Kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri takohet me Kreun e ri të Partisë Demokratike, mirëpret angazhimin e tij ndaj institucioneve demokratike të vendit
TIRANË, 1 gusht 2013 – Kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, pati sot një takim në Tiranë me Kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për ta uruar për zgjedhjen e tij dhe për të folur rreth planeve të ardhshme të partisë që ai drejton.
Wilton theksoi mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së për të gjithë pjesëtarët e institucioneve demokratike të vendit, si dhe angazhimin e Prezencës për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët politikë. Ai përmendi në mënyrë të veçantë projektin në mbështetje të Kuvendit të Shqipërisë zbatuar nga Prezenca.
Pas mbylljes së takimit, Z. Wilton u shpreh: “Me shpalljen e projektit të Këshillit të ri të Ministrave dhe me përfundimin e periudhës së ankimeve pranë Kolegjit Zgjedhor, vendi po hyn në një fazë të re të këtij procesi demokratik.”
Ai tha se ndihej i inkurajuar nga “programi ambicioz dhe pozitiv” i paraqitur nga Qeveria e re. “Nga ana tjetër, angazhimi aktiv i Opozitës është një përbërës thelbësor i çdo demokracie funksionale, dhe ndihem i inkurajuar nga përkushtimi i shprehur nga Kryetari Basha për pjesëmarrje dhe promovim të institucioneve demokratike të vendit, si dhe ndaj të drejtave të qytetarëve shqiptarë,” theksoi Wilton.