Gratë, paqja dhe OSBE-ja: konkurs fotografie në Instagram
Kur
Ku
Organizuar nga
Pse ky konkurs?
Vite më parë, paqja dhe siguria shiheshin si fusha ku mbizotëronin meshkujt. Arsyetimi ishte i thjeshtë: luftën e bëjnë burrat, prandaj edhe paqen duhet ta bëjnë ata. Sikurse e dimë tani, ky arsyetim ishte krejtësisht i çalë. Për shekuj me radhë, gratë në mbarë botën kanë luajtur role kyçe në çdo etapë të ciklit të konflikteve. Në vitin 2000, Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara e njohu këtë rol përmes miratimit të Rezolutës 1325, për gratë, paqen dhe sigurinë.
Kjo rezolutë historike pohoi se gratë dhe vajzat vuajnë pasoja të ndryshme nga konflikte në krahasim me burrat, prandaj duhet të mbrohen si duhet. Për më tepër, rezoluta theksoi se pjesëmarrja e grave në proceset e parandalimit dhe zgjidhjes së konflikteve, si dhe në vendosjen e paqes pas konflikteve, është thelbësore për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Duke qenë organizata më e madhe në botë për sigurinë rajonale, OSBE-ja luan një rol qendror në promovimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë. Kjo punë do të vihet akoma më në pah me afrimin e 20-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325.
Në kapacitetin e Kryetares së Radhës të OSBE-së për vitin 2019, Sllovakia po organizon një konkurs fotografie me temën “Gratë, Paqja dhe OSBE-ja”. Synimi është të hidhet dritë mbi kontributin e grave në mbarë zonën e OSBE-së në fushën e paqes dhe sigurisë – qoftë përmes punës së tyre ose në jetën e përditshme.
A mund të marr pjesë?
Si gratë, ashtu edhe burrat nga i tërë rajoni i OSBE-së jenë të ftuar të marrin pjesë, në qoftë se janë shtetas të njërit prej 57 Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së.
Çfarë fotosh mund të paraqes?
Ne kërkojmë foto që tregojnë agjendën e grave, paqes dhe sigurisë në veprim në zonën e OSBE-së. Pra, synimi është i gjerë. Ndoshta fotografia juaj do të tregojë gra që punojnë për organizata të shoqërisë civile që merren me paqen. Ndoshta do të tregojë gra ndërmjetësuese gjatë punës në terren. Ose ndoshta mund të na japë një perspektivë të ndryshme për sigurinë. Mendja jonë është e hapur – dhe kështu duhet të jetë edhe e juaja!
Ju lutem, lexoni termat dhe kushtet për më shumë detaje: www.osce.org/chairmanship/415724
Si të bëhem pjesë?
Është e lehtë! Thjesht hidhni në Instagram çfarëdolloj fotoje që mendoni se flet për temën “Gratë, Paqja dhe OSBE-ja”, duke përdorur hashtagun #WomenPeaceOSCE. Kini parasysh, ne do të mund ta shohim fotografinë tuaj vetëm nëse profili juaj në Instagram është publik.
Gjithashtu, mund ta dërgoni fotografinë tuaj (jo më të madhe se 8 MB) në adresën wps@mzv.sk.
Të gjitha fotografitë duhet të hidhen në Instagram ose të dërgohen me postë elektronike brenda datës 15 maj 2019.
Fituesit do të kontaktohen brenda datës 31 maj 2019*.
Vendimi përfundimtar do të merret nga një panel i përbërë nga përfaqësues të Misionit të Përhershëm të Sllovakisë në OSBE dhe përfaqësues të Sekretariatit të OSBE-së.
Çfarë mund të fitoj?
Fotot e përzgjedhura do të shfaqen në një ekspozitë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që do të organizohet nga Sllovakia si Kryesuese e OSBE-së brenda këtij viti.
Fotografja ose fotografi fitues do të ftohet të na bashkohet në Vjenë për hapjen e kësaj ekspozite.
*Në përputhje me Termat dhe Kushtet, kandidatët do të kontaktohen për qëllime informacioni dhe verifikimi përpara se të konfirmohen si autorë të fotografive më të mira. Më shumë informacion do të gjeni në dokumentin Termat dhe Kushtet ose në Rregulloren e Privatësisë.
Ky konkurs nuk sponsorizohet, miratohet apo administrohet nga Instagrami dhe as nuk ka lidhje me të.