Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së trajnon policinë shqiptare për çaktivizimin e armëve të zjarrit
Publishing date: 9 mars 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 8 dhe 9 mars 2023, Prezenca e OSBE-së organizoi një trajnim teknik për tetë punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët janë përzgjedhur për t’u përfshirë në proceset e çaktivizimit, kontrollit, verifikimit, markimit dhe certifikimit të armëve të zjarrit. Trajnimi u bazua manualin “Udhëzuesi operacional për verifikuesit që inspektojnë armët e zjarrit të çaktivizuara”. Manuali u hartua me ndihmën e Prezencës, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e kuadrit ligjor të çaktivizimit, krijimin dhe zbatimin e një mekanizmi funksional për çaktivizimin e armëve të zjarrit, si edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare në këtë drejtim. Trajnimi mbuloi të gjitha proceset teknike, përfshirë kontrollin, markimin, certifikimin dhe mbajtjen e të dhënave. Ai u përqendrua në zhvillimet rajonale e ndërkombëtare dhe në praktikat më të mira për çaktivizimin e armëve të zjarrit. Hartimi i manualit dhe organizimi i trajnimit u zhvilluan si pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. Projekti do ta ndihmojë Policinë e Shtetit edhe për të përmirësuar mjediset e Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik, do të blejë pajisjet e nevojshme për çaktivizimin e armëve të zjarrit, si edhe do të rrisë kapacitetet e personelit.
Prezenca e OSBE-së trajnon policinë për zgjedhjet vendore të 14 majit
Publishing date: 6 mars 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Zgjedhjet, Policimi, Reforma dhe bashkëpunimi ushtarak
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe me mbështetjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, filloi sot trajnimin e punonjësve të policisë, që do të jenë të ngarkuar me detyra në zgjedhjet vendore të 14 majit. Trajnimet, të cilat do të vijojnë deri në mesin e muajit prill, do të adresojnë rolin e policisë në proceset zgjedhore. Në ceremoninë e çeljes së trajnimeve, Kryetari i Prezencës, ambasadori Guido De Sanctis, tha: “Si kryetari i ri i Prezencës së OSBE-së jam i lumtur t’i jap një vrull të ri mbështetjes së vijueshme që Prezenca e OSBE-së u jep institucioneve shqiptare në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve në përputhje me praktikat e njohura ndërkombëtare dhe rekomandimet e OSBE/ODHIR-it. Këtë trajnim mbi administrimin zgjedhor ne e ofrojmë çdo vit zgjedhor, si pjesë e mbështetjes tonë për forcimin e kapaciteteve institucionale. Ju nxis që ta zbatoni sa më mirë në praktikë atë që do të mësoni dhe shkëmbeni me njëri-tjetrin këtu”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha: “Falënderoj ambasadorin për mbështetjen e vijueshme që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka dhënë dhe po i jep Policisë, mbështetje e cila faktohet edhe sot, përmes këtij trajnimi të organizuar për punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, falënderoj Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Celibashi dhe Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela, për angazhimin e tyre në këtë trajnim të domosdoshëm. Siguroj qytetarët, subjektet politike, dhe partnerët tanë se Policia e Shtetit do të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin”. Edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Prokurori i Përgjithshëm iu drejtuan të pranishmëve, duke vënë në dukje rolin dhe rëndësinë e ruajtjes së standardeve për krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, në mënyrë që ata të votojnë të lirë. Nga data 6 deri më 8 mars 2023, do të trajnohen rreth 125 drejtues të nivelit të lartë dhe të mesëm, përfshirë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të policisë, drejtorët e departamenteve, drejtorët vendore të policisë dhe ata të kufirit, si edhe shefat e komisariateve dhe zëvendësdrejtorët e drejtorive vendore të policisë. Nga 13 deri më 20 mars, do të trajnohen rreth 170 trajnerë, të cilët do të trajnojnë, më pas, rreth 6 000 punonjësit e policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore. Po ashtu, Prezenca e OSBE-së planifikon të prodhojë disa fletëpalosje informuese, të cilat do të shpërndahen në disa pika të kalimit kufitar, për zgjedhësit shqiptarë me banim jashtë vendit që do të vijnë për të votuar në Shqipëri. Prezenca e OSBE-së i organizon këto trajnime që prej vitit 2005, duke i dhënë një rol gjithnjë e më të madh Policisë së Shtetit në zhvillimin e tyre.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon takim rajonal në mbështetje të njësive të qenve policorë në Ballkanin Perëndimor
Publishing date: 28 shkurt 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Kontrolli i armëve, Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve, Policimi
Më 22-24 shkurt 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi, në Korçë, një takim rajonal ekspertësh për përmirësimin e kuadrit rregullator të njësive të qenve policorë. Veprimtaria mblodhi përfaqësues të këtyre njësive nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Beogradi, Shkupi, Prishtina, si dhe ekspertë nga Franca dhe nga Mbretëria e Bashkuar. Takimi rajonal synoi forcimin e bashkëpunimit rajonal, kalimin e dijeve dhe aftësive, si dhe përmirësimin e bashkërendimit mes njësive të qenve policorë, që mbështeten nga projektet e OSBE-së. Ai u organizua si pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor. “Rëndësia e kësaj veprimtarie qëndron te mbështetja sipas nevojave për autoritetet e Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e tyre profesional, përmirësimin e ekspertizës dhe të aftësive të përgjithshme të Njësive të Qenve Policorë në zbulimin e përdorimit të paautorizuar, transportit dhe trafikimit të AVL-ve, municioneve dhe lëndëve plasëse,” tha Slobodan Boskovic, zyrtar i projektit në Njësinë e Mbështetjes së Forumit për Bashkëpunim të Sigurisë në Sekretariatin e OSBE-së. Pjesëmarrësit diskutuan për Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) të Institutit e Trajnimit të Qenve të Policisë së Shtetit, hartuar nën kujdesin e Prezencës së OSBE-së. Dokumenti, i cili përmban udhëzime specifike për kujdestarët e qenve, instruktorët, menaxherët dhe palët e interesuara, mbështetet në praktikat më të mira rajonale dhe standardet ndërkombëtare. Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me kriteret për kapacitetet kombëtare dhe rajonale dhe aftësitë e nevojshme për organizimin e konkurseve, që do zhvillohen nga autoritetet rajonale me mbështetjen e projekteve të OSBE-së. Takimi shërbeu edhe si një platformë rrjetëzimi ndërmjet zyrtarëve publikë dhe ekspertëve të qenve, duke pasur parasysh ngjashmëritë dhe sfidat në të gjitha juridiksionet e Ballkanit Perëndimor. “Takime të tilla kanë vlerë të madhe, jo vetëm për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe sfida mes homologëve të rajonit, por edhe për të diskutuar mbi zgjidhjet e mundshme të unifikuara në drejtim të proceseve dhe praktikave më të mira për përmirësimin dhe zhvillimin e njësive të qenve policorë”, tha Petrit Bushati, Shef i Seksionit të Mbarështimit dhe Stërvitjes në Institutin e Trajnimit të Qeneve të Policisë së Shtetit. Xhenis Ballco, zyrtare vendase e projektit të AVL-ve në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, tha: “Projekti i AVL-ve do të asistojë më tej Institutin e Trajnimit të Qenve të Policisë së Shtetit për të përmirësuar infrastrukturën e objekteve dhe zonave ekzistuese përreth. Gjithashtu, do të ofrojë automjete dhe pajisje të specializuara për transportin e qenve, si dhe do të sigurojë ngritje të vazhdueshme kapacitetesh të akredituara për zyrtarët e Institutit”. Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)” financohet nga Bashkimi Evropian, Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika e Francës.
Gjetjet e vlerësimit bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore në Shqipëri diskutohen në takimin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së
Publishing date: 3 shkurt 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Përfaqësues të institucioneve kombëtare përgjegjëse për inspektimin mjedisor, zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale u mblodhën në një takim konsultues, më 2 shkurt 2023. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila ka ndërmarrë kryerjen e një vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin, dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kombëtare. Në takim u paraqitën dhe u diskutuan gjetjet paraprake të vlerësimit bazë. Përfundimet dhe kontributi i dhënë nga institucionet, gjatë këtij takimi, do të përpunohen nga ekspertët e kontraktuar nga Prezenca e OSBE-së dhe do të përfshihen në vlerësimin bazë përfundimtar, që do t’u dorëzohet institucioneve. “Shkeljet mjedisore mbartin një kërcënim të madh kundrejt ekonomisë, natyrës e zhvillimit të turizmit dhe janë të ndërlikuara për t’u adresuar në aspektin ligjor, ndërinstitucional dhe teknik”, tha Aleksandar Maskovic, drejtues i Departamentit të Prezencës për Qeverisjen, Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore. Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme tha: “Shkeljet mjedisore duhen parë në kompleksitetin e tyre, si në aspektin administrativ dhe mandej në atë penal. Duhet të jemi të qartë se kriminalizimi i shkeljeve duhet të vijë vetëm si zgjidhje e fundit, pasi kjo shoqërohet me kosto”. Josif Shtëmbari nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha: “Shkeljet mjedisore janë kthyer në një prioritet të Policisë së Shtetit dhe kjo vihet re edhe nga rritja e numrit të rasteve të konstatuara dhe referuara në prokurori”. Takimi shërbeu si platformë për aktorët institucionalë për t’u mbledhur e diskutuar se si të punojnë në mënyrë më bashkëpunuese dhe efektive për çështjet mjedisore, duke nisur nga kuadri ligjor dhe institucional te kapacitetet, infrastruktura dhe më gjerë. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe i sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të qeverive franceze dhe norvegjeze.
Prezenca e OSBE-së organizon vizitë në Serbi për gazetarët shqiptarë që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe të armëve të vogla e të lehta
Publishing date: 23 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Misioni i OSBE-së në Serbi
Dhjetë gazetarë nga media të ndryshme në Shqipëri, që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe të armëve të vogla e të lehta (AVL), zhvilluan një vizitë në Beograd, nga 19 deri më 22 dhjetor 2022, për të mësuar rreth praktikave më të mira rajonale dhe për të shkëmbyer përvoja për çështjet e sigurisë dhe të AVL-ve. Në takime morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Policia e Shtetit, Komisioni Kombëtar i AVL-ve si dhe nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Kjo vizitë shkëmbimi përvojash u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi dhe me kontributin e Zyrës Qendrore për Evropën Lindore dhe Juglindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC) dhe të PNUD-it në Serbi. “Roli i medias në rritjen e ndërgjegjësimit për uljen e rrezikut nga armët e vogla dhe të lehta është pjesë thelbësore e projektit ‘Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të AVL-ve’”, tha Xhenis Ballco, zyrtare vendase e projektit. Gjatë vizitës, gazetarët shqiptarë u njohën nga anëtarët e “Rrjetit media kundër dhunës” se si ky rrjet, i përbërë nga 90 gazetarë, i ndihmoi ata për të përmirësuar cilësinë e raportimit. Po ashtu, ata patën mundësinë të ulen së bashku me autoritetet shqiptare, për herë të parë, e të diskutojnë se si të përmirësohet bashkëpunimi mes palëve të interesuara në këtë fushë. Gazetarët dhe zyrtarët shprehën angazhimin për të rritur dialogun mes tyre për çështjet që i shqetësojnë. Media është faktor kyç për informimin dhe edukimin e publikut, duke kontribuar drejtpërdrejt në objektivin e katërt të Udhërrëfyesit të Kontrollit të AVL-ve: “Deri në vitin 2024, të ulet ndjeshëm ofertën, kërkesën dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit përmes rritjes së ndërgjegjësimit, edukimit, shtrirjes dhe advokimit” [1]. Po ashtu, partneriteti me median është thelbësor për Prezencën e OSBE-në, si pjesë e mandatit dhe e përpjekjeve të saj për të promovuar lirinë e shprehjes. Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e rolit të medias në fushatat e ndërgjegjësimit të publikut dhe vlerësimin e nevojave të gazetarëve për ngritjen e kapaciteteve në lidhje me raportimin cilësor, mbështetur në praktikat më të mira të Ballkanit Perëndimor. Vizita do të pasohet me ngritjen e kapaciteteve dhe veprimtari të tjera mbështetëse për gazetarët. Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës. [1] https://www.seesac.org/f/docs/publications-salw-control-roadmap/Regional-Roadmap-for-a-sustainable-solution-to-the.pdf
Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese shpallin fituesit e konkursit për ankesat kushtetuese individuale
Publishing date: 14 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Arsimi, Rinia, Sundimi i ligjit
Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese shpallën sot fituesit e konkursit për hartimin ligjor të ankesave kushtetuese individuale. Në konkursin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese morën pjesë 27 studentë të drejtësisë nga universitete publike dhe shtetërore nga mbarë Shqipëria. Punimet e tyre u vlerësuan nga një komision i përbërë nga ish-gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese. Çmimet për fituesit u dhanë në një ceremoni, ku morën pjesë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Guido De Sanctis, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha dhe ish-anëtari i Gjykatës Përparim Kalo. Gjatë këtij viti, Prezenca zhvilloi trajnime për hartimin e ankesave kushtetuese individuale me 200 studentë të universiteteve publike të Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës. Projekti u mbështet në kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të bërë të njohur mekanizmin e ankesave kushtetuese individuale dhe për të trajtuar çështjet e cilësisë së dobët apo papranueshmërisë së ankesave. Reforma kushtetuese në drejtësi e vitit 2016, zgjeroi rrethin e subjekteve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në drejtim të ankimit kushtetues individual, duke mundësuar ankimet e individëve kundër çdo lloj akti të pushtetit publik që shkel të drejtat dhe liritë e tyre themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Masat ndaj trafikimit të personave nëpërmjet teknologjisë, në qendër të takimit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 14 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Ekspertë shqiptarë e të huaj u mblodhën sot, në Tiranë, për të diskutuar masat ndaj keqpërdorimit të teknologjisë nga trafikantët e qenieve njerëzorë ne Shqipëri. Tryeza u organizua nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të OSBE-së. Pjesëmarrësit nga agjencitë ligjzbatuese, prokuroritë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile folën për ndryshimet në legjislacionin vendas, përfshirë Mekanizmin Kombëtar të Referimit, në trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore të mundësuar përmes teknologjisë. Ata u ndalën veçanërisht te përmirësimet që mund të bëhen për të siguruar që platformat online të mos lehtësojnë veprimet e paligjshme të lidhura me trafikimin e personave, si dhe për të përshpejtuar komunikimin mes agjencive ligjzbatuese dhe kompanive teknologjike. Duke hapur takimin, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, tha: “Ju e dini nga raporte të shumta, përfshirë edhe kërkimet e vetë OSBE-së, se si teknologjitë moderne të komunikimit, si interneti, mediat sociale dhe aplikacionet, kanë ndryshuar vërtet mënyrën se si grupet e krimit të organizuar merren me trafikimin e qenieve njerëzore dhe trafikimin e migrantëve”. “Sot do të diskutoni jo vetëm për aspektet negative të teknologjisë moderne, por edhe për anët pozitive dhe mundësitë që ofron ajo. Do të njiheni me praktikat dhe efektet më të mira nga Shqipëria dhe vende të tjera të përdorimit të teknologjisë për të hetuar sa më mirë trafikimin e personave dhe për të identifikuar viktimat e trafikimit. Këto janë dy fusha ku Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është shumë e përkushtuar”, shtoi ajo. Në hapje të takimit folën edhe anëtari i Gjykatës së Lartë Sandër Simoni, Shefi i Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit Hergis Jica dhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike Igli Tafa. Veprimtaria ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera të Prezencës së OSBE-së për rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe shoqërisë civile në Shqipëri kundër trafikimit të qenieve njerëzore.