Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
“Si të shoh? – Kosovë:” OSBE dhe DokuFest bashkojnë të rinjtë nga komunitete të ndryshme përmes kampit të shkëmbimit ndërkulturor
Publishing date: 8 maj 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me DokuFest-in, e kanë përmbyllur më 7 maj 2023 kampin e shkëmbimit ndërkulturor tetëditor si pjesë e nismës "Si të shoh? – Kosovë” (“How do I see you? – Kosovo). Aktiviteti bashkoi 14 të rinj nga komunitete, zona dhe prejardhje të ndryshme, me qëllim që të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe së bashku të zbërthejnë paragjykimet që mund të ndikojnë në dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Aktiviteti ka përfshirë vizita kulturore në mbarë Kosovën, takime me organizata që promovojnë shkëmbimet kulturore dhe dialogun, dhe eksplorim të edukimit medial dhe filmik si mjete për të shkëmbyer përvoja dhe për të tejkaluar dallimet. Pjesëmarrësit patën mundësinë që të sfidojnë pikëpamjet e tyre fillestare se çfarë do të thotë të jetosh në shoqëri shumëkulturore. Ata iu referuan kampit si mundësi e shkëlqyeshme për të njohur më mirë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, dhe për të zbuluar pasurinë e të qenit shoqëri e larmishme dhe gjithëpërfshirëse. “Falë kësaj mundësie, pata rastin të njihem me të rinj tjerë nga komunitete të ndryshme. Kemi shkëmbyer ide dhe pikëpamje dhe çka është më e rëndësishmja, e kemi ndarë këtë përvojë së bashku. Së bashku zbuluam vende të reja dhe u takuam me njerëz frymëzues. Tani mezi pres t'u them të gjithë miqve të mi se sa i mrekullueshëm ishte ky rrugëtim”, tha Doruntina Azemi, njëra nga pjesëmarrësit. Emre Ismaili, një tjetër pjesëmarrës, tha: “Ky kamp na ka bërë që t’i vlerësojmë nuancat e diversitetit”. Si rezultat i këtij aktiviteti, gjatë festivalit të filmit DokuFest i cili do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht 2023 në Prizren, do të organizohet ekspozitë me materiale audio dhe video nga intervistat e pjesëmarrësve me njëri-tjetrin. Këto intervista përqendrohen në këndvështrimet e tyre rreth dialogut ndërmjet dhe brenda komuniteteve, duke ilustruar rrugëtimin e tyre dhe “si e shohin ata njëri-tjetrin”. Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte nga mbështetësit e parë të DokuFestit që nga viti 2002, i cili përveç vetë festivalit punon edhe me të rinjtë në kinematografi për të zhvilluar produksionet e tyre personale kreative mbi dialogun dhe tregimet për të drejtat e njeriut.
Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon vizita në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare për nxënësit e shkollave fillore
Publishing date: 15 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Rinia, Toleranca dhe mosdiskriminimi
Për t’i mësuar nxënësit e shkollave për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe fetare, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi katër vizita për mbi 130 nxënës të shkollave fillore dhe mësuesit e tyre në lokacione të ndryshme në Prizren. Qëllimi i vizitave ishte që nxënësit nga komunitete të ndryshme të fitojnë më shumë njohuri për trashëgiminë kulturore dhe fetare, si dhe të kuptojnë dhe vlerësojnë diversitetin. Nxënësit vizituan Xhaminë e Sinan Pashës, Kishën Ortodokse Serbe të Shën Gjergjit, Katedralen Katolike të Zojës Ndihmëtare, si dhe kompleksin memorial të Lidhjes së Prizrenit. Ata u informuan për historinë e këtyre monumenteve dhe vlerën e tyre për shoqërinë, si dhe për rëndësinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së objekteve kulturore dhe fetare të komuniteteve të ndryshme. “Ruajtja e trashëgimisë së pasur dhe të larmishme në mbarë Kosovën kërkon mbështetje nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, ndërsa përfshirja e të rinjve në këtë ka rëndësi të madhe. Shpresojmë që vizitat si këto do të ndihmojnë në angazhimin për ruajtjen e tyre”, tha Kavya Rajan, Drejtore e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë. Liridon Agushi, mësimdhënës i historisë në Shkollën Fillore Ismail Luma në Lipjan nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite studimore për familjarizimin e nxënësve me trashëgiminë e larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë. “Falënderojmë OSBE-në për organizimin e kësaj vizite, e cila është e para e këtij lloji për shkollën tonë, e që ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që të kuptojnë dhe promovojnë multikulturalizmin dhe respektin për njëri-tjetrin.” Misioni i OSBE-së ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni në vazhdimësi mbështet angazhimin për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë.
Përmbyllet edicioni i 8-të i Akademisë së Dialogut të OSBE-së për Gratë e Reja në Mauerbach
Publishing date: 25 shtator 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Serbi
What we do: Barazia gjinore, Rinia
Akademia e 8-të e Dialogut e OSBE-së për Gratë e Reja, bashkë-organizim i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Misionit të OSBE-së në Serbi, u përmbyll më 25 shtator në Mauerbach të Austrisë. Në edicionin e sivjetmë të Akademisë morën pjesë njëzet e katër pjesëmarrëse nga Prishtina dhe Beogradi.
“Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri bashkojnë aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të përforcuar dialogun mes brezave përmes trashëgimisë kulturore
Publishing date: 31 gusht 2022
Content type: News
Në datat 24-28 gusht 2022, njëzet aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor u mblodhën në Tiranë dhe udhëtuan drejt Gjirokastrës për të diskutuar, mësuar dhe hulumtuar qasjet lidhur me ndërveprimin social dhe promovimin e demokracisë, paqes dhe sigurisë përmes dialogut mes brezave. Që nga viti 2017, “Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së kanë sjellë së bashku qindra të rinj nga rajoni për të krijuar një platformë të përbashkët për promovimin e vlerave demokratike, bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë. Edicioni i shtatë i “Shtigjeve Rinore” pati në qendër të tij dialogun mes brezave në formimin e ndërveprimeve sociale, promovimin e vlerave demokratike, krijimin e marrëdhënieve të mira dhe kontributin për paqen dhe sigurinë në nivel vendor dhe rajonal. Pjesëmarrësit diskutuan hendekun e komunikimit ndërmjet brezave dhe efektet e tij gjatë punës në grup, si dhe implikimet e përjetuara dhe rezultatet e punës në grup. Diskutimet u moderuan nga ekspertë të fushës dhe pjesëmarrësit u pajisën me njohuri dhe resurse për të reflektuar dhe vepruar në ndërtimin e urave të reja të komunikimit me bazë kulturore. Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit morën pjesë në seminare të ndryshme lidhur me temat e rrëfimit, rolin e gruas dhe dinamikat e pushtetit, si dhe ndërveprimin mes brezave, me qëllim reflektimin dhe nxjerrjen në pah të praktikave të mira, për të kuptuar si duhet ndikimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së komuniteteve, si dhe për rrjedhojë vetë procesin e demokratizimit. Pjesëmarrësit dëgjuan nga familjet vendase për sfidat e ruajtjes së konceptit të vjetër të familjes tradicionale në kontrast me jetën moderne, kontributin e figurave historike për lirinë, si për shembull intelektualja gjirokastrite Musine Kokalari. Ata e bënë këtë përmes fjalëve të njërës prej pasardhësve të saj, si dhe vizituan punishten e një marangozi që demonstroi zanatin e vjetër të punimit të drurit dhe sfidën për ta përcjellë këtë traditë brez pas brezi. “Më lanë shumë mbresa pikturat e arta në tavanet e shtëpive të vjetra gjirokastrite, sepse kur në to bie drita, rrëzëllimi që krijohet na kujtojnë bukurinë e ditës së re që duhet jetuar dhe festuar për të gjithë familjen”, tha një nga të rejat pjesëmarrëse. Një tjetër i ri pjesëmarrës foli për atë se si, “ruajtja e trashëgimisë kulturore fillon nga të kuptuarit e saj, të logjikës pas saj, si dhe të historisë që ajo mishëron”. “Kur të kthehem në shtëpi, do të kem shumë pyetje për t’i bërë gjyshes sime,” tha ai. Gjatë katër ditëve të mbushura me veprimtari, pjesëmarrësit punuan së bashku për të evidentuar elemente të trashëgimisë kulturore, parë këto në këndvështrimin e bashkëpunimit mes brezave, si dhe shqyrtuan mundësitë për ndërveprim ndërmjet brezave në komunitetet e tyre përkatëse. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, të rinjtë pjesëmarrës u takuan, ndër të tjerë, me Ambasadorin e Austrisë në Tiranë Christian Steiner, Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Albert Hani, Nënkryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Esmeralda Llongo, si dhe zyrtarin e Ambasadës Greke në Tiranë, Panagiotis Anagnostoupoulos. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi edicionin e shtatë të “Shtigjeve Rinore” me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, Ambasadave të Greqisë dhe Italisë në Shqipëri, si dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, RYCO-n dhe Misionet e tjera të OSBE-së në rajon.
Misioni i OSBE-së prezanton dokumentarë për të drejtat e njeriut në festivalin e filmit “DokuFest” në Kosovë
Publishing date: 10 gusht 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Demokratizimi, Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia
Mbrëmë, Misioni i OSBE-së në Kosovë prezantoi pesë dokumentarë të shkurtër mbi të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” që mbahet në Prizren.
Misioni i OSBE-së në Kosovë zgjeron edukimin për të drejtat e njeriut duke formuar Grupin e trajnuesve
Publishing date: 3 qershor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia
Misioni i OSBE-së në Kosovë po mbështetë edukimin për të drejtat e njeriut përmes trajnimit të ca prej të rinjve të shumtë që kanë përfituar nga programet e mëparshme të Misionit. Ky hap shënon një lëvizje nga praktika e deritanishme e mbajtjes së trajnimeve nga ana e OSBE-së tek një grup të rejash dhe të rinjsh të talentuar të cilët do ta përdorin ekspertizën e tyre në edukimin për të drejtat e njeriut për planifikim dhe realizim të aktiviteteve të propozuara nga Misioni dhe partnerë të tjerë institucionalë.
Misioni i OSBE-së zgjeron rrjetin e të rinjve të aftësuar mbi edukimin mediatik
Publishing date: 26 prill 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Arsimi, Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Më 26 prill 2022, Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli serinë prej dhjetë punëtorish mbi edukimin mediatik dhe të informacionit, si dhe edukimin për media digjitale për nxënës të shkollave të mesme. Këto punëtori fuqizuan nxënësit në mbarë Kosovën në përdorimin e aftësive të edukimit mediatik dhe të menduarit kritik për t’i identifikuar lajmet e rreme, dezinformimin dhe keqinformimin. Në dhjetë punëtoritë që filluan në mars të vitit 2022 morën pjesë gjithsej 260 nxënës nga 12 shkolla të mesme. Ky është viti i gjashtë radhazi që Misioni i OSBE-së organizon ligjërata me nxënës në temën e edukimit mediatik. Që nga raundi i parë i punëtorive në vitin 2017, Misioni ka trajnuar rreth 900 studentë dhe të rinj shqiptarë, serbë, boshnjakë, goranë, romë, ashkali, egjiptianë dhe turq të Kosovës. “Duke qenë se interneti është burimi kryesor i informacionit për të rinjtë në Kosovë, është thelbësore që ata ta kuptojnë rëndësinë e të qenit “gjenerata e epokës digjitale” dhe të zhvillojnë shkathtësi të mendimit kritik kur të ndërveprojnë me përmbajtjet në internet. Në këto punëtori të rinjtë janë pajisur me shkathtësi të edukimit mediatik që do të mund t'i përdorin në botën e sotme digjitale”, tha Arben Hajredinaj nga Seksioni i Mediave në Misionin e OSBE-së në Kosovë. Peizazhi aktual mediatik ka rritur nevojën për edukim mediatik. Në përgjigje të një situate të tillë, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar një sërë aktivitetesh për grupe dhe audienca të ndryshme, përfshirë programe edukative televizive, fushata dhe trajnime mbi edukimin mediatik dhe të informacionit për studentët e universiteteve publike dhe për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike, dhe ndihmon në mbrojtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.