Përmbyllet programi Girls’ Talks i Misionit të OSBE-së i mbajtur në Prevallë
Prevallë, 17 prill 2024
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli programin Girls' Talks të mbajtur në Prevallë nga 12 deri më 16 prill, program i cili mblodhi 20 vajza të reja që u përkasin komuniteteve të ndryshme nga Kosova.
Gjatë pesë ditëve, pjesëmarrëset u angazhuan në aktivitete që ndërtojnë frymën ekipore, në trajnime interaktive mbi aktivizmin dhe avokimin rinor, çështje gjinore dhe fuqizimin e grave. Ato gjithashtu u angazhuan në shkëmbime të kuptimplota me të diplomuarat e Akademisë së Dialogut të cilat morën pjesë si trajnere, si dhe me folës të tjerë të ftuar me qëllim të pasurimit të pjesëmarrëseve me njohuri dhe aftësi të reja.
Zëvendësshefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor, e theksoi rëndësinë e veprimeve kolektive duke i motivuar pjesëmarrëset që të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë. “Është jetike për të rinjtë që të bashkojnë forcat bazuar në dialog dhe besim reciprok. Sfidat dhe shqetësimet e përbashkëta mund të shërbejnë si katalizator për përpjekje kolektive më të fuqishme e më me ndikim”, tha ajo.
Maylinda Bajrami, anëtare e Iniciativës së OSBE-së Gratë e Reja për Paqe, theksoi se ekspozimi ndaj kulturave dhe formimeve të ndryshme është rrugë drejt përfshirjes dhe ndryshimit pozitiv të shoqërisë, duke shtuar se çdo gjë fillon duke qenë të hapur me veten dhe me rrethin e ngushtë.
Për pjesëmarrësen Sara Çeshko, kjo ishte një mundësi që vjen një herë në jetë. “Isha e rrethuar me persona të rëndësishëm dhe frymëzues që kanë ndryshuar rrugëtimin e shoqërisë sonë të ardhshme”, tha ajo.
Përmes diskutimeve, pjesëmarrëset e programit Girls’ Talks u njohën me njëra-tjetrën, kultivuan lidhje ndër-personale dhe forcuan rrjetëzimin, duke ndërtuar njëkohësisht dialogun dhe besimin reciprok.
Programi Girls’ Talks – më parë i quajtur Akademia Lokale e Dialogut – synon fuqizimin e grave të reja nga komunitete të ndryshme duke i pasuruar ato me njohuri dhe aftësi për të frymëzuar dhe sjellë ndryshime pozitive në komunitetet e tyre. Për të vazhduar mbështetjen e fuqizimit individual, profesional dhe publik të grave të reja, Misioni i OSBE-së në Kosovë do t'i ofrojë një praktikë pesë-mujore njërës prej pjesëmarrëseve të Girls’ Talks apo të Akademisë Lokale të Dialogut.