Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Diplomohen studentët e parë të Programit Master në Kriminologji, të mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 27 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Sundimi i ligjit
Një ceremoni për të diplomuar 30 studentët e parë që përfunduan programin Master në Kriminologji dhe për të falënderuar të gjithë ata që bënë të mundur këtë program u zhvillua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, më 27 shtator 2023. Programi Master – i themeluar në dhjetor 2020 me nismën dhe mbështetjen e Prezencës së OSBE-së – ka për qëllim të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve të drejtësisë penale, akademikëve dhe hartuesve të politikave në parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit në Shqipëri, në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe me angazhimet e OSBE-së. Ai është Masteri i parë Ekzekutiv në Shqipëri i përfshirë në ciklin e tretë të studimeve, që e bën atë të barabartë me një doktoraturë. “Sot, ne po korrim rezultatet e përpjekjeve tona, pas më shumë se pesë vitesh pune intensive. Masteri në Kriminologji ka dëshmuar tashmë potencialin e tij për të sjellë risi për vendin: duke u larguar nga një qasje klasike ndaj kriminalitetit, mbështetur te hetimi dhe ndëshkimi, dhe duke e zhvendosur fokusin te një qasje më gjithëpërfshirëse, restauruese dhe empirike”, tha ambasadori Bruce Berton, Kryetar i Prezencës së OSBE-së. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, tha: “Masteri ekzekutiv ka bërë të mundur zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e kriminologjisë dhe kjo do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të stafit akademik dhe të studentëve. Në zbatim të projektit të Prezencës së OSBE-së për krijimin e programit master, është përmirësuar infrastruktura akademike duke zhvilluar më tej përfshirjen e studentëve në kërkim shkencor”. Prej vitit 2019, Prezenca e OSBE-së dhe Fakulteti i Drejtësisë kanë punuar intensivisht për të zhvilluar strukturën dhe kurrikulën e programit, dhe për të ndërtuar kapacitetet dhe burimet e Universitetit të Tiranës për të ofruar dhe menaxhuar atë. Nëntëdhjetë studentët e regjistruar që prej fillimit në këtë program vijnë nga profesione të ndryshme. Ata janë kryesisht oficerë të policisë gjyqësore, avokatë mbrojtës, pedagogë të Akademisë së Sigurisë, punonjës të administratës së Kuvendit, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë të drejtësisë penale. Programi Master ofron një kurrikulë të integruar dhe gjithëpërfshirëse, e cila është e dobishme për ndjekjen e karrierave të ndryshme në sistemin e drejtësisë. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të Prezencës së OSBE-së “Për ngritjen e programit master në kriminologji”, i cili financohet nga Zyra për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, në Departamentin Amerikan të Shtetit, nga Misioni i SHBA-së në OSBE, nga ambasada britanike në Tiranë dhe nga qeveria e Italisë. Prezenca e OSBE-së e zbaton projektin në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Shkolla e Magjistraturës nis kursin e ri për legjislacionin mjedisor, zhvilluar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 26 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Arsimi, Mirëqeverisja, Rinia
Më 25 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës zhvilluan një ceremoni të përbashkët për të paraqitur një kurs të ri kushtuar legjislacionit mjedisor dhe mekanizmave detyrues për zbatim në mbrojtjen e mjedisit. Kursi semestral, pjesë e kurrikulës të formimit fillestar për studentët e magjistraturës, fokusohet tek aspektet penale, administrative dhe civile të legjislacionit mjedisor ndërkombëtar dhe vendas. Ai u hartua nga një ekip ekspertësh vendas dhe të huaj i krijuar nga Prezenca e OSBE-së. Në hapje të veprimtarisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, tha: “Kursi i ri do të fuqizojë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm që të jenë katalizatorë për ndryshime pozitive, duke siguruar që pasuritë natyrore të Shqipërisë të mbrohen dhe ruhen për brezat që do të vijnë”. Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, falënderoi Prezencën e OSBE-së për mbështetjen në hartimin e kursit dhe njoftoi se kursi është miratuar nga bordi i shkollës dhe do të nisë zbatimin gjatë këtij viti akademik. Duke marrë parasysh shqetësimet në rritje për shkelje dhe krime të organizuara ndaj mjedisit, kursi i ri do të mbështesë rritjen e kapaciteteve e prokurorëve dhe magjistratëve të ardhshëm për të trajtuar si duhet rastet mjedisore dhe për të sjellë autorët para drejtësisë. Kursi do t’i pajisë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm me njohuritë dhe mjetet për të adresuar sfidat mjedisore, për të nxitur zbatimin e ligjeve mjedisore dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që kërkojnë drejtësi në çështjet mjedisore. Kjo gjë do të çojë në rritjen e efektivitetit të reagimit të agjencive të zbatimit të ligjit ndaj kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore. Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështetë institucionet në përmirësimin e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri. Sigurimi i ekspertizës ndërkombëtare dhe kombëtare për zhvillimin e këtij kursi u mundësua në kuadër të projektit me financim të jashtëm “ Rritja e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore ”, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen financiare të Norvegjisë, Francës dhe Italisë.
Prezenca e OSBE-së Shqipëri organizoi Forumin IX vjetor për Zhvillimin e Medias
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi më 18 shtator 2023, edicionin e nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me sigurinë e gazetarëve, legjislacioni që prek mediat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e mediave në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend. “Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion,” tha ai. Në hapje të takimit folën edhe Adea Pirdeni, Zv.ministrja e Drejtësisë, Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasador Luigi Soreca, I ngarkuar me punë ad interim, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, dhe Giulia Re, Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Sesioni i dytë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore që lindin për shkak të përdorimit të zgjeruar të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në media në ditët e sotme. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve si mjet për luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e gazetarisë profesionale. Gjatë Forumit u mbajt një ceremoni e veçantë, gjatë së cilës u shpallën edhe fituesit e konkursit vjetor të Prezencës së OSBE-së për verifikimin e fakteve. Ata janë: Arbjona Çibuku nga Citizens Channel për artikullin e saj "Pylli orbital i Tiranës". Esmeralda Cenollari nga Faktoje.al për shkrimin e saj tërheqës "Bajpasi i Vlorës". Ilda Koçi, po ashtu nga Faktoje.al, për shkrimin e saj mendjemprehtë “Të gjitha rrugët e Shijakut të çojnë në Park, një faturë 40 milionë lekë për parkun që nuk ekziston!”. Konkursi i sivjetshëm u përqendrua në verifikimin e fakteve dhe përdorimin e të dhënave nga burime të hapura, përkrahjen e gazetarisë së bazuar në fakte, si dhe promovimin e përdorimit të të dhënave me burim publik dhe të aftësive solide për mbledhjen e lajmeve.
Prezenca e OSBE-së ndihmon parlamentin e Shqipërisë të forcojë lidhjen me qytetarët
Publishing date: 17 korrik 2023
Personeli i zyrave të komunikimit me zgjedhësit nga e tërë Shqipëria dhe zyrtarë të lartë të administratës së Kuvendit u mblodhën në Shkodër, më 14 dhe 15 korrik 2023, në një takim bashkërendues dhe trajnim. Veprimtaria u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, me synimin për të përmirësuar aftësitë e stafit të zyrave të deputetëve. Ditën e parë, pjesëmarrësit diskutuan për ecurinë e zyrave dhe mësuan nga përvoja e njëri-tjetrit. Ditën e dytë, ata morën pjesë në një trajnim të fokusuar te rritja e angazhimit të qytetarëve, afrimi i Kuvendit me të rinjtë, mundësimi i takimeve mes qytetarëve dhe deputetëve, mbajtja e të dhënave dhe përgatitja e vlerësimeve. Po, ashtu stafi i Kuvendit diskutoi për planet e disa veprimtarive në terren, të cilat do të zhvillohen me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, në qarqe si Gjirokastra, Saranda, Vlora, Dibra, Shkodra, Korça dhe Elbasani. “Ne vlerësojmë rolin e pazëvendësueshëm dhe domethënës të shërbimeve parlamentare. Mbështetja jonë është provë e përkushtimit afatgjatë për të krijuar një marrëdhënie me aktive dhe të shëndetshme mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Shoqëria civile dhe parlamenti kanë filluar të afrohen dhe, duke mbështetur nisma si kjo, ne jemi të vendosur ta ngushtojmë akoma më tej largësinë mes tyre”, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, tha në hapje të takimit. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj, theksoi se parlamenti është shtëpia e popullit dhe duhet t’i shërbejë atij edhe përmes zyrave zgjedhore, që janë ura lidhëse. Ai e konsideroi rolin e Prezencës së OSBE-së si të pazëvendësueshëm në këtë proces. Për më se një dekadë, Prezenca e OSBE-së ka punuar së bashku me Kuvendin e Shqipërisë për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e tij. Në vitet 2015-2016, Prezenca mbështeti hapjen e zyrave të komunikimit me zgjedhësit në Korçë dhe Shkodër dhe, prej asaj kohe, ka organizuar veprimtari për të konsoliduar besimin dhe bashkëpunimin mes deputetëve dhe komuniteteve vendore.
Prezenca e OSBE-së mundëson shkëmbimin e praktikave më të mira mes Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike në Shqipëri
Publishing date: 12 korrik 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Një seminar për shkëmbimin e praktikave më të mira të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) mes bashkisë së Elbasanit dhe atyre të Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit u zhvillua në Elbasan, më 12 korrik 2023. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi veprimtarinë në partneritet me Bashkinë e Elbasanit me qëllimin për të rritur efektshmërinë e KVSP-ve në trajtimin e çështjeve të sigurisë publike dhe për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve vendore dhe aktorëve joinstitucionalë në parandalimin dhe adresimin e sfidave të sigurisë në komunitet. “Që prej krijimit në vitin 2016 me mbështetjen e Prezencës, Këshilli Vendor i Sigurisë Publike i Elbasanit – i pari në Shqipëri – ka dëshmuar efiçencë mbresëlënëse në rritjen e sigurisë në komunitet. Ai tani është një shembull i praktikave më të mira, që mund të ndahen me KVSP-të e tjera në mbarë vendin”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të takimit. Ai theksoi se suksesi i KVSP-ve varet nga përfshirja aktive e të gjithë aktorëve – zyrtarëve vendorë, agjencive të zbatimit të ligjit, organizatave të shoqërisë civile, rinisë dhe medias. Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të lartë të Elbasanit, Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit, përfshirë kryetarët e këtyre bashkive, drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Elbasanit dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme, të organizatave rinore dhe të shoqërisë civile. Në diskutimet e tyre ata theksuan rëndësinë e KVSP-ve në parandalimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike dhe mënyrat më të mira që këto Këshilla të shërbejnë si urë mes policisë dhe institucioneve dhe komuniteteve në adresimin e shqetësimeve të sigurisë publike. Mekanizmat e sigurisë të ngritura nga KVSP-ja e Elbasanit, si edhe nismat e shoqërisë civile dhe të të rinjve për sigurinë publike u paraqitën, gjithashtu, gjatë takimit. Gledian Llatja, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, tha: “Ne nuk mundemi dot të jemi një ishull në qark apo një ishull në Shqipëri dhe prandaj duhet që këto struktura komunitare dhe këtë mënyrë funksionimi, eksperiencën e mirë dhe të keqe, ta ndajmë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një ambient më të sigurt jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë qarkun dhe, pse jo, në të gjithë Shqipërinë”. Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike – të ngritura në 56 nga 61 bashkitë e Shqipërisë – janë struktura me kompetenca këshillimore, në të cilat mblidhen aktorët vendorë si pushteti vendor, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, të rinjtë, drejtuesit fetarë dhe media, për të diskutuar dhe përmirësuar bashkëpunimin shumëpalësh në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Prezenca e OSBE-së ka mbështetur krijimin dhe funksionimin e tyre që prej vitit 2016 dhe do të vijojë t’i përkrahë këto mekanizma me synimin për të institucionalizuar më tej dhe për të fuqizuar rolin e tyre në rritjen e sigurisë në komunitet.
Shqipëria miraton një Mekanizëm të ri Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit, hartuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
Publishing date: 29 qershor 2023
Content type: News
Më 26 qershor, institucionet shtetërore shqiptare dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC) nënshkruan një Marrëveshje të re Bashkëpunimi për Mekanizmin Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR), hartuar falë asistencës teknike të Prezencës së OSBE-së në vitet 2022-2023. Marrëveshja e re, që synon të trajtojë llojet ekzistuese dhe të reja të trafikimit të qenieve njerëzore, përfshin të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar mbrojtjen e duhur për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në Shqipëri. Ajo është fryti i një analize të plotë të vlerësimit të nevojave dhe i konsultimeve me palët e interesuara shtetërore dhe të shoqërisë civile, të kryera nga Prezenca dhe Ministria e Brendshme, me qëllim përditësimin e kuadrit të MKR-së në përputhje me sfidat shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore, kuadrin ligjor dhe me angazhimet e OSBE-së. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton theksoi faktin se, “Për herë të parë në Shqipëri, Marrëveshja e MKR-së përfshin bordin këshillimor të viktimave të trafikimit nëpërmjet strehëzave për viktimat e trafikimit, e bën atë edhe më të dallueshëm dhe në përputhje me qasjen e OSBE-së për të pasur viktimat në qendër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. Pesëmbëdhjetë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe OSHC-ve e nënshkruan Marrëveshjen e re të Bashkëpunimit për MKR-në. Vlen të theksohet se numri i nënshkruesve është zgjeruar në krahasim me marrëveshjen e mëparshme, duke përfshirë institucione të tilla shtetërore si Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Inspektorati Shtetëror i Punës, Ndihma Juridike Falas, Agjencia Shtetërore e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe Shërbimi Shtetëror i Punësimit, si dhe OSHC që ofrojnë ndihmë të menjëhershme dhe afatgjatë për viktimat e trafikimit, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve në dispozicion për të rriturit dhe fëmijët viktima të trafikimit. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë t’i ofrojë mbështetje teknike institucioneve shtetërore në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për MKR-në nëpërmjet ofrimit të udhëzimeve dhe trajnimeve specifike.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet agjencitë ligjzbatuese shqiptare për forcimin e kapaciteteve hetimore në luftë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar
Publishing date: 27 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Transnational Threats Department
Në datat 26-27 qershor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një program trajnimi dy-ditor për shtatëmbëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Shtetit (PSH), Byrosë Kombëtare të Hetimit (NBI) dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Veprimtaria e trajnimit u mbajt me mbështetjen e Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, si dhe të organeve ligjzbatuese të shtetit italian, sikurse Policia e Shtetit, Guardia di Finanza dhe Grupi i Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierëve. Programi i trajnimit synonte forcimin e kapaciteteve të përgjithshme hetimore dhe operacionale të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Gjatë trajnimit u trajtuan tema të tilla si instrumentet legjislative të BE-së në përgjithësi dhe Platforma Shumëdisiplinore Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT) me në qendër rrjetet kriminale me rrezikshmëri të lartë në veçanti, veprimet operacionale që përfshijnë Ballkanin Perëndimor, hetimi financiar dhe penal i rrjeteve të krimit të organizuar transnacional, analiza e të dhënave dhe përdorimi i teknikave speciale të hetimit, si dhe lidhjet mes korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional. Kjo veprimtari u organizua nga Departamentet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për Bashkëpunim për Sigurinë dhe për Qeverisjen për Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore. Ajo u mbajt në kuadër të projekteve të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje zbatimit të ligjit shqiptar për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal” dhe “Veprim i Konsoliduar kundër Korrupsionit në Shqipëri”. Këto projekte synojnë t’i vijnë në ndihmë agjencive ligjzbatuese shqiptare në fuqizimin e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit, mësimin nga praktikat më të mira të organeve simotra evropiane, si dhe mbështetjen e zhvillimit të Policisë së Shtetit dhe reformimit të saj.