Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon trajnim dyditor rreth trafikut të paligjshëm të armëve të zjarrit
Publishing date: 4 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 3 dhe 4 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi një trajnim dyditor me temë trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Sektorëve për Hetimin e Trafiqeve të Policisë së Shtetit Shqiptar në nivel qendror dhe vendor, prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Për organizimin e kësaj veprimtarie, Prezenca bashkëpunoi me Programin Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale (ICITAP) të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara. Dy ekspertë nga Zyra Federale e Policisë Kriminale Gjermane (BKA) dhe tre ekspertë nga Policia Kombëtare Holandeze me përvojë të bollshme në trafikimin e armëve të zjarrit prezantuan dhe ndanë përvojat, praktikat më të mira dhe studimet konkrete të forcave të tyre policore. Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë dhe diskutimit të hapur, ekspertët krijuan një platformë për bashkëpunim të mëtejshëm e të ngushtë dhe hetime të përbashkëta. Trajnimi kishte për synim të përmirësonte aftësitë dhe metodat hetimore e analitike të agjencive ligjzbatuese shqiptare, veçanërisht në marrjen e informacionit cilësor e të besueshëm, duke përdorur teknika hetimore speciale në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit. Kjo veprimtari u zhvillua në kuadrin e projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Mbështetja e agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit për të trajtuar në mënyrë efektive krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal V”, i cili synon të mbështesë e ndihmojë agjencitë ligjzbatuese shqiptare në luftimin e krimit të organizuar kombëtar e ndërkombëtar dhe krimeve të rënda në mënyrë efektive e në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë e rajonalë.
Prezenca e OSBE-së dhe Universiteti i Tiranës mbështesin kërkimin shkencor për krimin, shoqërinë, të drejtën penale dhe reformën në drejtësi
Publishing date: 10 qershor 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia, Sundimi i ligjit
Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së dhe Universitetin e Pavias organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare “Krimi, shoqëria, e drejta penale dhe reforma në drejtësi”, më 10 qershor 2024. Rreth 60 pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht për prirjet aktuale të krimit dhe përgjigjen e drejtësisë penale ndaj krimit, përmes parandalimit, kundërvënies, ndërgjegjësimit dhe rehabilitimit të autorëve. Pjesëmarrësit përfshinin studentë të Masterit në Kriminologji që kanë bërë kërkime shkencore, studentë të tjerë të këtij programi, staf akademik të fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale, studiues të njohur, gjykatës, prokurorë dhe kandidatë të doktoraturës. “Konferenca ka si qëllimin e saj kryesor përfshirjen e kërkuesve të rinj për të qenë pjesë e aktiviteteve shkencore cilësore. Ngritja e Qendrës Kërkimore të Kriminologjisë do të rrisë trajnimin e kërkuesve të rinj dhe do të ketë mundësi për të përfituar fonde në projekte studimi”, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha. Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, tha se përparësi e veprimtarive shkencore të qendrës do të jetë studimi i shkaqeve dhe i parandalimit të kriminalitetit, në të gjitha dimensionet e tij. “Programi Master në Kriminologji ka potencialin për të sjellë risi në Shqipëri, duke u larguar nga qasja klasike ndaj krimit, mbështetur te hetimi e ndëshkimi dhe duke i zhvendosur fokusin dhe përpjekjet te një qasje më gjithëpërfshirëse. Shpresojmë se një numër gjithnjë e më i madh profesionistësh të zbatimit të ligjit në Shqipëri do të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe do të përdorin të dhënat empirike për ta trajtuar krimin me efikasitet n një perspektivë moderne e shkencore”, tha Mauro Puzzo, drejtues i Departamentit të Prezencës së OSBE-së për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut. Në konferencë, folën edhe drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në ambasadën amerikane në Shqipëri, John Kastning si edhe akademikë të Universitetit të Pavias dhe të Institutit të Kriminologjisë të Universitetit të Kembrixhit. Konferenca u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Ngritja e një Programi Master në Kriminologji”, i cili mbështetet financiarisht nga Byroja e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Masteri në Kriminologji, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është një program shumëdisiplinor, i orientuar drejt kërkimit. Ai ofron një kurrikulë gjithëpërfshirëse e të integruar, që mundëson karrierën në fusha të ndryshme të sistemit të drejtësisë. Programi u mundëson studentëve të eksplorojnë ndërlidhjet mes krimit, drejtësisë dhe shoqërisë, në kontekst krahasues, si edhe promovimin e drejtësisë restauruese për viktimat dhe përgjigjet me në qendër viktimat. Përmes programit master, Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri në identifikimin e shkaqeve rrënjësore të krimit. Një nga arritjet e projektit është ngritja e Qendrës Kërkimore të Kriminologjisë, në Fakultetin e Drejtësisë. Nëpërmjet Qendrës, kërkimi shkencor do t'i nënshtrohet kontrollit të cilësisë dhe përputhshmërisë me kornizën ligjore, për të ofruar analiza të sakta mbi shkaqet rrënjësore, modelet, nxitësit e krimit dhe parandalimin e krimit. Kërkimi në kriminologji qëndron në qendër të teorisë së kriminologjisë, ndikon në zhvillimin e politikave sociale, publike dhe të sigurisë, si edhe informon praktikën e drejtësisë penale.
Prezenca e OSBE-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizojnë tryezë teknike për rritjen e rolit të organeve ligjzbatuese kundër shitblerjes së votës dhe shkeljeve të tjera zgjedhore në Shqipëri
Publishing date: 6 qershor 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Zgjedhjet, Sundimi i ligjit
Në funksion të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizuan, më 6 qershor 2024, një tryezë teknike për rritjen e rolit të organeve ligjzbatuese kundër shitblerjes së votës dhe shkeljeve të tjera zgjedhore. Tryeza shërbeu si një platformë për përfaqësuesit dhe ekspertët e agjencive e zbatimit të ligjit, institucioneve të tjera shtetërore dhe publike, shoqërisë civile, medias dhe organizatave ndërkombëtare për të diskutuar rreth përmirësimeve të mundshme të procedurave të hetimit dhe zbatimin e tyre në kohë, duke nxitur raportimin e qytetarëve dhe rritjen e bashkërendimit ndërmjet organet ligjzbatuese dhe institucionet përkatëse. “Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-s, tani është koha e duhur për të marrë në konsideratë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe adresuar këto çështje, për të rritur performancën e institucioneve shtetërore në trajtimin e shitblerjes së votës dhe shkeljeve të tjera zgjedhore”, tha ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së, në hapje të takimit. “Prezenca mirëpret çdo nismë që i jep përparësi luftës kundër krimeve zgjedhore, përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje sipas nevojës”, shtoi ai. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha: “Jemi në momentin që të kuptojmë se si mund t’i përmirësojmë çështjet e integritetit zgjedhor, duke adresuar problematikat që e cenojnë këtë integritet në mënyrën më të mirë të mundshme. KQZ-ja ka rolin e vet, por ka shumë për t’u bërë dhe nga institucionet e tjera”. Diskutimet në tryezë u përqendruan te gjetjet e raporteve të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it dhe rekomandimet e tyre për rritjen e integritetit dhe drejtësisë në zgjedhjet e ardhshme. Pjesëmarrësit analizuan efektivitetin e praktikave në trajtimin e shkeljeve zgjedhore në dy zgjedhjet e fundit, pas ndryshimeve ligjore të miratuara me konsensus të vitit 2020, duke identifikuar masat e suksesshme dhe fushat për përmirësim. Ata theksuan, gjithashtu, domosdoshmërinë e dialogut dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm midis të gjithë aktorëve për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm, si edhe rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit të publikut për pasojat e shitblerjes së votës dhe shkeljeve të tjera zgjedhore. Tryeza përfundoi duke vënë në dukje arritjet dhe sfidat në lidhje me përpjekjet institucionale për të adresuar shkeljet zgjedhore, të cilat kërkojnë zbatimin në kohë të rekomandimeve të diskutuara dhe punën e përbashkët drejt një sistemi zgjedhor më transparent dhe të drejtë në Shqipëri.
Prezenca e OSBE-së organizon trajnime të përbashkëta për qeverisjen mjedisore për inspektorë, policë dhe prokurorë në Shqipëri
Publishing date: 13 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Mirëqeverisja, Policimi, Sundimi i ligjit
Nga data 11 deri më 13 mars 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnoi mbi 40 oficerë policie, prokurorë, inspektorë dhe ekspertë të mjedisit lidhur me identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve mjedisore. Pjesëmarrësit, që vinin nga qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Dibrës, mësuan përmes studimit të rasteve, ushtrimeve simuluese dhe punës në grupe, që kishin për qëllim forcimin e karakterit ndërinstitucional të çështjeve mjedisore. Mbështetur në ekspertizën e tre trajnuesve, dy të huaj dhe një vendas, pjesëmarrësit u njohën me risitë më fundit se si të adresojnë në mënyrë efektive sfidat mjedisore dhe si t’i hetojnë ato duke përdorur praktikat më të mira në rajon. Ata theksuan nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe mirëkuptim të ndërsjellë të roleve në nivel vendor në trajtimin e sfidave mjedisore. Inspektorët e mjedisit thanë se ndarja e paqartë ligjore mes institucioneve të ndryshme pengon punën e tyre gjatë inspektimeve në terren. “Prezenca ka promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional për të trajtuar kundërvajtjet dhe krimet mjedisore përmes përpjekjeve të ndryshme që përfshijnë inspektorët mjedisorë, policinë dhe prokurorinë. Qëllimi përfundimtar është që pjesëmarrësit të kultivojnë një kulturë bashkëpunimi, ekspertize të përbashkët dhe angazhimi proaktiv për t’u orientuar në kompleksitetin e inspektimit, identifikimit, parandalimit dhe ndjekjes penale të këtyre krimeve”, tha Elton Qëndro, oficer programi dhe menaxher projekti në Prezencën e OSBE-së. Trajnimet u mbështetën te vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore, si edhe te vlerësimi i nevojave për trajnim për qeverisjen mjedisore, të dy të zhvilluar me nismën e Prezencës. Këto veprimtari janë pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe financohet nga Norvegjia, Franca dhe Italia.
Prezenca e OSBE-së dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për të rritur aksesin në drejtësi për të gjithë
Publishing date: 22 shkurt 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Sundimi i ligjit
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory dhe Drejtori i Ndihmës Juridike Falas, Ergys Qirici, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, më 22 shkurt 2024, me qëllim përcaktimin e fushave me interes të ndërsjellë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Misioni i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas është të garantojë akses të barabartë në drejtësi për të gjithë njerëzit. Memorandumi është shprehje e mbështetjes së plotë të Prezencës për punën shumë të rëndësishme të kësaj agjencie të themeluar në vitin 2020. Siç parashikohet në dokument, Prezenca do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të Drejtorisë përmes trajnimeve për komunikimin me personat vulnerabël për organizatat e shoqërisë civile të licencuara për të ofruar ndihmë juridike falas, dhe do të mbështesë Drejtorinë të zhvillojë materiale për personat me shikim të dëmtuar dhe shtetasit e huaj. Gjithashtu, Prezenca do të mbështesë ngritjen e plotë të një klinike ligjore universitare në Universitetin e Elbasanit. Të dyja nismat synojnë rritjen e aksesit të publikut në drejtësi. Gjatë nënshkrimit, Prezenca e OSBE-së i dha Drejtorisë një manual të porositur nga Prezenca, i cili përmban metoda dhe teknika që do të zbatohen nga ofruesit e ndihmës juridike falas gjatë pritjes dhe komunikimit me grupeve e cenueshme. Në vitin 2022, Prezenca hartoi një udhëzues për komunikimin dhe pritjen e qytetarëve nga grupe të tilla, duke përfshirë të miturit, viktimat e dhunës në familje, pakicat (veçanërisht ato rome dhe egjiptiane) dhe personat me aftësi të kufizuara. Udhëzuesi shërbeu si material bazë për një trajnim për rreth 30 punonjës të Ndihmës Juridike Falas nga e gjithë Shqipëria, që Prezenca organizoi në nëntor 2023. Memorandumi u nënshkrua në kuadër të Javës për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë nga 15 deri më 22 shkurt 2024.
Gjykata Kushtetuese dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantojnë Udhërrëfyesin e parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese
Publishing date: 21 shkurt 2024
Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, prezantoi Udhërrëfyesin e parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, më 21 shkurt 2024. Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, avokatë, akademikë, profesionistë të së drejtës dhe partnerë ndërkombëtarë morën pjesë në veprimtarinë e organizuar, e cila u hap nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj dhe Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory. Udhërrëfyesi synon të përmirësojë cilësinë e ankimeve kushtetuese individuale, duke kontribuuar për rritjen e aksesit të qytetarëve në Gjykatë dhe për mbrojtjen më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore. Ai do t’i shërbejë stafit gjyqësor për të përmirësuar kapacitetet kërkimore dhe do të ndihmojë Gjykatën Kushtetuese për të standardizuar vendimet. Udhërrëfyesi do t’u shërbejë edhe avokatëve, praktikantëve të së drejtës dhe studiuesve të ligjit për të njohur dhe referuar në mënyrë efektive jurisprudencën e kësaj gjykate. Prezenca e OSBE-së e mbështeti hartimin e Udhërrëfyesit si pjesë e projektit të saj “Forcimi i shtetit së drejtës dhe promovimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri nëpërmjet mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese”, financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Greqia. Prezenca do të vazhdojë të mbështesë Gjykatën Kushtetuese në përpjekjet e saj për të rritur transparencën, aksesin dhe efikasitetin e veprimtarisë së saj si edhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.
Diplomohen studentët e parë të Programit Master në Kriminologji, të mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 27 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Sundimi i ligjit
Një ceremoni për të diplomuar 30 studentët e parë që përfunduan programin Master në Kriminologji dhe për të falënderuar të gjithë ata që bënë të mundur këtë program u zhvillua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, më 27 shtator 2023. Programi Master – i themeluar në dhjetor 2020 me nismën dhe mbështetjen e Prezencës së OSBE-së – ka për qëllim të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve të drejtësisë penale, akademikëve dhe hartuesve të politikave në parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit në Shqipëri, në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe me angazhimet e OSBE-së. Ai është Masteri i parë Ekzekutiv në Shqipëri i përfshirë në ciklin e tretë të studimeve, që e bën atë të barabartë me një doktoraturë. “Sot, ne po korrim rezultatet e përpjekjeve tona, pas më shumë se pesë vitesh pune intensive. Masteri në Kriminologji ka dëshmuar tashmë potencialin e tij për të sjellë risi për vendin: duke u larguar nga një qasje klasike ndaj kriminalitetit, mbështetur te hetimi dhe ndëshkimi, dhe duke e zhvendosur fokusin te një qasje më gjithëpërfshirëse, restauruese dhe empirike”, tha ambasadori Bruce Berton, Kryetar i Prezencës së OSBE-së. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, tha: “Masteri ekzekutiv ka bërë të mundur zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e kriminologjisë dhe kjo do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të stafit akademik dhe të studentëve. Në zbatim të projektit të Prezencës së OSBE-së për krijimin e programit master, është përmirësuar infrastruktura akademike duke zhvilluar më tej përfshirjen e studentëve në kërkim shkencor”. Prej vitit 2019, Prezenca e OSBE-së dhe Fakulteti i Drejtësisë kanë punuar intensivisht për të zhvilluar strukturën dhe kurrikulën e programit, dhe për të ndërtuar kapacitetet dhe burimet e Universitetit të Tiranës për të ofruar dhe menaxhuar atë. Nëntëdhjetë studentët e regjistruar që prej fillimit në këtë program vijnë nga profesione të ndryshme. Ata janë kryesisht oficerë të policisë gjyqësore, avokatë mbrojtës, pedagogë të Akademisë së Sigurisë, punonjës të administratës së Kuvendit, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë të drejtësisë penale. Programi Master ofron një kurrikulë të integruar dhe gjithëpërfshirëse, e cila është e dobishme për ndjekjen e karrierave të ndryshme në sistemin e drejtësisë. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të Prezencës së OSBE-së “Për ngritjen e programit master në kriminologji”, i cili financohet nga Zyra për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, në Departamentin Amerikan të Shtetit, nga Misioni i SHBA-së në OSBE, nga ambasada britanike në Tiranë dhe nga qeveria e Italisë. Prezenca e OSBE-së e zbaton projektin në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.