Prezenca e OSBE-së trajnon zyrtarët e Shërbimit të Provës për trajtimin e të dënuarve të mitur
Në datat 20-22 nëntor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim për 20 punonjës të Shërbimit të Provës nga gjithë vendi si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës. Trajnimi kishte për synim që t’i ndihmonte punonjësit e Shërbimit të Provës për një njohje më të thellë të aspekteve specifike të punës me të dënuar të mitur me qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për reintegrimin e këtyre të fundit në shoqëri. Trajnimi u përqendrua në njohjen e punonjësve të Shërbimit të Provës me praktikat më të efektshme për trajtimin e të dënuarve të mitur në komunitet, për t’i ndihmuar ata që të hartojnë programe trajtimi, të cilat pasqyrojnë vlerësimet e nevojave dhe të riskut që janë realizuar me të dënuarit e mitur.
Trajnimi u zhvillua në kuadrin e një projekti të OSBE-së që ka për synim zhvillimin e praktikave të efektshme të Shërbimit të Provës në Shqipëri. Vit pas viti, Shërbimi i Provës ka arritur suksese të njëpasnjëshme në minimizimin e kostove dhe efekteve negative të dënimit me burgim, dhe një arritje e madhe në këtë drejtim mbetet shtimi i vazhdueshëm i numrit të të dënuarve të mitur me dënime alternative.
“Rritja profesionale e punonjësve të Shërbimit të Provës është një përpjekje shumëplanëshe dhe e vazhdueshme, duke qenë se të dënuarit nuk kanë nevojë vetëm për mbikëqyrje, por edhe për drejtim, ndihmë dhe nxitje për të arritur përfshirjen e tyre të suksesshme në shoqëri”, tha Shefja e Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Fiorentina Azizi.
Ilir Qafa, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës tha: “Një shoqëri, e cila ka për synim forcimin e sigurisë publike të qytetarëve të saj, duhet të orientohet nga njëra anë drejt marrjes së masave të nevojshme për parandalimin e veprave penale, dhe nga ana tjetër duhet të sigurojë rehabilitimin dhe integrimin e të dënuarve në shoqëri”.
Prezenca e OSBE-së ka luajtur një rol kyç në krijimin e Shërbimit të Provës në Shqipëri, duke e mbështetur fuqimisht këtë institucion si në realizimin e veprimtarive që kanë të bëjnë me rritjen profesionale të personelit të tij, ashtu edhe në intensifikimin e bashkëpunimit me institucione të tjera të përfshira në dhënien dhe zbatimin e dënimeve alternative. Prezenca gjithashtu ka luajtur një rol të dorës së parë në fushën e drejtësisë për të mitur si dhe në ngritjen e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre në Shqipëri