Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet SPAK-un dhe Gjykatat e Posaçme në forcimin e kapaciteteve hetuese dhe gjykuese
Publishing date: 27 tetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 26 dhe 27 tetor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim për “Hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik”. Trajnimi u hartua mbështetur në fushat me interes të identifikuara nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilët ishin përfituesit kryesorë të kësaj veprimtarie. Trajnimi synoi rritjen në tërësi të kapaciteteve të prokurorëve të SPAK-ut dhe të Gjykatave të Posaçme për të kryer hetime për korrupsionin e nivelit të lartë dhe grupet transnacionale të krimit të organizuar. Ai u përqendrua te rreziqet e lidhura me procedurat e prokurimit, risitë ligjorë, teknikat e posaçme në hetimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik, koncesionet dhe partneritetet publik-privat, dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fushë, edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë trajnimit u diskutuan edhe raste studimore. Në fjalën e tij në hapje të trajnimit, drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha: “SPAK u ka kushtuar një vëmendje të veçantë veprave penale të kryera në kuadër të korrupsionit të funksionarëve publikë, ku përfshihen edhe ato në fushën e prokurimit publik. Qasja e re e ndjekur konsiston në rritjen e efektivitetit të hetimeve nëpërmjet rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në fushën e hetimeve financiare. Nga ana tjetër, formulimi ligjor i veprave penale përkatëse mund të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme”. Trajnimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve ndërdepartamentale të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë për të çuar përpara zbatimin e reformës anti-korrupsion në vend dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet kryesore të drejtësisë dhe shoqatat e shoqërisë civile që punojnë me sistemin gjyqësor, përmes aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së. Prezenca e OSBE-së është një partnere afatgjatë e sistemit gjyqësor, me mbështetjen e saj të vijueshme në procesin e zhvillimit profesional. Prezenca do të vijojë të mbështesë konsolidimin dhe funksionimin e efektshëm të institucioneve të drejtësisë.
Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizojnë konferencën kombëtare për votimin nga jashtë vendit
Publishing date: 19 tetor 2023
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizuan konferencën kombëtare të nivelit të lartë “Votimi nga jashtë vendit – rruga përpara”, më 19 tetor 2023. Konferenca shërbeu si një platformë diskutimesh se si Kuvendi mund të adresojë boshllëqet ligjore në Kodin Zgjedhor të identifikuara nga Gjykata Kushtetuese, si edhe për elementë të tjerë thelbësorë të votimit nga jashtë vendit. Në të morën pjesë deputetë, partitë kryesore politike, institucionet shtetërore, përfaqësues të diasporës, aktivistë të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë. “Votimi nga jashtë vendit është një çështje si parimore, edhe praktike. Shqipëria e ka adresuar pjesën e parë të çështjes, duke rregulluar në parim të drejtën e qytetarëve të saj, që jetojnë jashtë, për të votuar. Ajo që mbetet sfidë është si të sigurohet ushtrimi i duhur dhe i efektshëm i kësaj të drejte në sensin praktik, gjë që ka rezultuar e ndërlikuar. Koha është tani për të adresuar çështjet specifike sa i përket zbatimit të dakordësisë politike të arritur në vitin 2020”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të konferencës. Ai shtoi se është thelbësore që çdo vendim – qoftë lidhur me boshllëqet ligjore apo rregullimet praktike – të dalë nga një konsensus me bazë të gjerë, mbështetur te një vlerësim i gjithanshëm dhe te konsultimet gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët, që nga ata politikë, te shoqëria civile dhe diaspora. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha: “Amendimi i Kodit Zgjedhor është hapi i parë dhe sine qua non për të mundësuar votimin nga jashtë në zgjedhjet e përgjithshme për kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025. Ndaj, për sa institucionalisht si KQZ e kemi të mundur dhe të lejuar, nxisim pozitën dhe opozitën të dakordësohen mbi ndryshimet e kërkuara të Kodit Zgjedhor, në lidhje me votimin nga jashtë. Është me rëndësi që rregullat mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë, mbi mënyrën e votimit dhe mbi numërimin e votave, nxjerrjen e rezultatit dhe përllogaritjen e mandateve bazuar në këtë rezultat të miratohen sa më shpejt, mundësisht brenda këtij viti, ashtu sikurse Gjykata Kushtetuese ka vendosur”. Në hapje të veprimtarisë folën edhe ambasadorja e Zvicrës Ruth Huber, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian ambasadori Luigi Soreca dhe këshilltarja ekonomiko-politike e ambasadës së SHBA-së Allison Dyess. Ekspertë të sjellë nga Prezenca e OSBE-së dhe International IDEA i njohën pjesëmarrësit me standardet dhe modelet lidhur me regjistrimin e zgjedhësve që jetojnë jashtë, procesin e votimit dhe numërimit dhe përfaqësimin e zgjedhësve nga jashtë vendit. Konferenca ishte veprimtaria e parë e zhvilluar në kuadër të projektit “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, i cili financohet nga qeveritë e Suedisë, Zvicrës dhe Polonisë. Prezenca e OSBE-së do të mbështesë Kuvendin, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet e tjera shtetërore dhe aktorët politikë për përgatitjen e kornizës ligjore dhe administrative për zbatimin e suksesshëm të votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Prezenca e OSBE-së nis projektin për të çuar më tej reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri
Publishing date: 18 tetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Demokratizimi, Zgjedhjet
Më 17 tetor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantoi një projekt mbi reformën dhe proceset zgjedhore, që synon të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës në Shqipëri, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Projekti i OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri” financohet nga qeveritë e Suedisë, Zvicrës dhe Polonisë. Ai do të zgjasë deri në nëntor 2026. Objektivat kryesore të projektit përfshijnë mbështetjen e autoriteteve me ekspertizë dhe asistencë për zbatimin e votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare; kontribut në përmirësimin dhe depolitizimin e administratës zgjedhore nëpërmjet një trajnimi zgjedhor sistematik dhe profesional; dhe fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë. Për më tepër, projekti do të ndihmojë autoritetet shqiptare për të përmirësuar kapacitetet logjistike zgjedhore, duke kontribuar në modernizimin e kapaciteteve të trajnimit dhe të informimit dhe në rritjen e infrastrukturës teknologjike për zbatimin e duhur të votimit nga jashtë vendit. “Ky projekt shënon një gur kilometrik të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt forcimit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe garantimit që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të vlerësohet në procesin zgjedhor. Ai pasqyron përkushtimin tonë për të nxitur një proces zgjedhor që është transparent, gjithëpërfshirës dhe u përgjigjet nevojave dhe aspiratave të popullit shqiptar,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bruce Berton, gjatë prezantimit të projektit. Në veprimtari folën edhe ambasadori i Suedisë në Shqipëri Niklas Ström, ambasadorja e Zvicrës Ruth Huber dhe Shefi i Seksionit Politik dhe Ekonomik të Ambasadës së Polonisë Tomasz Frączkiewicz. “Kontributet bujare të qeverive tuaja e fuqizojnë më tej Prezencën për të ndihmuar partnerët tanë shqiptarë me një qasje më të thellë dhe më gjithëpërfshirëse në një sërë fushash. Ne e vlerësojmë thellësisht angazhimin tuaj vizionar dhe besimin e palëkundur në misionin tonë”, tha ambasadori Berton. Përfituesit kryesorë të projektit janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kuvendi i Shqipërisë dhe qytetarët shqiptarë. Puna e projektit do të kryhet në bashkërendim me partnerë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe me OSBE/ODIHR-in. Nisma është pjesë e synimit të përgjithshëm të Prezencës për të promovuar demokratizimin, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, si dhe për të konsoliduar institucionet demokratike, në përputhje me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së.
Prezenca e OSBE-së përfundon projektin trevjeçar për forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e transparencës së sistemit të prokurimit publik në Shqipëri
Publishing date: 5 tetor 2023
Forcimi i kapaciteteve, rritja e transparencës dhe promovimi i qeverisjes së mirë në prokurimet publike në Shqipëri ishte qëllimi i një projekti që Prezenca e OSBE-së zbatoi nga 1 shtatori 2020 deri më 30 shtator 2023. Projekti trevjeçar u financua nga qeveritë e Italisë, Francës dhe Sllovakisë. Në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Prezenca mbështeti hartimin e një kurrikule të re gjithëpërfshirëse me shumë module për prokurimin publik. Dokumenti trajton kuadrin legjislativ dhe aspekte të ndryshme të procedurave të prokurimit publik, me një fokus të shtuar në integritetin dhe mjetet e menaxhimit të riskut, të cilat janë thelbësore për një përdorim të efektshëm të fondeve publike. Si pjesë e projektit, 19 ekspertë morën pjesë në një program intensiv 10-ditor të trajnimit të trajnerëve për zhvillimin e kapaciteteve. Ata tashmë janë pjesë e grupit të trajnerëve të ASPA-s, që do të ofrojnë trajnime të vazhdueshme për rreth 2 000 zyrtarë të prokurimeve publike në të gjithë vendin. Trajnimi i parë, për 120 zyrtarë të prokurimit publik, u pilotua nga qershori deri në shtator 2023. Prezenca bashkëpunoi edhe me Shkollën e Qeverisjes Hertie në Berlin dhe Institutin Shqiptar të Shkencës për të mundësuar diskutimet teknike dhe kërkimin e pavarur për të identifikuar rreziqet dhe për të parandaluar korrupsionin në sektorë specifikë të prokurimeve publike, duke ofruar rekomandime përkatëse për palët e interesuara për të përmirësuar kuadrin operacional dhe atë të politikave. Gjithashtu, me përfshirjen aktive të shoqërisë civile, projekti u fokusua në rritjen e ndërgjegjësimit për prokurimin transparent dhe nevojën për masa efektive kundër korrupsionit. Kjo u bë përmes forumeve të ndryshme, të cilat promovuan idenë e transparencës së të dhënave, si një gur themeli për mbikëqyrjen e pavarur. Projekti përfundoi në shtator 2023 me një takim konsultativ me palët kryesore të interesit dhe përfituesit. Pjesëmarrësit diskutuan për mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të projektit dhe për sugjerime e rekomandime konkrete për institucionet se si të mbështesin rezultatet e projektit. Prezenca e OSBE-së mbetet e përkushtuar të mbështesë institucionet shqiptare dhe shoqërinë civile me asistencë teknike dhe ekspertizë për të çuar përpara reformën kundër korrupsionit në vend dhe për të forcuar qeverisjen ekonomike.
Prezenca e OSBE-së trajnon Policinë e Shtetit shqiptar mbi tendencat më të fundit në prodhimin, trafikimin e paligjshëm dhe shpërndarjen e drogave të reja sintetike
Publishing date: 29 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Policimi, Reforma dhe bashkëpunimi ushtarak
Katërmbëdhjetë punonjës të Policisë së Shtetit morën pjesë në trajnimin “Trafikimi i drogave sintetike- një kërcënim global në rritje”, që u zhvillua nga 27 deri më 29 shtator 2023. Trajnimi u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së Programi i Asistencës së Trajnimit për Hetimin Kriminal Ndërkombëtar (ICITAP), Administrata e SHBA për Zbatimin e Drogës (DEA), Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA) dhe Policia Gjyqësore Federale Belge. Gjatë trajnimit, hetuesit e Policisë së Shtetit u njohën me tendencat më të fundit në prodhimin, trafikimin e paligjshëm dhe shpërndarjen e drogave të reja sintetike, në nivel rajonal dhe global. Ata gjithashtu mësuan nga praktikat më të mira ndërkombëtare në hetimin dhe çmontimin e grupeve të krimit të organizuar të përfshira në trafikimin e paligjshme të drogave sintetike. Kjo veprimtari është pjesë e projekteve të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për zbatimin e ligjit shqiptar për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal”. Synimi është asistimi i agjencive ligjzbatuese shqiptare në zhvillimin e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit, mësimin nga praktikat më të mira dhe mbështetja e zhvillimit dhe e reformës në polici.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezanton metodologjinë e gjyqit imitues për çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore
Publishing date: 28 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Combating trafficking in human beings, Arsimi
Më 27 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës organizuan një trajnim trajnerësh për stafin akademik të Shkollës së Magjistraturës, gjyqtarë dhe prokurorë për t’i njohur ata me një metodologji për zhvillimin e gjyqit imitues në çështjet penale të trafikimit të personave. Seminari u ofroi pjesëmarrësve një sërë udhëzimesh mbi metodologjinë e gjyqit imitues, të përshtatur për kuadrin ligjor shqiptar. Kjo metodologji do të kontribuojë që gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të kuptojnë më së miri problematikat dhe sfidat tipike në çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore si edhe të mprehin aftësitë për trajtimin e këtyre çështjeve. Në hapje të takimit, ambasadori Bruce Berton, Kryetar i Prezencës së OSBE-së, tha: “Shkalla e trafikimit të qenieve njerëzore kërkon masa urgjente për të rritur ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së viktimave të trafikimit”. Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, theksoi rëndësinë dhe implikimet praktike të metodologjisë të bazuar te gjyqi imitues, e cila mund të përshtatet në programet e formimit të kësaj shkolle. Prezenca e OSBE-së po bashkëpunon me Shkollën e Magjistraturës në një sërë nismash për të mbështetur avancimin e njohurive mbi trafikimin e personave, si në formimin fillestar ashtu dhe në atë të vazhdueshëm. Këto përpjekje janë pjesë e projektit të Prezencës të financuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Norvegjisë dhe Italisë. Në kuadër të këtij projekti, Prezenca do të botojë edhe një manual për metodologjinë e gjyqit imitues.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet Byronë Kombëtare të Hetimit për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe për të mësuar nga praktikat më të mira rajonale
Publishing date: 28 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Countering terrorism, Reforma dhe bashkëpunimi ushtarak
Nga 26 deri më 28 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë shkëmbimi eksperiencash, në Rumani, për një delegacion të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me synim vendosjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet BKH-së dhe agjencive rajonale të zbatimit të ligjit. Delegacioni, i kryesuar nga drejtorja e BKH-së, Aida Veizaj, zhvilloi takime në Drejtorinë rumune për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, Drejtorinë Kombëtare kundër Korrupsionit dhe Qendrën e Evropës Juglindore për Zbatimin e Ligjit. Drejtorja e BKH-së dhe homologët e saj në Rumani theksuan se bashkëpunimi, shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit dhe hetimet e përbashkëta ndërmjet agjencive ligjzbatuese të dy shteteve janë thelbësore në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, të cilët janë shtrirë përtej kufijve. Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështesë Byronë Kombëtare të Hetimit në ndërtimin e kapaciteteve dhe konsolidimin efikas të funksionimit të saj.