Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvillon trajnime mbi qeverisjen mjedisore për inspektorët, policinë dhe prokurorët
Publishing date: 22 nëntor 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Environmental good governance
Nga data 18 deri më 21 nëntor 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një sërë trajnimesh që synojnë forcimin e kapaciteteve të prokurorëve, oficerëve të policisë dhe inspektorëve të mjedisit në trajtimin e krimeve mjedisore. Trajnimi, që u ndoq nga 52 pjesëmarrës nga Shkodra, Lezha, Kukësi, Berati, Korça dhe Elbasani, u fokusua në identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të shkeljeve mjedisore.
Prezenca e OSBE-së trajnon Policinë e Shtetit për hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore
Publishing date: 25 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Policimi
Më 25 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi një trajnim dyditor për Policinë e Shtetit mbi hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore. Në trajnim morën pjesë 17 oficerë policie nga të 12 drejtoritë vendore të policisë nga e gjithë Shqipëria, që mbulojnë policinë kriminale, sigurinë publike dhe njësinë e krimit mjedisor. Trajnimi u mbajt nga një grup ekspertësh të huaj e vendas. Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri mbi standardet vendase dhe ndërkombëtare për hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore në Bashkimin Evropian dhe në Shqipëri. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Njësisë Sllovake të Krimit Mjedisor, struktura e saj policore e oficerëve të policisë së krimit mjedisor dhe bashkërendimi i tyre ndërinstitucional. “Shpresojmë që trajnimi dhe diskutimet gjatë këtyre dy ditëve të jenë të dobishme për punën tuaj dhe të shërbejnë si një platformë për bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish midis të gjithë aktorëve të angazhuar në luftimin e shkeljeve mjedisore në Shqipëri”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, i cili hapi takimin së bashku me drejtorin e Departamentit për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati. Trajnimi bazohet në mbështetjen e Prezencës për qeverisjen dhe sigurinë mjedisore në Shqipëri dhe përfshirjen e saj aktive në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare për të adresuar sfida të tilla. Në vitin 2023, Prezenca hartoi dhe paraqiti një kurrikulë të re për legjislacionin mjedisor për Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri për programin e formimit fillestar 2023-2024. Në dhjetor 2023, Prezenca mbështeti një vlerësim të nevojave për trajnim për të gjithë zinxhirët institucionalë të ndëshkimit të krimit mjedisor dhe po punon për të adresuar disa nga këto nevoja në kuadër të projektit. Vlerësimi i nevojave për trajnim vuri në pah rëndësinë e programeve sistematike të trajnimit për nëpunësit civilë të institucioneve që merren me shkeljet mjedisore. Ai hodhi dritë mbi gjendjen aktuale, identifikoi boshllëqet në njohuri dhe aftësi dhe u hapi rrugën ndërhyrjeve strategjike që do të fuqizojnë institucionet në përpjekjet e tyre për të luftuar krimet mjedisore në mënyrë efektive.
OSBE-ja dhuron mjete kundër zjarrit për zonat e mbrojtura në Shqipëri
Publishing date: 3 maj 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, u dorëzoi administratave rajonale të zonave të mbrojtura të Kukësit dhe Dibrës mjete kundër zjarrit në natyrë, gjatë një ceremonie që u zhvillua në Peshkopi, më 3 maj 2024. “Ruajtja e zonave të mbrojtura, si ajo Korab-Koritnik, është një synim dhe angazhim i përbashkët. Ka shumë që ia vlen të mbrojmë këtu: mjedisin, njerëzit që jetojnë këtu dhe njerëzit që vijnë për të vizituar e për t’u rigjallëruar,” tha Pasztory. Në veprimtari, morën pjesë edhe zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Mbrojtur Daniel Pirushi, autoritetet vendore dhe zyrtarë nga Zyra e Koordinatorit të OSBE-së për Veprimtaritë Ekonomike dhe Mjedisore (OCEEA). Pajisjet- të blera në kuadër të projektit pilot të OSBE-së “Zonat e mbrojtura rezistente ndaj zjarrit: malet e Sharrit dhe zona e masivit të Korabit”- përbëhen nga një sistem zjarrfikës i motorizuar, ventilator ajri me energji elektrike, pompa shpine, mjete shumëfunksionale, fshesa zjarri, pishtar dore-flakëlëshues dhe kostume kundër zjarrit për 20 zjarrfikës. Projekti synon të përmirësojë menaxhimin e zjarrit në natyrë dhe përfshirjen e komunitetit në përpjekjet për parandalimin e zjarrit. Projekti mbështeti zhvillimin e një studimi paraprak për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë të lidhura me klimën, i cili identifikoi zjarret si një nga rreziqet e sigurisë. Duke u bazuar te ky studim, projekti mbështeti hartimin e një strategjie të përbashkët bashkëpunimi për ndryshimet klimatike dhe sigurinë në malet e Sharrit dhe në zonën e masivit të Korabit, si edhe planin e zbatimit të saj. Projekti pilot zbatohet në kuadër të projektit të OSBE-së me fonde jashtëbuxhetore “Forcimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore”.
Prezenca e OSBE-së organizon trajnime të përbashkëta për qeverisjen mjedisore për inspektorë, policë dhe prokurorë në Shqipëri
Publishing date: 13 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Mirëqeverisja, Policimi, Sundimi i ligjit
Nga data 11 deri më 13 mars 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnoi mbi 40 oficerë policie, prokurorë, inspektorë dhe ekspertë të mjedisit lidhur me identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve mjedisore. Pjesëmarrësit, që vinin nga qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Dibrës, mësuan përmes studimit të rasteve, ushtrimeve simuluese dhe punës në grupe, që kishin për qëllim forcimin e karakterit ndërinstitucional të çështjeve mjedisore. Mbështetur në ekspertizën e tre trajnuesve, dy të huaj dhe një vendas, pjesëmarrësit u njohën me risitë më fundit se si të adresojnë në mënyrë efektive sfidat mjedisore dhe si t’i hetojnë ato duke përdorur praktikat më të mira në rajon. Ata theksuan nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe mirëkuptim të ndërsjellë të roleve në nivel vendor në trajtimin e sfidave mjedisore. Inspektorët e mjedisit thanë se ndarja e paqartë ligjore mes institucioneve të ndryshme pengon punën e tyre gjatë inspektimeve në terren. “Prezenca ka promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional për të trajtuar kundërvajtjet dhe krimet mjedisore përmes përpjekjeve të ndryshme që përfshijnë inspektorët mjedisorë, policinë dhe prokurorinë. Qëllimi përfundimtar është që pjesëmarrësit të kultivojnë një kulturë bashkëpunimi, ekspertize të përbashkët dhe angazhimi proaktiv për t’u orientuar në kompleksitetin e inspektimit, identifikimit, parandalimit dhe ndjekjes penale të këtyre krimeve”, tha Elton Qëndro, oficer programi dhe menaxher projekti në Prezencën e OSBE-së. Trajnimet u mbështetën te vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore, si edhe te vlerësimi i nevojave për trajnim për qeverisjen mjedisore, të dy të zhvilluar me nismën e Prezencës. Këto veprimtari janë pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe financohet nga Norvegjia, Franca dhe Italia.
OSBE-ja mbledh të rinjtë dhe autoritetet vendore në Shqipëri për të nxitur angazhimin për cilësi më të mirë të ajrit dhe shëndetit
Publishing date: 12 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Rinia
Rreth 70 anëtarë të Këshillave Rinorë dhe të autoriteteve vendore nga bashkitë Elbasan, Shkodër dhe Roskovec morën pjesë aktive në një seminar trajnimi gjithëpërfshirës për përmirësimin e cilësisë së ajrit në komunitetet e tyre. Objektivi kryesor i seminareve, që u zhvilluan nga 5 deri më 12 mars 2024, ishte edukimi i të rinjve pjesëmarrës për shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit dhe nxitja e tyre për të propozuar masa dhe nisma për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Në sesionet e trajnimit pati prezantime nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, pikat fokale të bashkive dhe nga Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit (ETMI). Akad. asoc. Besnik Bare, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti një sesion të veçantë, ku theksoi lidhjen kritike midis ndryshimit të klimës, ndotjes së ajrit dhe shëndetit publik. Anëtarët e Këshillave Rinor njohën rolin e tyre kyç si avokatë për mbrojtjen e mjedisit brenda territoreve të tyre dhe u angazhuan për të ndarë njohuritë e fituara gjatë seminareve me të rinjtë e tjerë, veçanërisht me ata nga grupet e cenueshme. Veprimtaritë ishin pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të Zyrës së Koordinatorit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së me titull “Fuqizimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore”, i cili, në Shqipëri, bashkërendohet nga Prezenca e OSBE-së, me ETMI-n si partner zbatues.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon vizitë studimore në Sllovaki për zyrtarë të mjedisit dhe të zbatimit të ligjit
Publishing date: 31 janar 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Environmental good governance
Zyrtarë të mjedisit dhe të zbatimit të ligjit zhvilluan një vizitë studimore në Sllovaki me fokus inspektimin mjedisor dhe hetimin e krimeve mjedisore, më 30 dhe 31 janar 2024. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, si pjesë e përpjekjeve të saj për të rritur kapacitetet kombëtare në adresimin e sfidave të lidhura me qeverisjen dhe sigurinë mjedisore. Gjatë takimeve me homologët sllovakë, delegacioni prej 11 anëtarësh u njoh me standardet vendase dhe ndërkombëtare për sigurinë mjedisore dhe hetimin e krimit mjedisor në Sllovaki. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Njësisë Sllovake të Krimit Mjedisor, struktura e saj policore prej 200 oficerësh të policisë së krimit mjedisor dhe bashkërendimi i tyre ndërinstitucional. Delegacioni u prit nga zyrtarë të Departamentit për Zbulimin e Substancave të Rrezikshme dhe Krimin Mjedisor në policinë sllovake, Prokurorisë, Ministrisë së Mjedisit, autoriteteve doganore, Inspektoratit Shtetëror dhe Ministrisë së Bujqësisë së Sllovakisë. “Përafrimi i legjislacionit të krimit mjedisor është në një fazë të përparuar në Shqipëri. Megjithatë, zbatimi i tij kërkon një qasje të bashkërenduar strategjike mes institucioneve të ndryshme, ngritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës të punonjësve dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik”, tha Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani. Vizita studimore ishte pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Për rritjen e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri", i cili financohet nga Italia, Franca dhe Norvegjia. Vitin e kaluar, Prezenca zhvilloi një kurrikulë të re për legjislacionin mjedisor për Shkollën e Magjistraturës dhe mbështeti një vlerësim të nevojave për trajnime për të gjitha institucionet që merren me sigurinë mjedisore.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri paraqet gjetjet paraprake të anketës për qeverisjen mjedisore dhe të vlerësimit të nevojave për trajnim
Publishing date: 20 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Environmental good governance
Qeverisja mjedisore efektive dhe funksionale mbështetet në ekspertizën e gjerë teknike të institucioneve dhe angazhimin proaktiv publik. Duke njohur aspektet e ndërlikuara të sfidave mjedisore, Prezenca e OSBE-së po punon me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të respektimit të standardeve mjedisore për të forcuar kapacitetet e tyre teknike për trajtimin e shkeljeve mjedisore dhe për të rritur rolin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen mjedisore. Në këtë kontekst, si pjesë e përpjekjeve të saj të vazhdueshme, Prezenca e OSBE-së ka drejtuar punën për hartimin e dy dokumenteve të rëndësishme: një anketë e hapur për qeverisjen mjedisore dhe një vlerësim i nevojave për trajnim në të gjithë zinxhirin institucional që trajton shkeljet mjedisore. Më 19 dhjetor 2023, Prezenca prezantoi dhe diskutoi gjetjet paraprake të të dyja raporteve me 30 pjesëmarrës nga sfera të ndryshme, si prokurorë, inspektorë mjedisorë, zyrtarë policorë, nëpunës civilë dhe organizata të shoqërisë civile. Përmes këtij diskutimi teknik, u shtjelluan dhe thelluan më tej gjetjet paraprake, të cilat do të orientojnë dhe mbështesin punën e Prezencës për hartimin e programeve të posaçme të avancuara për trajnimin e institucioneve, si dhe për të ndërmarrë fushatat e ndërgjegjësimit publik për mjedisin. Në hapje të veprimtarisë, kreu i Departamentit për Qeverisjen në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Aleksandar Maskovic, tha: “Temat e diskutuara këtu do të ndihmojnë për të formësuar programet e ardhshme të trajnimit dhe, gjithashtu, do të kontribuojnë në zhvillimin e një strategjie të fuqishme dhe të bashkërenduar midis të gjitha palëve të interesuara.” Anila Leka, prokurore e Prokurorisë së Përgjithshme, nënvizoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të prokurorëve për shkeljet mjedisore, në përputhje me përpjekjet për rishikimin e të gjithë kodit penal të Shqipërisë. Anketa mbi qeverisjen mjedisore tregoi se 86% e të anketuarve kanë interes të lartë për të kontribuar për qeverisjen mjedisore në Shqipëri. Ndër të tjera, anketa trajtoi çështje të tjera të rëndësishme, si kryqëzimi i shkeljeve mjedisore me korrupsionin dhe gjininë. Rezultatet e sondazhit do të mbështesin Prezencën dhe palët e tjera të interesuara për të hartuar dhe zhvilluar fushata mjedisore të posaçme. Vlerësimi i nevojave për trajnim nënvizon rëndësinë e programeve sistematike të trajnimit për nëpunësit civilë të institucioneve që merren me shkeljet mjedisore. Ai hedh dritë mbi situatën aktuale, identifikon boshllëqet në njohuri dhe aftësi dhe përfundimisht u hap rrugën ndërhyrjeve strategjike që do të fuqizojnë palët përkatëse të interesuara në përpjekjet e tyre për të luftuar me efektivitet shkeljet mjedisore. Anketa dhe vlerësimi i nevojave për trajnim janë zhvilluar në kuadër të projektit me financim të jashtëm “Forcimi i qeverisjes dhe i sigurisë mjedisore në Shqipëri”, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe mbështetur nga qeveritë e Norvegjisë, Francës dhe Italisë.