Prezenca e OSBE-së trajnon oficerët e policisë shqiptare në teknikat nën-mbulim
TIRANË, 28 mars 2013 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me qeverinë italiane, mbylli fazën përfundimtare të një kursi të thelluar trajnimi për teknikat nën-mbulim për nëntë oficerë policie të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri beson se mbështetja e zhvillimit të mëtejshëm teknik dhe profesional të partnerëve tanë lokalë në Ministrinë e Brendshme shqiptare përbën një detyrë shumë të rëndësishme,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasador Eugen Wollfarth, në ceremoninë e dhënies së certifikatave oficerëve të policisë sot, në të cilën morën pjesë edhe Ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe Ambasadori italian Massimo Gaiani.
“Ky trajnim i specializuar dhe i thelluar, që u zhvillua gjatë muajve të fundit, do ta ndihmojë Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në hetimin e krimeve brendapërbrenda policisë dhe do të forcojë kështu luftën ndaj korrupsionit në polici. Nga kjo do të përfitojnë jo vetëm organet e zbatimit të ligjit, por edhe qytetarët shqiptarë,” shtoi ai.
Ky kurs ishte pjesë e një asistence më të gjerë të Prezencës ofruar autoriteteve dhe institucioneve të sigurisë kombëtare, në përputhje me mandatin e saj.