Prezenca e OSBE-së trajnon Policinë e Shtetit për rolin në zgjedhje
TIRANË, 26 mars 2013 – Shtatë mijë punonjës policie do të përgatiten për rolin e tyre në procesin zgjedhor përmes një sërë trajnimesh të organizuara nga Prezenca e OSBE-së dhe Policia e Shtetit Shqiptar, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 Qershorit.
“Roli i Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor është absolutisht thelbësor për suksesin e zgjedhjeve. Kam besimin se Policia e Shtetit, sërish, do të mbështesë me efektshmëri zhvillimin e një procesi të qetë zgjedhor”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth, në veprimtarinë e sotme.
“Pres që klasa politike dhe ata që ndihmojnë në administrimin e zgjedhjeve – përfshirë të gjithë të pranishmit sot këtu – të sigurojnë që këto zgjedhje të përmbushin standardet përkatëse të OSBE-së dhe standardet e tjetra ndërkombëtare, në mënyrë që Shqipëria të ecë vërtet përpara”, shtoi ai.
Trajnimi, i cili do të vijojë deri në fund të prillit, filloi sot në nivel strategjik, me një sesion kushtuar zyrtarëve të lartë të policisë. Pas trajnimit të 150 trajnuesve, sesionet e tjera do të shtrihen në nivelet operative dhe taktike, tek i gjithë personeli policor që do të jetë i angazhuar në zgjedhje. Lektorët janë ekspertë të Qendrës së Formimit Policor, Prezencës së OSBE-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë. Gjithashtu, Prezenca po përgatit një broshurë informative për rolin e veçantë të policisë në procesin zgjedhor, e cila do t’u shpërndahet të shtatë mijë policëve.
Kjo ndihmë është pjesë e mbështetjes së vijueshme që Prezenca e OSBE-së iu jep institucioneve të shtetit shqiptar për të siguruar administrimin e suksesshëm teknik të procesit zgjedhor.