Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së trajnon gazetarët për raportim të përgjegjshëm mbi armët e vogla, sigurinë dhe dhunën me bazë gjinore
Publishing date: 5 qershor 2025
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Njëmbëdhjetë gazetarë nga media të ndryshme morën pjesë në një trajnim për përmirësimin e cilësisë së raportimit mbi incidentet lidhur me armët e vogla dhe të lehta (AVL), me fokus të veçantë mbi dhunën me bazë gjinore, më 3 qershor 2025. Trajnimi ndërveprues u organizua nga Prezenca e OSBE-së si pjesë e mbështetjes së saj për përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të forcuar ndërgjegjësimin publik mbi rreziqet dhe keqpërdorimin e AVL-ve.
Prezenca e OSBE në Shqipëri ndihmon organet ligjzbatuese shqiptare për përmirësimin e menaxhimit të informatorëve
Publishing date: 23 tetor 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Në datat 21-23 tetor 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi një kurs trajnim treditor me fokus menaxhimin e informatorëve për Njësinë e Menaxhimit të Informatorëve të Policisë Shtetit. Në këtë veprimtari trajnimi merrnin pjesë edhe përfaqësues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Programin Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnime të Hetimeve Kriminale (ICITAP) të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve. Programi i trajnimit përfshinte tema të tilla sikurse përzgjedhja, menaxhimi dhe trajtimi i informatorëve, si dhe praktikat më të mira për operacione të suksesshme dhe hetime të përbashkëta ndërkombëtare. Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Mbështetje agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit për të luftuar me efikasitet krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal Faza V”. Ky projekt synon t’i mbështesë e ndihmojë agjencitë ligjzbatuese shqiptare për luftimin e krimit të të organizuar kombëtar e ndërkombëtar dhe krimeve të rënda në mënyrë sa më efikase e në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë e rajonalë.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon trajnim dyditor rreth trafikut të paligjshëm të armëve të zjarrit
Publishing date: 4 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 3 dhe 4 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi një trajnim dyditor me temë trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Sektorëve për Hetimin e Trafiqeve të Policisë së Shtetit Shqiptar në nivel qendror dhe vendor, prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Për organizimin e kësaj veprimtarie, Prezenca bashkëpunoi me Programin Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale (ICITAP) të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara. Dy ekspertë nga Zyra Federale e Policisë Kriminale Gjermane (BKA) dhe tre ekspertë nga Policia Kombëtare Holandeze me përvojë të bollshme në trafikimin e armëve të zjarrit prezantuan dhe ndanë përvojat, praktikat më të mira dhe studimet konkrete të forcave të tyre policore. Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë dhe diskutimit të hapur, ekspertët krijuan një platformë për bashkëpunim të mëtejshëm e të ngushtë dhe hetime të përbashkëta. Trajnimi kishte për synim të përmirësonte aftësitë dhe metodat hetimore e analitike të agjencive ligjzbatuese shqiptare, veçanërisht në marrjen e informacionit cilësor e të besueshëm, duke përdorur teknika hetimore speciale në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit. Kjo veprimtari u zhvillua në kuadrin e projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Mbështetja e agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit për të trajtuar në mënyrë efektive krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal V”, i cili synon të mbështesë e ndihmojë agjencitë ligjzbatuese shqiptare në luftimin e krimit të organizuar kombëtar e ndërkombëtar dhe krimeve të rënda në mënyrë efektive e në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë e rajonalë.
Njësitë e qenve të policisë nga Ballkani Perëndimor shfaqin aftësitë në zbulimin e narkotikëve dhe armëve të zjarrit, në veprimtarinë rajonale organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 7 qershor 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Kontrolli i armëve, Policimi, Reforma dhe bashkëpunimi ushtarak
Për herë të parë në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit organizoi një demonstrim rajonal të njësive të qenve të policisë (K9) në zbulimin e narkotikëve dhe armëve të zjarrit. Veprimtaria u zhvillua në parkun “Rinia”, më 7 qershor 2024 dhe ishte e hapur për publikun. Veprimtaria rajonale mblodhi njësitë e qenve të policisë nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Shkupi dhe Prishtina, të cilat realizuan demonstrime në disiplina të ndryshme si bindja, zbulimi i narkotikëve dhe i armëve të zjarrit. Përgjatë dy ditëve përpara demonstrimit, ekipet nga Ballkani Perëndimor realizuan një stërvitje të përbashkët në mjediset e Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit. “Duke pasur parasysh sfidat e ngjashme me të cilat përballen vendet e rajonit, kjo veprimtari shërben si platformë për të gjitha juridiksionet e Ballkanit Perëndimor, për ekspertët dhe për komunitetin e donatorëve për të shkëmbyer njohuritë dhe aftësitë e njësive të qenve të policisë, duke përfituar njëkohësisht prej projekteve ndihmuese të OSBE-së. Ne besojmë fuqimisht se këto ndërhyrje do të zgjerojnë kapacitetet e qenve të policisë për zbulimin e armëve të vogla e të lehta”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, në hapje të veprimtarisë. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se, në 300 ditët e fundit, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të rëndësishëm kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje dhe ka sekuestruar 415 armë zjarri, si edhe një numër shumë më të madh armësh të ftohta. “Kjo na dëshmon se kemi një shpërndarje dhe prezencë të madhe të armëve të vogla dhe të lehta te qytetarët dhe, prandaj, është koha të bashkojmë të gjitha forcat kundër këtij fenomeni, i cili na sjell gjithmonë ngjarje kriminale me pasoja. Kemi një dialog të shkëlqyer me OSBE-në, e cila është e fokusuar në rritjen e kapaciteteve për të kontrolluar dhe zvogëluar rrezikun e përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla e të lehta, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe stabilitetin”, tha Balla. Demonstrimi rajonal ishte ndër veprimtaritë e shumta të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. Veprimtaria u organizua edhe me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor. Edhe në të shkuarën, projekti i OSBE-së për armët e vogla e të lehta ka qenë pararendës për organizimin e tryezave rajonale të punës për njësitë e qenve të policisë.
Prezenca e OSBE-së organizon vizitë në Suedi për gazetarët shqiptarë, për të përmirësuar raportimin për çështjet e sigurisë
Publishing date: 12 prill 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Nëntë gazetarë nga mediat kryesore në Shqipëri dhe dy zyrtarë për marrëdhëniet me mediat nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit morën pjesë në një vizitë pune, në Stokholm të Suedisë, organizuar nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e projektit të saj për armët e vogla e të lehta (AVL), nga 8 deri më 11 prill 2024. Veprimtaria, e dyta e këtij lloji, synonte rritjen e angazhimit të medias në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Delegacioni shqiptar vizitoi redaksinë e lajmeve të televizionit suedez SVT dhe u bashkëbisedoi me gazetarë që mbulojnë çështjet e sigurisë. Ata u takuan edhe me zyrtarë shtetërorë dhe joshtetërorë, përfshirë organizatat e medias dhe u njohën me fushata ndërgjegjësuese novatore, në të cilat media ka vepruar si partner strategjik për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e publikut. Strategjia e hartuar së fundmi për Rritjen e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e AVL-ve identifikoi dhe theksoi rolin e mediave si partnerë strategjikë në informimin dhe edukimin e publikut në lidhje me rrezikun dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit, duke kontribuar drejtpërdrejt në objektivat e Udhërrëfyesit për Kontrollin e AVL-ve [1]. Si pjesë e përpjekjeve për zhvillimin e medias, projekti po kryen monitorimin e gjendjes aktuale të raportimit të medias si dhe vlerësimin e nevojave për ngritjen e kapaciteteve për gazetarët shqiptarë që raportojnë për çështjet e sigurisë dhe dhunës me bazë gjinore. Në bazë të gjetjeve, projekti do të zhvillojë një udhëzues për median, në vijim të të cilit do organizohen sesione trajnimi për gazetarët. Vizita e punës është pjesë e një sërë përpjekjesh për ngritjen e kapaciteteve për të rritur rolin e medias në fushatat e ndërgjegjësimit të publikut dhe në vlerësimin e nevojave për ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve në lidhje me raportimin cilësor. Vizita e parë për mediat u organizua në Beograd, në dhjetor të vitit 2022. Vizita në Stokholm u organizua me mbështetjen e ambasadës së Suedisë në Tiranë, Unionit Suedez të Gazetarëve, televizionit suedez SVT, policisë suedeze, Agjencisë Suedeze të Kontingjenteve Civile dhe Projektit kundër Dhunës në Suedi. Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të AVL-ve” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. [1] https://www.seesac.org/f/docs/publications-salw-control-roadmap/Regional-Roadmap-for-a-sustainable-solution-to-the.pdf
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon takim rajonal të njësive të qenve të policisë dhe prezanton një manual trajnimi
Publishing date: 1 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 28 dhe 29 shkurt 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi takimin e dytë rajonal të ekspertëve për përmirësimin e kuadrit rregullator për njësitë e qenve të policisë. Takimi, i mbajtur për të dytin vit radhazi në Shqipëri, mblodhi përfaqësues të njësive të qenve të policisë nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Prishtina, si edhe ekspertë të përgatitjes së qenve të policisë nga Franca dhe Austria. Veprimtaria mundësoi seanca teorike dhe ushtrime praktike, diskutime dhe prezantime nga ekspertët e përgatitjes së qenve të policisë. “Duke marrë parasysh sfidat e ngjashme me të cilat përballet rajoni ynë, këto takime shërbejnë si një platformë përmes së cilës zyrtarët e juridiksioneve të Ballkanit Perëndimor, ekspertët ndërkombëtarë dhe komuniteti i donatorëve shkëmbejnë njohuritë dhe aftësitë mes njësive të qenve që përfitojnë nga projektet e ndihmës së OSBE-së,” theksoi Sasho Trpchevski nga Prezenca e OSBE-së. Saimir Boshnjaku, Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, theksoi kontributin e takimeve të tilla për rritjen e kapaciteteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira me partnerët. Ai vlerësoi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Prezencës së OSBE-së përmes lidhur me projektin për armët e vogla dhe të lehta. Takimi rajonal i këtij viti u fokusua në manualin e sapohartuar të trajnimit, që do të shërbejë si një mjet për rritjen profesionale të të gjithë shoqëruesve dhe instruktorëve të qenve të policisë. Manuali, i përgatitur në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sipas nevojave të Policisë së Shtetit, do të shërbejë si bazë për trajnimet e trajnerëve, që do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të qenve të policisë për zbulimin e armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse të jashtëligjshme. Hartimi i manualit është një ndër veprimtaritë e shumta të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. Takimi rajonal, i cili qe gjithashtu pjesë e projektit, u organizua me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor.
Organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të pushtetit vendor e qendror shkëmbejnë praktikat më të mira në rritjen e ndërgjegjësimit për armët e zjarrit, gjatë vizitës në Kroaci organizuar nga Prezenca e OSBE-së
Publishing date: 2 shkurt 2024
Dhjetë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit zhvilluan një vizitë në Zagreb të Kroacisë, më 30 dhe 31 janar 2024, për të shkëmbyer praktikat dhe strategjitë më të mira gjatë hartimit e zbatimit të nismave ndërgjegjësuese lidhur me armët e zjarrit, në nivelin vendor dhe kombëtar. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e projektit të saj “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca. Delegacioni shqiptar pati mundësinë të mësonte nga përvoja e gjerë e Kroacisë dhe strategjitë e saj të qëndrueshme për rritjen e ndërgjegjësimit për rrezikun dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit. Ata u takuan me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të Kroacisë, Qendrës për Ekzaminime Mjeko-Ligjore, Qendrës Informative për Parandalim dhe Stacionit Policor Velika Gorica. Ata vizituan edhe Kryqin e Kuq në Zagreb dhe qendrën e tij për vullnetarë dhe të rinj, ku u njohën me nisma të ndryshme ndërgjegjësuese dhe parandaluese për rrezikun e armëve, me fokus të rinjtë. “Kjo vizitë shkëmbimi ishte një përvojë e dobishme për ne, për të parë se si zbatohen fushatat ndërgjegjësuese për armët e zjarrit, në kontekstin e Kroacisë. Pas vizitës, në bashkëpunim me projektin e Prezencës së OSBE-së, do të zhvillojmë një plan për zbatimin e veprimtarive informuese në komunitetet tona”, tha Ervin Muço, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Social në Bashkinë Elbasan. Strategjia e Rritjes së Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e Armëve të Vogla e të Lehta, e hartuar së fundmi, vë në pah se Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike dhe organizatat e shoqërisë civile janë partnerë të pozicionuar mirë, veçanërisht në mesin e grupeve të synuara të vështira për t’u arritur. Këshillat Vendorë dhe organizatat e përzgjedhura, që ishin pjesë e vizitës në Kroaci, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e konceptualizimit të strategjisë. Po ashtu, ata kanë shprehur vullnetin e tyre për të bashkëpunuar me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në veprimtaritë ndërgjegjësuese, në nivel vendor dhe kombëtar në Shqipëri, që do të zbatohen si pjesë e projektit të OSBE-së për armët e vogla e të lehta. “Kjo është një platformë e jashtëzakonshme, e cila synon të bashkojë përfaqësuesit e Këshillave Vendorë, shoqërisë civile, Ministrisë dhe Policisë përgjatë realizimit të këtyre veprimtarive. Ne besojmë se kjo është arritja e parë në forcimin e bashkëpunimit midis këtyre aktorëve të rëndësishëm, në procesin e rritjes së përpjekjeve ndërgjegjësuese të qeverisë, në dobi të qytetarëve shqiptarë”, tha Xhenis Ballço, specialiste vendase e projektit në Prezencën e OSBE-së. Organizimi i vizitës u mbështet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe nga Kryqi i Kuq në Zagreb.