Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së trajnon policinë shqiptare për çaktivizimin e armëve të zjarrit
Publishing date: 9 mars 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 8 dhe 9 mars 2023, Prezenca e OSBE-së organizoi një trajnim teknik për tetë punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët janë përzgjedhur për t’u përfshirë në proceset e çaktivizimit, kontrollit, verifikimit, markimit dhe certifikimit të armëve të zjarrit. Trajnimi u bazua manualin “Udhëzuesi operacional për verifikuesit që inspektojnë armët e zjarrit të çaktivizuara”. Manuali u hartua me ndihmën e Prezencës, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e kuadrit ligjor të çaktivizimit, krijimin dhe zbatimin e një mekanizmi funksional për çaktivizimin e armëve të zjarrit, si edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare në këtë drejtim. Trajnimi mbuloi të gjitha proceset teknike, përfshirë kontrollin, markimin, certifikimin dhe mbajtjen e të dhënave. Ai u përqendrua në zhvillimet rajonale e ndërkombëtare dhe në praktikat më të mira për çaktivizimin e armëve të zjarrit. Hartimi i manualit dhe organizimi i trajnimit u zhvilluan si pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. Projekti do ta ndihmojë Policinë e Shtetit edhe për të përmirësuar mjediset e Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik, do të blejë pajisjet e nevojshme për çaktivizimin e armëve të zjarrit, si edhe do të rrisë kapacitetet e personelit.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon takim rajonal në mbështetje të njësive të qenve policorë në Ballkanin Perëndimor
Publishing date: 28 shkurt 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Kontrolli i armëve, Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve, Policimi
Më 22-24 shkurt 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi, në Korçë, një takim rajonal ekspertësh për përmirësimin e kuadrit rregullator të njësive të qenve policorë. Veprimtaria mblodhi përfaqësues të këtyre njësive nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Beogradi, Shkupi, Prishtina, si dhe ekspertë nga Franca dhe nga Mbretëria e Bashkuar. Takimi rajonal synoi forcimin e bashkëpunimit rajonal, kalimin e dijeve dhe aftësive, si dhe përmirësimin e bashkërendimit mes njësive të qenve policorë, që mbështeten nga projektet e OSBE-së. Ai u organizua si pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor. “Rëndësia e kësaj veprimtarie qëndron te mbështetja sipas nevojave për autoritetet e Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e tyre profesional, përmirësimin e ekspertizës dhe të aftësive të përgjithshme të Njësive të Qenve Policorë në zbulimin e përdorimit të paautorizuar, transportit dhe trafikimit të AVL-ve, municioneve dhe lëndëve plasëse,” tha Slobodan Boskovic, zyrtar i projektit në Njësinë e Mbështetjes së Forumit për Bashkëpunim të Sigurisë në Sekretariatin e OSBE-së. Pjesëmarrësit diskutuan për Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) të Institutit e Trajnimit të Qenve të Policisë së Shtetit, hartuar nën kujdesin e Prezencës së OSBE-së. Dokumenti, i cili përmban udhëzime specifike për kujdestarët e qenve, instruktorët, menaxherët dhe palët e interesuara, mbështetet në praktikat më të mira rajonale dhe standardet ndërkombëtare. Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me kriteret për kapacitetet kombëtare dhe rajonale dhe aftësitë e nevojshme për organizimin e konkurseve, që do zhvillohen nga autoritetet rajonale me mbështetjen e projekteve të OSBE-së. Takimi shërbeu edhe si një platformë rrjetëzimi ndërmjet zyrtarëve publikë dhe ekspertëve të qenve, duke pasur parasysh ngjashmëritë dhe sfidat në të gjitha juridiksionet e Ballkanit Perëndimor. “Takime të tilla kanë vlerë të madhe, jo vetëm për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe sfida mes homologëve të rajonit, por edhe për të diskutuar mbi zgjidhjet e mundshme të unifikuara në drejtim të proceseve dhe praktikave më të mira për përmirësimin dhe zhvillimin e njësive të qenve policorë”, tha Petrit Bushati, Shef i Seksionit të Mbarështimit dhe Stërvitjes në Institutin e Trajnimit të Qeneve të Policisë së Shtetit. Xhenis Ballco, zyrtare vendase e projektit të AVL-ve në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, tha: “Projekti i AVL-ve do të asistojë më tej Institutin e Trajnimit të Qenve të Policisë së Shtetit për të përmirësuar infrastrukturën e objekteve dhe zonave ekzistuese përreth. Gjithashtu, do të ofrojë automjete dhe pajisje të specializuara për transportin e qenve, si dhe do të sigurojë ngritje të vazhdueshme kapacitetesh të akredituara për zyrtarët e Institutit”. Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)” financohet nga Bashkimi Evropian, Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika e Francës.
Prezenca e OSBE-së organizon vizitë në Serbi për gazetarët shqiptarë që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe të armëve të vogla e të lehta
Publishing date: 23 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Misioni i OSBE-së në Serbi
Dhjetë gazetarë nga media të ndryshme në Shqipëri, që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe të armëve të vogla e të lehta (AVL), zhvilluan një vizitë në Beograd, nga 19 deri më 22 dhjetor 2022, për të mësuar rreth praktikave më të mira rajonale dhe për të shkëmbyer përvoja për çështjet e sigurisë dhe të AVL-ve. Në takime morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Policia e Shtetit, Komisioni Kombëtar i AVL-ve si dhe nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Kjo vizitë shkëmbimi përvojash u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi dhe me kontributin e Zyrës Qendrore për Evropën Lindore dhe Juglindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC) dhe të PNUD-it në Serbi. “Roli i medias në rritjen e ndërgjegjësimit për uljen e rrezikut nga armët e vogla dhe të lehta është pjesë thelbësore e projektit ‘Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të AVL-ve’”, tha Xhenis Ballco, zyrtare vendase e projektit. Gjatë vizitës, gazetarët shqiptarë u njohën nga anëtarët e “Rrjetit media kundër dhunës” se si ky rrjet, i përbërë nga 90 gazetarë, i ndihmoi ata për të përmirësuar cilësinë e raportimit. Po ashtu, ata patën mundësinë të ulen së bashku me autoritetet shqiptare, për herë të parë, e të diskutojnë se si të përmirësohet bashkëpunimi mes palëve të interesuara në këtë fushë. Gazetarët dhe zyrtarët shprehën angazhimin për të rritur dialogun mes tyre për çështjet që i shqetësojnë. Media është faktor kyç për informimin dhe edukimin e publikut, duke kontribuar drejtpërdrejt në objektivin e katërt të Udhërrëfyesit të Kontrollit të AVL-ve: “Deri në vitin 2024, të ulet ndjeshëm ofertën, kërkesën dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit përmes rritjes së ndërgjegjësimit, edukimit, shtrirjes dhe advokimit” [1]. Po ashtu, partneriteti me median është thelbësor për Prezencën e OSBE-në, si pjesë e mandatit dhe e përpjekjeve të saj për të promovuar lirinë e shprehjes. Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e rolit të medias në fushatat e ndërgjegjësimit të publikut dhe vlerësimin e nevojave të gazetarëve për ngritjen e kapaciteteve në lidhje me raportimin cilësor, mbështetur në praktikat më të mira të Ballkanit Perëndimor. Vizita do të pasohet me ngritjen e kapaciteteve dhe veprimtari të tjera mbështetëse për gazetarët. Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës. [1] https://www.seesac.org/f/docs/publications-salw-control-roadmap/Regional-Roadmap-for-a-sustainable-solution-to-the.pdf
Prezenca e OSBE-së prezanton projektin për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta në Shqipëri
Publishing date: 9 qershor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, prezantoi sot një projekt trevjeçar, i cili synon të ndihmojë autoritetet kombëtare në uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe të shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. Projekti është pjesë e një projekti rajonal, i cili bashkërendohet nga Qendra e OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve dhe zbatohet nga misionet e OSBE-së në Ballkanin Perëndimor, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës. Bazuar në fushat me përparësi të identifikuara nga Ministria e Brendshme dhe nga Policia e Shtetit, projekti do të mbështetë përshtatjen e kornizës ligjore për çaktivizimin e armëve të zjarrit, forcimin e kapaciteteve të Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik lidhur me rreziqet e shpërdorimit dhe përhapjes të armëve të vogla e të lehta. “Fakti që sot jemi të gjithë këtu flet për ndërgjegjësimin tonë të përbashkët për kërcënimet dhe sfidat që kemi përpara. Po flasim për një kërcënim që përshkon nga terrorizmi te krimi i organizuar ndërkombëtar. Një kërcënim që minon besimin e komunitetit dhe kohezionin social duke nxitur dhunën e bandave dhe krimin e dhunshëm, të cilat janë edhe më të dëmshme për besimin aq të nevojshëm të të rinjve dhe të brezave të rinj tek institucionet dhe komunitetet e tyre”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në hapje të veprimtarisë. “Besoj fort që zbatimi i këtij projekti mes Ministrisë së Brendshme dhe Prezencës së OSCE në Shqipëri do të arrijë të përmbushë objektivat e dakordësuara bashkërisht, për t’u ndjekur nga gurë të tjerë kilometrikë bashkëpunimi në të ardhmen, në fushën e sigurisë dhe më gjerë,” tha zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Në fjalën e saj, Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, tha se Shqipëria mbetet patundshmërisht e përkushtuar për të përmbushur angazhimin e saj për zbatimin e standardeve ndërkombëtare lidhur me luftën kundër armëve të vogla e të lehta dhe municioneve. “Ne e mirëpresim mbështetjen e OSBE-së në zbatimin e këtij projekti dhe jemi të bindur që do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në këtë drejtim”, shtoi ajo. Në veprimtari, folën edhe ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, ambasadorja e Francës, Elisabeth Barsacq, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Jonas Paul, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, si edhe Slobodan Boskovic, oficer projekti në Njësinë Mbështetëse të Forumit të OSBE-së për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë. Projekti kontribuon në përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmbushjen e qëllimeve kryesore të Udhërrëfyesit për Armët e Vogla e të Lehta dhe Municionet dhe për të krijuar një zgjidhje të qëndrueshme ndaj armëmbajtjes së paligjshme, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse. Përmes këtij projekti, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri kontribuon, gjithashtu, në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, që kanë të bëjnë me eliminimin e të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave, uljen e përhapjes së paligjshme të armëve, dhe forcimin e institucioneve kombëtare për parandalimin e dhunës dhe luftës kundër terrorizmit dhe krimit.
Prezenca e OSBE-së ndihmon për shkatërrimin e armatimit të tepërt në Shqipëri
Publishing date: 1 tetor 2012
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Kontrolli i armëve