më e lartë se në zgjedhjet e 2009-s.
Nëse krijohet, qendra e trajnimit do t’u shërbejë edhe grupeve të tjera të interesuara në procesin zgjedhor si, vëzhguesve, zgjedhësve që votojnë për herë të parë, medias dhe qeverisë vendore.