Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Përmbyllet edicioni i 9-të i Akademisë së Dialogut për Gratë e Reja nga Prishtina dhe Beogradi i mbajtur në Strugë
Publishing date: 16 tetor 2023
Akademia e 9-të e Dialogut të OSBE-së për Gratë e Reja e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Serbi, përfundoi dje në Strugë, Maqedoni e Veriut.
Misioni i OSBE-së publikoi Udhëzuesin për raportim nga gjykata për gazetarët në Kosovë
Publishing date: 21 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Liria dhe zhvillimi i medias, Sundimi i ligjit
Prishtinë, 21 shtator 2023 – Misioni i OSBE-së publikoi sot një sërë udhëzimesh për raportim nga gjykata, për t’i ndihmuar gazetarët në Kosovë në punën e tyre dhe për të kontribuar në gazetarinë e përgjegjshme dhe të informuar. Udhëzuesi ofron mbështetje gjithëpërfshirëse për gazetarët që mbulojnë sistemin gjyqësor në Kosovë dhe nënvizon konsideratat etike dhe ligjore në raportimin mbi gjyqësorin.
Pjesëmarrëset e Akademisë së OSBE-së për Dialog përfundojnë vizitën studimore në Belfast
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Demokratizimi, Barazia gjinore, Rinia
Belfast dhe Prishtinë, 18 shtator 2023- Tetë studente, alumni të Akademisë së Dialogut të themeluar nga OSBE që bashkon gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi, përfunduan sot një vizitë studimi një javore në Irlandën e Veriut.
Misioni i OSBE-së i bashkon të rinjtë nga komunitete të ndryshme të Kosovës përmes sportit
Publishing date: 1 shtator 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e katërt të kampit multietnik të tenisit të organizuar në bashkëpunim me komunën e Graçanicës, duke mbledhur të rinj nga komunitete të ndryshme për ushtrime dhe lojëra. Në këtë edicion morën pjesë 20 të rinj nga komuniteti shqiptar, serb dhe ashkali të Kosovës nga komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Graçanicës. Të rinjtë mësuan rreth tenisit nën drejtimin e trajneres Marija Djordjevic dhe ushtruan për lojëra parakualifikuese në terrenet për lojëra të tenisit në Parkun e Gërmisë si dhe mësuan shkathtësitë e nevojshme të sportit, të cilat i treguan në ndeshjen finale në Graçanicë. Pas tri ndeshjeve finale, fituesit Marija Crvenković, Luka Filić dhe Viktor Radić u shpërblyen me medalje nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Graçanicës, Dušan Cvejić. "OSBE-ja prej kohësh është e përkushtuar në mbështetje të institucioneve në nxitjen e marrëdhënieve dhe dialogut më të mirë ndërmjet komuniteteve. Sporti është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar ura, për të rritur mirëkuptimin dhe për të promovuar respektin, duke sfiduar gjithashtu stereotipet”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport. Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić, falënderoi OSBE-në për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerësimin e përpjekjeve të komunës. “Komuna dëshmoi për të katërtin vit se qëndron për bashkëpunim. Mendojmë se mënyra më e mirë për të forcuar bashkëpunimin ndërkomunal është përmes të rinjve”. Drejtoresha e Qendrës Rinore në Obiliq, Zelushe Kelmendi, qendër që është pjesëmarrëse për të katërtin vit, theksoi se ky turne u mundëson të rinjve shoqërimin dhe thyerjen e barrierave ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Ky është viti i katërt radhazi që Misioni i OSBE-së mbështet kampin multietnik të tenisit, duke vazhduar me sukseset e viteve të mëparshme. Përveç ofrimit të një mundësie për një mjedis të shëndetshëm dhe mbështetës për lojtarët e rinj, kampi i ndihmon edhe në kapërcimin e barrierave gjuhësore dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Vë theks në fuqizimin e të rinjve përmes dialogut dhe aktiviteteve ndëretnike, duke njohur potencialin e tyre në promovimin e paqes dhe sigurisë.
Përmbyllet edicioni i 3-të i “Artfest,” mbajtur në Mitrovicën e Jugut me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë
Publishing date: 3 gusht 2023
“Artfest”, një festival treditor i artit dhe i të drejtave të njeriut për të rinjtë, i organizuar nga OJQ-ja Hapësina Shoqnore për Dekonstruksion (HSD) dhe i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, u përmbyll më 30 korrik 2023 në Mitrovicën e Jugut. Festivali, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së për të tretin vit radhazi, mblodhi më shumë se 200 fëmijë dhe të rinj të komuniteteve të ndryshme në rajonin e Mitrovicës. Gjatë festivalit, fëmijët dhe të rinjtë shprehën vizionin e tyre për një shoqëri gjithëpërfshirëse përmes krijimtarive të tyre me argjilë, vizatime, qepje, pikturim fytyrash dhe duke marrë pjesë në punëtori për ndërtimin e paqes. Gjithashtu, fëmijët dhe të rinjtë morën pjesë në aktivitete muzikore si dhe vizituan ekspozitën në Shoqatën e të Shurdhërve, “Mbishkrimi i Përkujdesit” ("Inscribing Care"), të artistes serbe Dunja Karanoviq. “Artfest ka bërë bashkë komunitetet e ndryshme përmes artit, të papenguar nga strukturat sociale dhe me bashkëpunime të mirëfillta ndërmjet komuniteteve. Ndonëse organizim formal, ndjesia e krijuar në Artfest është gjithëpërfshirëse dhe që të gjithë, fëmijë, prindër, studentë, gra, burra e të moshuar e kanë gjetur veten si pjesë përbërëse të këtij edicioni”, tha Besart Peci, aktivist i shoqërisë civile dhe një nga pjesëmarrësit. “Krijimet artistike nxjerrin në pah imagjinatën e fëmijëve dhe kjo është ajo çfarë mund ta arrijmë. Kjo e ka bërë më të bukur qytetin dhe jetën në përgjithësi”, ka shtuar ai. Me vullnetarë nga e tërë Evropa dhe nga OJQ-të lokale si HSD, Handikos, Bonevet, Community Building Mitrovica dhe Local Peace, festivali ofroi një mundësi unike për dialog dhe shkëmbim ndërmjet komuniteteve. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Promovon në mënyrë aktive qasjen gjithëpërfshirëse për të dëgjuar zërat e të rinjve dhe punon drejt zhvillimit të shkathtësive të të rinjve në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, vullnetarizmi, ngritja e vetëbesimit, të menduarit kritik, kohezioni social dhe dialogu.
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbyll serinë e punëtorive mbi dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për nxënës të shkollave të mesme
Publishing date: 8 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Më 31 maj 2023, Misioni i OSBE-së në Kosovë përfundoi serinë prej pesë punëtorish për nxënës të shkollave të mesme mbi dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual. Organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MESTI), punëtoritë kanë synuar pasurimin e mëtejmë të njohurive të pjesëmarrësve rreth këtyre temave dhe përgatitjen e tyre për të organizuar aktivitete të ngjashme për bashkëmoshatarët e tyre, pas një raundi prej pesë punëtorish te mbajtura vitin e kaluar. Pesë punëtoritë u mbajtën në Gjilan, Mitrovicë Jugore, Prishtinë, Gjakovë dhe Prizren dhe u ndoqën nga 71 nxënës të shkollave të mesme. Nxënësit mësuan rreth përkufizimeve të dhunës me bazë gjinore, sulmit seksual, ngacmimit seksual, shërbimeve në dispozicion dhe rëndësisë së raportimit të hershëm, si dhe rreth roleve të institucioneve të ndryshme në trajtimin dhe adresimin e rasteve të dhunës seksuale dhe ngacmimit seksual. “Bazuar në Anketën e OSBE-së për Sigurinë dhe Mirëqenien e Grave të publikuar në vitin 2019, pothuajse një e treta e të gjitha grave, ose 29%, thonë se kanë përjetuar të paktën një formë të ngacmimit seksual që nga mosha 15 vjeçare. Dhuna ndaj grave është veçanërisht e lartë tek nxënësit me 60%, dhe është shkak e pasojë e pabarazisë gjinore, e nxitur nga normat dhe qëndrimet ekzistuese”, tha Valentina Bejtullahu Turjaka nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. “Nga ana tjetër, ndonëse raportimi i hershëm i dhunës seksuale është thelbësor për të siguruar qasje në drejtësi për viktimat gjatë proceseve gjyqësore, ai mbetet i ulët kryesisht për shkak të mungesës së mbështetjes nga familja, shkolla dhe shoqëria, e ndjekur nga stigma dhe frika nga kërcënimi. Shumë nxënës nuk janë të vetëdijshëm se ngacmimi seksual është vepër penale dhe e dënueshme me ligj në Kosovë, dhe shumë prej tyre nuk kanë informacion mbi shërbimet në dispozicion dhe mekanizmat e raportimit. Prandaj, ndërgjegjësimi i gjeneratave të reja mbi këtë shkelje të ndjeshme të të drejtave të njeriut është domosdoshmëri për të thyer heshtjen, për të fuqizuar vajzat dhe për të parandaluar çdo formë diskriminimi dhe dhune mes tyre”, shtoi ajo. Gjatë punëtorive, përmes ushtrimeve në grup, pjesëmarrësit diskutuan edhe për metodologjinë dhe hartuan plan veprimi se si të organizojnë punëtori për bashkëmoshatarët e tyre. Deri më tani, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së dhe psikologëve të shkollave, nxënësit e trajnuar kanë organizuar 12 sesione informuese për dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për rreth 290 nxënës tjerë. Përveç kësaj, ata kanë krijuar edhe vepra arti dhe posterë me mesazhe mbi dhunën seksuale dhe mekanizmat e raportimit. Gjatë gjithë vitit 2023, me mbështetjen e psikologëve të shkollave, nxënësit do të organizojnë sesione informuese shtesë për dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për më shumë nxënës. Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Misioni i OSBE-së në Kosovë nis edicionin e 5-të të programit për gazetarë të rinj ‘Media Fellowship’
Publishing date: 22 maj 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur sot edicionin e pestë të Programit ‘Media Fellowship’, iniciativë kjo vjetore që synon të zhvillojë kapacitetet e gazetarëve të rinj dhe të krijojë rrjet kolegësh gazetarë nga komunitete të ndryshme. Tetë gazetarë nga e gjithë Kosova do të vizitojnë organizatat lokale të gazetarëve, transmetuesit publikë, këshillat e mediave të shkruara, si dhe mediat hulumtuese në Prishtinë dhe Beograd. Ata do të mësojnë nga afër për standardet e raportimit profesional, standardet e gazetarisë, raportimin cilësor, edukimin medial dhe informativ, si dhe respektimin e kodeve të etikës. "Programi ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së mbledh gazetarë të rinj nga komunitete të ndryshme, duke u dhënë atyre mundësi për t'u lidhur me gazetarë dhe ekspertë të njohur, si dhe duke i ndihmuar të zhvillohen në një ambient medial dinamik," tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Në rrugëtim e tyre drejt ngritjes profesionale, këta gazetarë të rinj do të formësojnë diskursin e ardhshëm publik dhe shpresoj se do të mbrojnë lirinë e shtypit dhe qasjen në informata të besueshme,” shtoi ai. Nisur në vitin 2017, me një ndërprerje dyvjeçare gjatë pandemisë, ‘Media Fellowship’ kultivon talentin e gazetarëve vendor, duke promovuar barazinë gjinore. Ai vazhdon të shërbejë si mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes gazetarëve nga komunitete të ndryshme, si dhe njohuritë e tyre për mënyrën se si funksionon media në rajon. Deri më tani, 38 gazetarë nga komunitete të ndryshme në Kosovë kanë marrë pjesë në program dhe i janë bashkuar të diplomuarve nga programi ‘Media Fellowship’. Gazetarët e përzgjedhur për programin e këtij viti janë: Shkodrane Dakaj, BIRN; Unitet Berisha, T7; Vlera Shabani, Kallxo.com; Zoran Saviq, KOSSEV; Dushica Stankoviq, Radio Kontakt Plus; Urosh Nikoliq, RTV Mir; Donjeta Zeqiraj, Telegrafi.com; si dhe Armand Hoti, ATV. “Doja të isha pjesë e Programit ‘Media Fellowship’, sepse mendoj se bashkëpunimi me gazetarë të tjerë në këtë program mund të jetë i dobishëm në shumë mënyra. Mund të shkëmbehen ide, të merren vlerësime për punën si dhe të fitohen njohuri nga këndvështrime të ndryshme. Këto ndërveprime mund të nxisin kreativitetin, të frymëzojnë këndvështrime të reja në storiet tona, si dhe të na ndihmojnë të përsosim aftësitë tona të shkrimit,” tha Shkodrane Dakaj nga BIRN. “Pritjet e mia nga kjo vizitë vlerësuese në media në Prishtinë dhe Beograd janë që do të kem mundësinë të shoh dhe të vërej se si funksionojnë mediat e mëdha. Ajo që më gëzon veçanërisht është se do të kem mundësinë të ndjek ndoshta program drejtpërdrejt në ndonjë televizion me frekuenca kombëtare. Si gazetare, besoj se kjo përvojë do të ketë shumë domethënie për mua në punën dhe avancimin tim në të ardhmen, sepse do të kem mundësinë të bisedoj me kolegë që kanë shumë vite, madje edhe dekada punë prapa tyre,” tha Dushica Stankoviq, gazetare në Kontakt Plus Radio. “Të qenit pjesë e këtij programi do të më ndihmojë shumë në punën time të ardhshme. E di që do të takoj njerëz me të cilët do të bashkëpunoj në të ardhmen. E vlerësoj edhe faktin që do të takoj edhe kolegë me të cilët do të ndajmë ide të ndryshme për punën tonë, por edhe përvojat tona,” tha Unitet Berisha nga T7. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.