Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
OSBE-ja dhuron mjete kundër zjarrit për zonat e mbrojtura në Shqipëri
Publishing date: 3 maj 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, u dorëzoi administratave rajonale të zonave të mbrojtura të Kukësit dhe Dibrës mjete kundër zjarrit në natyrë, gjatë një ceremonie që u zhvillua në Peshkopi, më 3 maj 2024. “Ruajtja e zonave të mbrojtura, si ajo Korab-Koritnik, është një synim dhe angazhim i përbashkët. Ka shumë që ia vlen të mbrojmë këtu: mjedisin, njerëzit që jetojnë këtu dhe njerëzit që vijnë për të vizituar e për t’u rigjallëruar,” tha Pasztory. Në veprimtari, morën pjesë edhe zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Mbrojtur Daniel Pirushi, autoritetet vendore dhe zyrtarë nga Zyra e Koordinatorit të OSBE-së për Veprimtaritë Ekonomike dhe Mjedisore (OCEEA). Pajisjet- të blera në kuadër të projektit pilot të OSBE-së “Zonat e mbrojtura rezistente ndaj zjarrit: malet e Sharrit dhe zona e masivit të Korabit”- përbëhen nga një sistem zjarrfikës i motorizuar, ventilator ajri me energji elektrike, pompa shpine, mjete shumëfunksionale, fshesa zjarri, pishtar dore-flakëlëshues dhe kostume kundër zjarrit për 20 zjarrfikës. Projekti synon të përmirësojë menaxhimin e zjarrit në natyrë dhe përfshirjen e komunitetit në përpjekjet për parandalimin e zjarrit. Projekti mbështeti zhvillimin e një studimi paraprak për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë të lidhura me klimën, i cili identifikoi zjarret si një nga rreziqet e sigurisë. Duke u bazuar te ky studim, projekti mbështeti hartimin e një strategjie të përbashkët bashkëpunimi për ndryshimet klimatike dhe sigurinë në malet e Sharrit dhe në zonën e masivit të Korabit, si edhe planin e zbatimit të saj. Projekti pilot zbatohet në kuadër të projektit të OSBE-së me fonde jashtëbuxhetore “Forcimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore”.
Zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut ishin konkurruese dhe në përgjithësi të organizuara mirë, por të shënuara nga boshllëqe ligjore dhe retorikë negative, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë
Publishing date: 25 prill 2024
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights
What we do: Zgjedhjet
SHKUP, 25 prill 2024 – Fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut ishte konkurruese dhe liritë themelore, përfshirë lirinë e medias, u respektuan, por fusha të rëndësishme të garës presidenciale që përfshinin rregullat e fushatës, aksesin në media dhe shpërndarjen e fondeve shtetërore nuk janë të rregulluara, duke dëmtuar parimin kyç të sigurisë juridike, thanë vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë sot.
Përmbyllet programi Girls’ Talks i Misionit të OSBE-së i mbajtur në Prevallë
Publishing date: 17 prill 2024
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli programin Girls' Talks të mbajtur në Prevallë nga 12 deri më 16 prill, program që mblodhi 20 vajza të reja që u përkasin komuniteteve të ndryshme nga Kosova.
Gjykatat në Kosovë duhet të sigurojnë konsistencë dhe drejtësi në dënimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje, rekomandon raporti i OSBE-së
Publishing date: 16 prill 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Misioni i OSBE-së sot publikoi raportin më të fundit, të fokusuar mbi praktikat e dënimit në rastet që kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje.
Prezenca e OSBE-së organizon vizitë në Suedi për gazetarët shqiptarë, për të përmirësuar raportimin për çështjet e sigurisë
Publishing date: 12 prill 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Nëntë gazetarë nga mediat kryesore në Shqipëri dhe dy zyrtarë për marrëdhëniet me mediat nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit morën pjesë në një vizitë pune, në Stokholm të Suedisë, organizuar nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e projektit të saj për armët e vogla e të lehta (AVL), nga 8 deri më 11 prill 2024. Veprimtaria, e dyta e këtij lloji, synonte rritjen e angazhimit të medias në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Delegacioni shqiptar vizitoi redaksinë e lajmeve të televizionit suedez SVT dhe u bashkëbisedoi me gazetarë që mbulojnë çështjet e sigurisë. Ata u takuan edhe me zyrtarë shtetërorë dhe joshtetërorë, përfshirë organizatat e medias dhe u njohën me fushata ndërgjegjësuese novatore, në të cilat media ka vepruar si partner strategjik për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e publikut. Strategjia e hartuar së fundmi për Rritjen e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e AVL-ve identifikoi dhe theksoi rolin e mediave si partnerë strategjikë në informimin dhe edukimin e publikut në lidhje me rrezikun dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit, duke kontribuar drejtpërdrejt në objektivat e Udhërrëfyesit për Kontrollin e AVL-ve [1]. Si pjesë e përpjekjeve për zhvillimin e medias, projekti po kryen monitorimin e gjendjes aktuale të raportimit të medias si dhe vlerësimin e nevojave për ngritjen e kapaciteteve për gazetarët shqiptarë që raportojnë për çështjet e sigurisë dhe dhunës me bazë gjinore. Në bazë të gjetjeve, projekti do të zhvillojë një udhëzues për median, në vijim të të cilit do organizohen sesione trajnimi për gazetarët. Vizita e punës është pjesë e një sërë përpjekjesh për ngritjen e kapaciteteve për të rritur rolin e medias në fushatat e ndërgjegjësimit të publikut dhe në vlerësimin e nevojave për ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve në lidhje me raportimin cilësor. Vizita e parë për mediat u organizua në Beograd, në dhjetor të vitit 2022. Vizita në Stokholm u organizua me mbështetjen e ambasadës së Suedisë në Tiranë, Unionit Suedez të Gazetarëve, televizionit suedez SVT, policisë suedeze, Agjencisë Suedeze të Kontingjenteve Civile dhe Projektit kundër Dhunës në Suedi. Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të AVL-ve” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. [1] https://www.seesac.org/f/docs/publications-salw-control-roadmap/Regional-Roadmap-for-a-sustainable-solution-to-the.pdf
Kthimi në dialog kuptimplotë thelbësor për forcimin e qëndrueshmërisë dhe rritjen e sigurisë, thotë Kryesuesi i Radhës i OSBE-së Borg pas përfundimit të vizitës në Kosovë
Publishing date: 12 prill 2024
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: OSCE Chairpersonship, Misioni i OSBE-së në Kosovë
PRISHTINË, 12 prill 2024 – Kryesuesi i Radhës i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, përfundoi vizitën e tij një ditore në Kosovë, duke theksuar rolin kyç të OSBE-së në promovimin e dialogut, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit.
Fillon edicioni i gjashtë i Programit ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së në Prishtinë
Publishing date: 5 prill 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Më 4 prill në Prishtinë filloi edicioni i gjashtë i Programit ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së në Kosovë, iniciativë vjetore e krijuar për të zhvilluar aftësitë e gazetarëve të rinj në peizazhin mediatik që po evoluon me shpejtësi dhe të krijojë rrjet kolegësh gazetarë nga komunitete të ndryshme. Tetë gazetarë nga e gjithë Kosova do të angazhohen me organizatat lokale të gazetarëve, transmetuesit publikë, këshillat e mediave të shkruara, si dhe mediat hulumtuese në Prishtinë dhe Beograd nga data 13 deri më 18 maj 2024. Në fazën e dytë të programit, gazetarët do të vizitojnë Tiranën dhe Podgoricën në shtator, dhe do të takohen me mediat dhe institucionet atje. Gjatë programit, gazetarët e rinj do të fitojnë njohuri nga afër për standardet e raportimit profesional, etikën e gazetarisë, teknikat cilësore të raportimit, edukimin medial dhe informativ, si dhe respektimin e kodeve të etikës. Arlinda Osmanaj, zyrtare e programit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, tha se Programi ‘Media Fellowship’ shërben si mundësi e udhërrëfimit, që bashkon gazetarë të rinj nga komunitete të ndryshme dhe i pajis me mjete dhe rrjete thelbësore të nevojshme për sukses në peizazhin e sotëm dinamik të mediave duke lehtësuar lidhjet me gazetarë dhe ekspertë të shquar. “Duke qenë dëshmitare e rrugëtimeve të gazetarëve të shumtë, jam vërtet e lumtur të shoh këta gazetarë të rinj dhe të talentuar derisa trasojnë rrugën e tyre në këtë profesion të shenjtë. Me nisjen e tyre në rrugën e gazetarisë, këta individë janë gati për t’u bërë zëra shumë të rëndësishëm, duke formësuar kështu diskursin publik, duke mbrojtur lirinë e shtypit dhe duke mbrojtur qasjen në informacione të besueshme”, tha Osmanaj. Gazetarët e përzgjedhur për programin e këtij viti janë: Adelina Ahmeti, Kallxo.com; Antigonë Isufi, Prishtina Insight; Rrezon Gashi, KOHA; Arbrëshë Uka, Klan Kosova; Sandra Dobrić, Kontakt Plus; Edona Vuçitërna, Klan Kosova; Predrag Perović, Radio Kosovska Mitrovica; dhe Biljana Vlašković, KoSSev. Programi ‘Media Fellowship’, i nisur në vitin 2017, shërben si platformë për të kultivuar talentin e gazetarëve vendor, duke promovuar barazinë gjinore barazinë gjinore në këtë fushë, dhe është një angazhim i Misionit në punën e tij për të mbështetur zhvillimin e mediave dhe për të nxitur një peizazh të larmishëm gazetaresk në Kosovë. Deri më tani, ka mirëpritur 46 gazetarë nga komunitete të ndryshme në Kosovë, secili duke kontribuar me perspektiva dhe përvoja të veçanta në Programin ‘Media Fellowship’.