Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon seminar për modernizimin e menaxhimit të parlamenteve në Evropën Juglindore
Sekretarët e Përgjithshëm të parlamenteve të Evropës Juglindore u mblodhën në Tiranë, në datat 18 dhe 19 tetor, për të diskutuar për mënyrat e modernizimit të menaxhimit të burimeve njerëzore në parlamentet e tyre kombëtare. Takimi u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë dhe misione të tjera të OSBE-së në rajon.
Sekretarët e Përgjithshëm dhe punonjës të tjerë të lartë parlamentarë nga Tirana, Sarajeva, Shkupi, Prishtina dhe Podgorica, si dhe përfaqësues të parlamentit të Sllovenisë, shkëmbyen përvojë në zhvillimin e burimeve njerëzore gjatë viteve të tranzicionit. Ata diskutuan, gjithashtu, rreth sfidave që hasin në punën e tyre për të ecur përpara në integrimin evropian.
Veprimtaria ishte pjesë e një nisme rajonale të OSBE-së, që synon të mbështesë dhe të rrisë kapacitetet e parlamenteve në Evropën Juglindore.