Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe KQZ-ja nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit për forcimin e kapaciteteve të administratës zgjedhore, intensifikimin e bashkëpunimit
Publishing date: 17 tetor 2022
Content type: News
Më 17 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi rreth intensifikimit të bashkëpunimit për forcimin e kapaciteteve të KQZ-së me synim kryerjen e veprimtarisë së saj në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet më të mira ndërkombëtare. “Kjo marrëveshje simbolizon bashkëpunimin e fortë dhe të vazhdueshëm mes Prezencës së OSBE-së dhe KQZ-së. KQZ-ja ka qenë prej vitesh një nga partnerët kryesorë dhe më të besuar të Prezencës dhe për këtë arsye mbështetja ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë ndër përparësitë tona gjatë gjithë mandatit tim. Tri shkronjat e shkurtimit të KQZ-së duhet të lexohen ndryshe si Qëndrueshmëri, Efikasitet dhe Besueshmëri [në anglisht CEC: Consistency, Efficiency and Credibility]”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në fjalën e mbajtur në këtë veprimtari. Ai shtoi se një administratë zgjedhore e paanshme, e mirëpërgatitur dhe e mirëpajisur është thelbësore për integritetin e proceseve zgjedhore. “Në këtë kontekst, Prezenca është e gatshme që ta ndihmojë KQZ-në për përballimin e sfidave të lidhura me përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm”, tha ai. Në kuadër të reformës zgjedhore, Del Monaco theksoi se Prezenca e vlerëson rifillimin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe e nxiti atë të adresojë rekomandimet ende të patrajtuara të OSBE/ODIHR-it përmes një procesi të konsultuar gjerësisht. Ai tha se nga pikëpamja teknike dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, koha po shkurtohet gjithnjë e më shumë që ndryshimet thelbësore ligjore të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shprehu mirënjohjen për Prezencën e OSBE-së dhe e falënderoi ambasadorin Del Monaco për angazhimin e tij dhe vijueshmërinë e mbështetjes ndaj KQZ. “Jemi në fazë të rëndësishme të marrëdhënieve institucionale mes KQZ-së dhe OSBE-së dhe ky memorandum është konfirmimi i bashkëpunimit që KQZ-ja dhe Prezenca e OSBE-së kanë pasur deri tani. Besoj se do të kemi këtë nivel bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Kemi akoma shumë për të bërë, zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore janë shumë afër ndaj mbështetja e OSBE-së si një nga partnerët tanë të rëndësishëm do të ketë rolin e vet në miradministrimin e procesit zgjedhore”, tha Komisioneri Celibashi. Marrëveshja e nënshkruar sot përbën një themel të fortë për të ecur përpara me veprime dhe ndërhyrje të prekshme në një sërë fushash kyçe. Këto përfshijnë mbështetjen për KQZ-në për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ato që rrjedhin nga rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë; fuqizimin e kapaciteteve të saj profesionale për administrimin e zgjedhjeve, duke përfshirë aftësitë e trajnimit dhe të kontakteve informuese me votues; si edhe bashkimin e forcave për një bashkërendim më të mirë të asistencës ndërkombëtare për çështjet zgjedhore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka ofruar mbështetje të vazhdueshme autoriteteve shqiptare, përgjatë viteve, me qëllim realizimin e proceseve të reformës zgjedhore në mënyrë të dakordësuar, gjithëpërfshirëse dhe në kohë, si dhe ofrimin e asistencës teknike për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve.
Prezenca e OSBE-së organizon vizitë pune për institucionet shqiptare, në Kroaci, lidhur me personat e zhdukur gjatë regjimit komunist
Publishing date: 27 shtator 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Sundimi i ligjit
Përvoja e gjerë e Kroacisë në hetimin dhe gjykimin e rasteve të zhdukjeve me forcë mund t’i ndihmojë autoritetet shqiptare në çuarjen përpara të punës për identifikimin dhe gjetjen e eshtrave të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Me këtë qëllim, nga 21 deri më 23 shtator 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë studimore në Kroaci për përfaqësues të institucioneve kryesore në këtë fushë, si Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Policia Shkencore. Programi përfshinte një vizitë në Ministrinë për Çështjen e Veteranëve dhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe të Kriminologjisë të Kroacisë. Duke folur në takimin e organizuar në ministri, zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështjet e Veteranëve, Tomo Medved, ofroi mbështetjen e pakursyer të institucionit të tij për autoritetet shqiptare në përpjekjet e tyre për të bërë progres në identifikimin dhe gjetjen e eshtrave të të zhdukurve. Zyrtarë të kësaj ministrie e njohën delegacionin shqiptar me modelin kroat të kërkimit të personave të zhdukur, ndërsa përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Zagrebit dhe të Arkivave Shtetërore folën për rolin e tyre në procesin e kërkimit. Vizita u shërbeu ekspertëve shqiptarë, përfshi atyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të Policisë Shkencore, edhe për të krijuar lidhje me homologët kroatë për bashkëpunim të ardhshëm në çështjen e kërkimit të personave të zhdukur. Vizita u financua nga Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) dhe u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë për Çështjen e Veteranëve të Kroacisë, KAS-in dhe Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet mbajtjen e seminarit për shkëmbimin e përvojave të gazetarëve që mbulojnë veprimtarinë parlamentare dhe të ekipit të komunikimit të Kuvendit në Vjenë
Publishing date: 5 shtator 2022
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Të drejtat e njeriut, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias
Nga data 1 deri më 3 shtator, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështeti organizimin e një seminari për shkëmbimin e përvojave në Vjenë për gazetarët që mbulojnë veprimtarinë parlamentare në Shqipëri. Delegacioni përbëhej prej rreth një duzine gazetarësh nga media të ndryshme në Shqipëri, si dhe prej përfaqësuesve të Shërbimit të Komunikimit dhe Medias të Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë vizitës së shkëmbimit, grupi i profesionistëve të medias pati mundësinë të takohet me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, përfaqësues të Departamentit të Komunikimit dhe Deskut të Lajmeve të Parlamenti austriak, si dhe mori pjesë në një seminar për shkëmbimin e përvojave me përfaqësues të klubit austriak të shtypit, Presseclub Conkordia. Këto takime qenë një mundësi e mirë për gazetarët shqiptarë që të diskutonin me kolegët austriakë sfidat me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme. Po ashtu, patën mundësi që të shkëmbejnë përvoja lidhur me praktikat gazetareske dhe mbulimin e lajmeve nga parlamenti në shpërndarjen e informacionit për publikun. Veç kësaj, ata u njohën me punën e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias, roli i të cilit është që të shërbejë si një forum i paralajmërimit të hershëm për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe për mbështetjen e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së në respektimin e angazhimeve të tyre lidhur me lirinë e shprehjes dhe median e lirë. Takimin e fundit profesionistët e mbajtën me Ambasadoren e Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare me seli në Vjenë. Ambasadorja Eglantina Gjermeni, një ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ndau informacion dhe këndvështrime rreth rolin e Shqipërisë sa i përket çështjeve aktuale të paqes dhe sigurisë, si dhe qëndrimet e vendit në organizatat globale. Këto takime dhe shkëmbimi i pikëpamjeve dhe praktikave më të mira do të ndihmojnë për forcimin e lidhjeve të Shqipërisë me shtypin evropian dhe homologët ndërqeveritar. Nga ana tjetër, kjo përpjekje do të ndihmojë në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies më të madhe të Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet raportimit dhe përpjekjeve të përmirësuara të gazetarëve që mbulojnë punimet e organit legjislativ dhe komisioneve të tij. Kjo veprimtari u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
“Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri bashkojnë aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të përforcuar dialogun mes brezave përmes trashëgimisë kulturore
Publishing date: 31 gusht 2022
Content type: News
Në datat 24-28 gusht 2022, njëzet aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor u mblodhën në Tiranë dhe udhëtuan drejt Gjirokastrës për të diskutuar, mësuar dhe hulumtuar qasjet lidhur me ndërveprimin social dhe promovimin e demokracisë, paqes dhe sigurisë përmes dialogut mes brezave. Që nga viti 2017, “Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së kanë sjellë së bashku qindra të rinj nga rajoni për të krijuar një platformë të përbashkët për promovimin e vlerave demokratike, bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë. Edicioni i shtatë i “Shtigjeve Rinore” pati në qendër të tij dialogun mes brezave në formimin e ndërveprimeve sociale, promovimin e vlerave demokratike, krijimin e marrëdhënieve të mira dhe kontributin për paqen dhe sigurinë në nivel vendor dhe rajonal. Pjesëmarrësit diskutuan hendekun e komunikimit ndërmjet brezave dhe efektet e tij gjatë punës në grup, si dhe implikimet e përjetuara dhe rezultatet e punës në grup. Diskutimet u moderuan nga ekspertë të fushës dhe pjesëmarrësit u pajisën me njohuri dhe resurse për të reflektuar dhe vepruar në ndërtimin e urave të reja të komunikimit me bazë kulturore. Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit morën pjesë në seminare të ndryshme lidhur me temat e rrëfimit, rolin e gruas dhe dinamikat e pushtetit, si dhe ndërveprimin mes brezave, me qëllim reflektimin dhe nxjerrjen në pah të praktikave të mira, për të kuptuar si duhet ndikimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së komuniteteve, si dhe për rrjedhojë vetë procesin e demokratizimit. Pjesëmarrësit dëgjuan nga familjet vendase për sfidat e ruajtjes së konceptit të vjetër të familjes tradicionale në kontrast me jetën moderne, kontributin e figurave historike për lirinë, si për shembull intelektualja gjirokastrite Musine Kokalari. Ata e bënë këtë përmes fjalëve të njërës prej pasardhësve të saj, si dhe vizituan punishten e një marangozi që demonstroi zanatin e vjetër të punimit të drurit dhe sfidën për ta përcjellë këtë traditë brez pas brezi. “Më lanë shumë mbresa pikturat e arta në tavanet e shtëpive të vjetra gjirokastrite, sepse kur në to bie drita, rrëzëllimi që krijohet na kujtojnë bukurinë e ditës së re që duhet jetuar dhe festuar për të gjithë familjen”, tha një nga të rejat pjesëmarrëse. Një tjetër i ri pjesëmarrës foli për atë se si, “ruajtja e trashëgimisë kulturore fillon nga të kuptuarit e saj, të logjikës pas saj, si dhe të historisë që ajo mishëron”. “Kur të kthehem në shtëpi, do të kem shumë pyetje për t’i bërë gjyshes sime,” tha ai. Gjatë katër ditëve të mbushura me veprimtari, pjesëmarrësit punuan së bashku për të evidentuar elemente të trashëgimisë kulturore, parë këto në këndvështrimin e bashkëpunimit mes brezave, si dhe shqyrtuan mundësitë për ndërveprim ndërmjet brezave në komunitetet e tyre përkatëse. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, të rinjtë pjesëmarrës u takuan, ndër të tjerë, me Ambasadorin e Austrisë në Tiranë Christian Steiner, Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Albert Hani, Nënkryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Esmeralda Llongo, si dhe zyrtarin e Ambasadës Greke në Tiranë, Panagiotis Anagnostoupoulos. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi edicionin e shtatë të “Shtigjeve Rinore” me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, Ambasadave të Greqisë dhe Italisë në Shqipëri, si dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, RYCO-n dhe Misionet e tjera të OSBE-së në rajon.
Prezenca e OSBE-së zhvillon takimin “Të rinjtë flasin” mbi zhdukjet me forcë gjatë regjimin komunist në Shqipëri dhe rolin e të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore
Publishing date: 27 maj 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia, Sundimi i ligjit
Rreth 80 studentë të Universitetit të Korçës morën pjesë në një takim “Të rinjtë flasin”, të fokusuar në çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, më 26 maj 2022. Veprimtaria, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe nga Grupi Këshillimor Rinor i saj – kishte për qëllim rritjen e përfshirjes së të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore në rrugën drejt pajtimit me të kaluarën, konsolidimit demokratik dhe ndërtimit të paqes. Pas shfaqjes së një dokumentari për personat e zhdukur, studiues të kontraktuar nga Prezenca i njohën studentët me gjetjet e tyre në këtë fushë, me fokus të veçantë te gratë e zhdukura, aspektet ligjore dhe sociologjike të persekutimit politik dhe standardet ndërkombëtare. Grupi Këshillues Rinor foli për rolin e të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore dhe drejtoi diskutimet me studentët. Gjatë takimit, u diskutua në detaje shkeljet e rënda sistematike të të drejtave të njeriut gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, që çuan në mbi 6 000 persona të zhdukur. Të rinjtë mësuan se si qytetarët burgoseshin apo ekzekutoheshin pa një proces gjyqësor, se si një numër personash të burgosur humbën jetën për shkak të rraskapitjes, kequshqyerjes dhe sëmundjeve, e se si shumë fëmijë të lindur në kampet e punës së detyruar nuk u regjistruan kurrë dhe nuk mundën të mbijetonin në ato vende. Gjithashtu, ata u ndalën edhe në historitë e viktimave që humbën jetën në përpjekje për t'i shpëtuar regjimit duke u larguar nga vendi dhe që u ekzekutuan në pikat e kalimeve kufitare; të burgosurit që u ekzekutuan gjatë përpjekjes për të ikur nga vendet e paraburgimit; dhe individët e zhdukur gjatë shërbimit ushtarak. “Kërkimi dhe gjetja e personave të zhdukur është detyrim i një shteti sipas kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar. Që nga fillimet e konsolidimit të saj demokratik në vitet ‘90, Shqipëria ka bërë përpjekje të vijueshme për t'u marrë me të kaluarën e saj dhe fatin e të zhdukurve. Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë,” tha Cailean Maclean, Shef i Departamentit të Prezencës për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut. Ky ishte forumi i dytë rinor për çështjen e personave të zhdukur që Prezenca organizoi këtë vit. I pari u zhvillua me studentë të Universitetit të Tiranës, në muajin shkurt. Prezenca njeh rolin e brezave të rinj në formësimin e së ardhmes demokratike të vendit dhe punon për t'i bashkuar ata për të eksploruar çështjen e personave të zhdukur, rolin e të rinjve në drejtësinë tranzitore dhe në implikimet që ajo ka në diskursin publik mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe axhendën për Rininë, Paqen dhe Sigurinë në vend. Veprimtaria është pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” dhe i projektit “Të rinjtë në fokus II”, që financohet nga Agjencia Austriake e Zhvillimit, Ambasada Greke në Tiranë dhe Misioni i Përhershëm i Italisë në OSBE.
Prezenca e OSBE-së organizon Konferencën Ndërkombëtare rreth çështjes së të zhdukurve me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme
Publishing date: 14 dhjetor 2021
“Zhdukjet me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës autoritare, si dhe konteksti bashkëkohor: një vlerësim social, ligjor dhe historik i politikave dhe mekanizmave të tranzicionit dhe transformimit”, është kjo tema e një konference ndërkombëtare, që po mbahet në Tiranë dhe online në datat 13 deri më 15 dhjetor.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbledh institucionet e të drejtave të njeriut nga Ballkani Perëndimor
Publishing date: 9 dhjetor 2021
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi, më 9 dhjetor 2021, një tryezë rajonale për institucionet e pavarura të barazisë dhe të të drejtave të njeriut. Përfaqësues nga Ballkani Perëndimor diskutuan, në një takim me prani fizike dhe online, për rolin dhe ndërveprimin mes tyre lidhur me proceset gjyqësore.