OSBE-ja ndihmon deputetet për ringritjen e grupit parlamentar të grave në Kuvendin e Shqipërisë
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një takim me gratë deputete, më 30 tetor 2013, për t’i mbështetur ato në ringritjen e grupit parlamentar të grave në Kuvendin e Shqipërisë, një strukturë e cila nuk ka qenë aktive gjatë katër vjetëve të fundit.
“Në çështjet gjinore, sikurse edhe në fusha të tjera, Parlamenti jo vetëm që shërben si një pasqyrë e shoqërisë, por shërben edhe si shembull për t’u ndjekur. Ai mund t’i kundërvihet pabarazisë në të gjitha veprimtaritë e veta, duke filluar nga përgatitja e buxhetit e duke mbaruar me hartimin dhe vlerësimin e politikave”, tha Robert Wilton, zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
“Duhet të ndryshojnë jo vetëm modalitetet, por edhe mendësitë e njerëzve, me qëllim që interesat e grave dhe të burrave të promovohen në mënyrë të barabartë. Kjo do të bëjë që vendi të përfitojë nga potenciali i plotë i të gjithë qytetarëve të tij.”
“Ky është edhe synimi i mbështetjes së OSBE-së për deputetet e Shqipërisë, me qëllim që të rritet kohezioni dhe ndikimi i tyre”, shtoi ai.
Grupi parlamentar i grave në Kuvendin e Shqipërisë u themelua në vitin 1995 dhe u ringrit në vitin 2008 me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Grupi parlamentar dha kontributin e vet në miratimin e Ligjit për Barazinë Gjinore në vitin 2008 dhe në përfshirjen e kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor, i cili parashikon se të paktën 30 për qind e emrave në listën e kandidatëve për çdo zonë zgjedhore duhet t’i përkasë secilës gjini.
Përfaqësimi i grave në Kuvendin e Shqipërisë u rrit paksa nga 16.4% në vitin 2009 në 17.8% në vitin 2013. Qeveria e re ka bërë të ditur se ministrat, të cilët kanë edhe mandat deputeti, do të heqin dorë prej këtij të fundit, dhe një zhvillim i tillë pritet ta rrisë edhe më tej numrin e grave deputete, në përputhje me Kodin Zgjedhor.
Gjatë takimit, mbajtën fjalime përpara grave të pranishme përfaqësueset e tri partive kryesore politike; Olta Xhaçka (Partia Socialiste); Albana Vokshi (Partia Demokratike); dhe Klajda Gjosha (Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ministre e Integrimit Evropian). Po ashtu, gra deputete nga Evropa Juglindore ndanë përvojat e parlamenteve të tyre në këtë drejtim.