Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe KQZ-ja nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit për forcimin e kapaciteteve të administratës zgjedhore, intensifikimin e bashkëpunimit
Publishing date: 17 tetor 2022
Content type: News
Më 17 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi rreth intensifikimit të bashkëpunimit për forcimin e kapaciteteve të KQZ-së me synim kryerjen e veprimtarisë së saj në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet më të mira ndërkombëtare. “Kjo marrëveshje simbolizon bashkëpunimin e fortë dhe të vazhdueshëm mes Prezencës së OSBE-së dhe KQZ-së. KQZ-ja ka qenë prej vitesh një nga partnerët kryesorë dhe më të besuar të Prezencës dhe për këtë arsye mbështetja ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë ndër përparësitë tona gjatë gjithë mandatit tim. Tri shkronjat e shkurtimit të KQZ-së duhet të lexohen ndryshe si Qëndrueshmëri, Efikasitet dhe Besueshmëri [në anglisht CEC: Consistency, Efficiency and Credibility]”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në fjalën e mbajtur në këtë veprimtari. Ai shtoi se një administratë zgjedhore e paanshme, e mirëpërgatitur dhe e mirëpajisur është thelbësore për integritetin e proceseve zgjedhore. “Në këtë kontekst, Prezenca është e gatshme që ta ndihmojë KQZ-në për përballimin e sfidave të lidhura me përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm”, tha ai. Në kuadër të reformës zgjedhore, Del Monaco theksoi se Prezenca e vlerëson rifillimin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe e nxiti atë të adresojë rekomandimet ende të patrajtuara të OSBE/ODIHR-it përmes një procesi të konsultuar gjerësisht. Ai tha se nga pikëpamja teknike dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, koha po shkurtohet gjithnjë e më shumë që ndryshimet thelbësore ligjore të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shprehu mirënjohjen për Prezencën e OSBE-së dhe e falënderoi ambasadorin Del Monaco për angazhimin e tij dhe vijueshmërinë e mbështetjes ndaj KQZ. “Jemi në fazë të rëndësishme të marrëdhënieve institucionale mes KQZ-së dhe OSBE-së dhe ky memorandum është konfirmimi i bashkëpunimit që KQZ-ja dhe Prezenca e OSBE-së kanë pasur deri tani. Besoj se do të kemi këtë nivel bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Kemi akoma shumë për të bërë, zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore janë shumë afër ndaj mbështetja e OSBE-së si një nga partnerët tanë të rëndësishëm do të ketë rolin e vet në miradministrimin e procesit zgjedhore”, tha Komisioneri Celibashi. Marrëveshja e nënshkruar sot përbën një themel të fortë për të ecur përpara me veprime dhe ndërhyrje të prekshme në një sërë fushash kyçe. Këto përfshijnë mbështetjen për KQZ-në për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ato që rrjedhin nga rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë; fuqizimin e kapaciteteve të saj profesionale për administrimin e zgjedhjeve, duke përfshirë aftësitë e trajnimit dhe të kontakteve informuese me votues; si edhe bashkimin e forcave për një bashkërendim më të mirë të asistencës ndërkombëtare për çështjet zgjedhore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka ofruar mbështetje të vazhdueshme autoriteteve shqiptare, përgjatë viteve, me qëllim realizimin e proceseve të reformës zgjedhore në mënyrë të dakordësuar, gjithëpërfshirëse dhe në kohë, si dhe ofrimin e asistencës teknike për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve.
Prezenca e OSBE-së fuqizon gratë këshilltare në Shqipëri me anë të Programit të Ekselencës së Grave në Nivel Vendor
Publishing date: 10 tetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Demokratizimi, Zgjedhjet, Barazia gjinore
Më 7 dhe 8 tetor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vlerësoi 20 këshilltare bashkiake të motivuara, të cilat përfunduan Programin e Ekselencës së Grave në Nivel Vendor (WoMEP) dhe organizoi gjithashtu modulin e dytë të trajnimit për 22 këshilltare të tjera, brezi i tretë i WoMEP-it. WoMEP-i i ndihmon gratë këshilltare të lidhin politikat dhe propozimet me ndjeshmëri gjinore me buxhetet e bashkive, si burim parësor për financimin e nismave që trajtojnë nevojat e komuniteteve në nivelin vendor. Ashtu si në dy edicionet e mëparshme, propozimet e zhvilluara nga brezi i tretë i këshilltareve pjesë e WoMEP-it do u prezantohen këshillave përkatës për qëllim financimi nga buxhetet bashkiake të vitit 2023. Gjatë tri viteve të fundit, Prezenca ka ndihmuar këshilltaret vendore aktive të zhvillojnë propozime konkrete për projekte, me synim zbatimin e tyre në bashki. Propozimet u përkasin fushave të ndryshme si: përkrahja e turizmit, ndihma për viktimat e tërmetit të vitit 2019, mbështetja për viktimat e dhunës me bazë gjinore. Deri më sot, WoMEP-i u ka mundësuar më shumë se 60 grave këshilltare bashkiake nga e gjithë Shqipëria të rrisin rolin e gruas në vendimmarrje në nivelin vendor. “Niveli vendor është ai që qëndron më afër qytetarëve dhe besimi tek institucionet ndërtohet pikërisht këtu. Nëse ia dilni të krijoni besimin te ju vetë dhe te puna e juaj, atëherë ia dilni edhe të krijoni besim në institucionet e Shqipërisë,” tha zëvendëskryetarja e Prezencës, Clarisse Pasztory, gjatë aktivitetit. Ajo shtoi se shpreson që shumë prej pjesëmarrëseve të WoMEP-it të garojnë përsëri në zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe të zgjidhen përsëri si këshilltare apo edhe si kryetare bashkie. Në veprimtari morën pjesë edhe anëtare të Aleancës së Grave Deputete – forum ky i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së. Kryetarja e Aleancës Merita Bakiu dhe zëvendëskryetarja Etilda Gjonaj shprehën gatishmërinë e tyre të punojnë për fuqizimin e rrjetëzimit ndërmjet grave deputete dhe këshilltareve bashkiake për të çuar përpara nisma në nivelin vendor.
Prezenca e OSBE-së do të bashkërendojë asistencën e komunitetit ndërkombëtar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
Publishing date: 12 nëntor 2021
Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 dhe fillimit të diskutimeve për një reformë të re zgjedhore, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco, organizoi një takim të ambasadorëve të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, më 10 nëntor 2021, për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar asistencën për çështjet zgjedhore.
Prezenca e OSBE-së përmbyll fushatën e edukimit të zgjedhësve, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri
Publishing date: 23 prill 2021
Më 22 prill 2021, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli një fushatë tremujore për edukimin e zgjedhësve lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Fushata, e zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, synoi njohjen e zgjedhësve me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, dhe nxiti pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje...
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxitin të rinjtë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit
Publishing date: 4 shkurt 2021
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizuan një sërë veprimtarish të përqendruara te zgjedhësit e rinj, me synimin për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, me rastin e Ditës Botërore të Zgjedhjeve, më 4 shkurt 2021.
Prezenca e OSBE-së trajnon policinë shqiptare, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit
Publishing date: 26 janar 2021
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe me mbështetjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, po organizon një sërë trajnimesh për rreth 6 000 oficerë policie në mbarë Shqipërinë. Trajnimet, të cilat filluan më 26 janar 2021 dhe do të vijojnë deri në mesin e muajit mars, trajnojnë rolin e policisë në procesin zgjedhor dhe organizohen në prag të zgjedhjeve kuvendore të 25 prillit.
Prezenca e OSBE-së zhvillon tryezë për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit deri tani dhe sfidat e zbatimit të tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021
Publishing date: 11 dhjetor 2020
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta organizuan së bashku një tryezë diskutimi, më 11 dhjetor 2020, në Tiranë. Veprimtaria u përqendrua në zbatimin e deritanishëm të ligjit të dekriminalizimit dhe në sfidat e zbatimit të tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021...