Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnon agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit për analizën financiare
Publishing date: 27 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Policimi, Reforma dhe bashkëpunimi ushtarak
Nga 23 deri më 27 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim të personalizuar për oficerë policie dhe hetues për të rritur njohuritë dhe ekspertizën e tyre në kryerjen e analizave financiare dhe profilizimin financiar në hetimet financiare proaktive. Pjesëmarrësit ishin zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Trajnimi – i mundësuar në bashkëpunim me Programin Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara (ICITAP) – ofroi një përzierje njohurish teorike, shembujsh praktikë dhe skenarësh të rasteve fiktive të hetimeve financiare. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetja për agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit për të trajtuar në mënyrë efektive krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal V”. Projekti synon të mbështesë dhe të ndihmojë agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të krimeve të rënda, në mënyrë efektive, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si edhe të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë.
Prezenca e OSBE-së trajnon Policinë e Shtetit për hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore
Publishing date: 25 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Policimi
Më 25 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi një trajnim dyditor për Policinë e Shtetit mbi hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore. Në trajnim morën pjesë 17 oficerë policie nga të 12 drejtoritë vendore të policisë nga e gjithë Shqipëria, që mbulojnë policinë kriminale, sigurinë publike dhe njësinë e krimit mjedisor. Trajnimi u mbajt nga një grup ekspertësh të huaj e vendas. Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri mbi standardet vendase dhe ndërkombëtare për hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore në Bashkimin Evropian dhe në Shqipëri. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Njësisë Sllovake të Krimit Mjedisor, struktura e saj policore e oficerëve të policisë së krimit mjedisor dhe bashkërendimi i tyre ndërinstitucional. “Shpresojmë që trajnimi dhe diskutimet gjatë këtyre dy ditëve të jenë të dobishme për punën tuaj dhe të shërbejnë si një platformë për bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish midis të gjithë aktorëve të angazhuar në luftimin e shkeljeve mjedisore në Shqipëri”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, i cili hapi takimin së bashku me drejtorin e Departamentit për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati. Trajnimi bazohet në mbështetjen e Prezencës për qeverisjen dhe sigurinë mjedisore në Shqipëri dhe përfshirjen e saj aktive në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare për të adresuar sfida të tilla. Në vitin 2023, Prezenca hartoi dhe paraqiti një kurrikulë të re për legjislacionin mjedisor për Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri për programin e formimit fillestar 2023-2024. Në dhjetor 2023, Prezenca mbështeti një vlerësim të nevojave për trajnim për të gjithë zinxhirët institucionalë të ndëshkimit të krimit mjedisor dhe po punon për të adresuar disa nga këto nevoja në kuadër të projektit. Vlerësimi i nevojave për trajnim vuri në pah rëndësinë e programeve sistematike të trajnimit për nëpunësit civilë të institucioneve që merren me shkeljet mjedisore. Ai hodhi dritë mbi gjendjen aktuale, identifikoi boshllëqet në njohuri dhe aftësi dhe u hapi rrugën ndërhyrjeve strategjike që do të fuqizojnë institucionet në përpjekjet e tyre për të luftuar krimet mjedisore në mënyrë efektive.
Prezenca e OSBE-së mbështet Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave për të forcuar mbrojtjen e të dhënave në sistemin e kujdesit shëndetësor
Publishing date: 17 shtator 2024
Mbrojtja e të dhënave në kujdesin shëndetësor është thelbësore për ruajtjen e konfidencialitetit të pacientit, sigurimin e të dhënave të ndjeshme mjekësore dhe ruajtjen e besimit në sistemin e kujdesit shëndetësor. Më 17 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së mbështeti Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në organizimin e një veprimtarie sensibilizuese për mbi 70 pjesëmarrës nga institucionet publike të sektorit shëndetësor nga mbarë Shqipëria. Në takim, Komisioneri paraqiti një rekomandim të unifikuar për institucionet e kujdesit parësor shëndetësor për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave. “Është thelbësore që sistemi shëndetësor parësor dhe punonjësit e tij të jenë plotësisht të vetëdijshëm për kuadrin ligjor për mbrojtjen e të dhënave, zbatimin e tij dhe mekanizmat në dispozicion për të garantuar pajtueshmërinë. Ky ndërgjegjësim duhet të shtrihet përtej drejtuesve dhe personelit të qendrave shëndetësore dhe duhet të përfshijë edhe pacientët dhe familjarët e tyre. Të gjithë duhet të kenë njohuritë dhe aftësitë për të kuptuar dhe respektuar standardet e mbrojtjes së të dhënave, duke garantuar kështu sigurinë dhe privatësinë e të gjithëve”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran. Ai shtoi se Prezenca mbështet plotësisht miratimin e shpejtë të legjislacionit të nevojshëm dhe është e gatshme të mbështesë institucionet shqiptare në zbatimin e tij. Komisioneri Besnik Dervishi tha: “Ky takim duhet të konsiderohet si një hap i rëndësishëm në investimin e përbashkët që duhet të ndërmarrim për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo kërkon vëmendje të veçantë nga Zyra e Komisionerit, por përcaktues është dhe ndërgjegjësimi i operatorëve të sektorit, investimi në burime njerëzore dhe në sisteme që garantojnë sigurinë e të dhënave”. Veprimtaria – e organizuar si pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” – shtoi përpjekjet për zhvillimin e ndërgjegjësimit dhe pajisjen e kontrollorëve publikë me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të lundruar në peizazhin kompleks dhe të ri rregullator. Kjo nismë synon të nxisë një kulturë përgjegjshmërie dhe transparence në trajtimin e të dhënave personale, duke siguruar përputhje me kornizat ligjore në zhvillim. Prezenca e OSBE-së është mbështetëse afatgjatë e Komisionerit, duke punuar së bashku për të forcuar mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtën e informimit në Shqipëri. Në maj 2024, Komisioneri dhe Prezenca organizuan një veprimtari të ngjashme për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në sektorin arsimor.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon serinë e veprimtarive “Java e Demokracisë”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë
Publishing date: 16 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Zgjedhjet, Barazia gjinore, Liria dhe zhvillimi i medias, Roma dhe Sinti, Rinia
Më 16 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi një seri njëjavore veprimtarish të titulluar “Java e Demokracisë”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtatorit. Gjatë veprimtarisë së parë, së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Prezenca hapi një konkurs për të rinj për sloganin, videon e shkurtër dhe dizajnin grafik më të mirë që do të përdoret nga KQZ-ja gjatë fushatës zgjedhore të vitit të ardhshëm. “Përfshirja e të rinjve nuk është thjesht e rëndësishme – ajo është jetike. Të rinjtë e Shqipërisë nuk janë vetëm e ardhmja; ata kanë mundësinë të jenë forca lëvizëse e proceseve vendimmarrëse të së sotmes dhe formësuesit e institucioneve demokratike të së nesërmes”, tha ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në hapje të takimit. “Ky konkurs synon jo vetëm të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, por edhe të krijojë një platformë për të rinjtë që të ndajnë zërat dhe idetë e tyre për një demokraci më të fortë dhe më të përfshirë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Takimi mblodhi organizata rinore, përfaqësues të shoqërisë civile, Grupin Këshillimor Rinor të Prezencës së OSBE-së dhe aktivistë të rinj të komunitetit. Pjesëmarrësit diskutuan hapur mbi rolin kritik të angazhimit të të rinjve në zgjedhje dhe në proceset vendimmarrëse. Duke theksuar rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset demokratike, ata folën për sfidat me të cilat përballen në pjesëmarrjen aktive dhe mënyrat për të kapërcyer pengesa të tilla e për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia. Konkursi ishte i pari i një sërë aktivitetesh të fokusuara në promovimin e vlerave demokratike, ndërgjegjësimin për proceset zgjedhore dhe theksimin e rëndësisë së angazhimit qytetar në mbarë Shqipërinë. Veprimtaritë e tjera gjatë “Javës së Demokracisë” përfshijnë: 17 shtator Sesion për demokracinë me një aktiviste të komunitetit rom Themeluesja e të Qendrës për të Drejtat e Gruas Rome, Manjola Veizi, do të ndajë përvojën e saj personale dhe profesionale, krahas të dhënave dhe gjetjeve nga projekti i saj i fundit mbi fuqizimin ekonomik të grave. Takim me Grupin e Punës për Gjininë dhe Gratë në Vendimmarrje për ndryshimet e fundit zgjedhore Diskutimet do të përqendrohen në ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor dhe ndikimin e tyre të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa do të diskutohen edhe veprimet kryesore vijuese për promovimin e barazisë gjinore gjatë gjithë procesit zgjedhor. 18 shtator Trajnim për median dhe policinë- Zbatimi praktik i aftësive mediatike, ndërtimi i besimit dhe rikthimi i etikës Një trajnim ndërveprues për policinë dhe median për praktikat më të mira për një konferencë mediatike, diskutimin e një kodi etike për gazetarët që mbulojnë incidentet publike dhe punën e agjencive ligjzbatuese. 19 shtator Takimi i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet Me rifillimin e sezonit politik, Prezenca rifillon takimet e saj informuese periodike me komunitetin diplomatik në Shqipëri për të diskutuar përpjekjet e fundit për reformën zgjedhore dhe zhvillime të tjera të rëndësishme lidhur me zgjedhjet. Vizitë e Grupit Këshillimor Rinor në Kuvendin e Shqipërisë dhe takim me Kryetaren e me deputetë të rinj Grupi Këshillimor Rinor i Prezencës së OSBE-së do të vizitojë parlamentin, ku do të kenë mundësinë të takohen me deputetët e Klubit për të Rinjtë. Vizita do të përqendrohet në rëndësinë e angazhimit të të rinjve dhe do të përfshijë një vëzhgim të seancës plenare parlamentare. Diskutimet me deputetët do të trajtojnë tema kryesore si kostot financiare të arsimit, ndryshimet e propozuara në Ligjin për Rininë dhe çështjet aktuale në sistemin arsimor. 20 shtator Takim pune mes stafit të Kuvendit dhe gazetarëve të akredituar mbi strategjinë e komunikimit të parlamentit Një takim konsultimi për finalizimin e dokumentit të Strategjisë së Komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë do të mbledhë rreth 40 pjesëmarrës për diskutime teknike së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, drejtuesin e Grupit të Punës për hartimin e strategjisë dhe drejtuesen e Zyrës së Komunikimit. Finalizimi i Strategjisë së Komunikimit mbetet një nga përparësitë e parlamentit. Mbështetja e Prezencës së OSBE-së për këtë proces të rëndësishëm filloi në fillim të këtij viti me një sërë takimesh bashkërenduese.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon trajnim dyditor rreth trafikut të paligjshëm të armëve të zjarrit
Publishing date: 4 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 3 dhe 4 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi një trajnim dyditor me temë trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Sektorëve për Hetimin e Trafiqeve të Policisë së Shtetit Shqiptar në nivel qendror dhe vendor, prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Për organizimin e kësaj veprimtarie, Prezenca bashkëpunoi me Programin Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale (ICITAP) të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara. Dy ekspertë nga Zyra Federale e Policisë Kriminale Gjermane (BKA) dhe tre ekspertë nga Policia Kombëtare Holandeze me përvojë të bollshme në trafikimin e armëve të zjarrit prezantuan dhe ndanë përvojat, praktikat më të mira dhe studimet konkrete të forcave të tyre policore. Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë dhe diskutimit të hapur, ekspertët krijuan një platformë për bashkëpunim të mëtejshëm e të ngushtë dhe hetime të përbashkëta. Trajnimi kishte për synim të përmirësonte aftësitë dhe metodat hetimore e analitike të agjencive ligjzbatuese shqiptare, veçanërisht në marrjen e informacionit cilësor e të besueshëm, duke përdorur teknika hetimore speciale në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit. Kjo veprimtari u zhvillua në kuadrin e projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Mbështetja e agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit për të trajtuar në mënyrë efektive krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal V”, i cili synon të mbështesë e ndihmojë agjencitë ligjzbatuese shqiptare në luftimin e krimit të organizuar kombëtar e ndërkombëtar dhe krimeve të rënda në mënyrë efektive e në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë e rajonalë.
Prezenca e OSBE-së mbështet fushatën e edukimit dhe informimit të zgjedhësve, përpara zgjedhjeve të vitit 2025 në Shqipëri
Publishing date: 12 korrik 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Arsimi, Zgjedhjet, Barazia gjinore, National minority issues, Roma dhe Sinti, Rinia
Nga 9 maji deri më 10 korrik 2024, Prezenca e OSBE-së mbështeti fushatën informuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që synon të informojë dhe të përfshijë të rinjtë, gratë dhe pakicat, në të gjithë Shqipërinë në aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor. Faza e parë e takimeve u zhvillua me studentët e universiteteve të Korçës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës. Ata mësuan për organizimin dhe funksionimin e administratës zgjedhore dhe eksploruan mundësitë për përfshirjen e tyre në kapacitete të ndryshme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025. Gjatë një simulimi të procesit të votimit, studentët luajtën rolet e subjekteve zgjedhore, komisionerëve e zgjedhësve dhe, më pas, diskutuan për hapat e procesit të votimit, plotësimin e fletëve të votimit dhe administrimin e materialit zgjedhor. Faza e dytë, e realizuar në bashkëpunim me Rrjetin e Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, u zhvillua me gratë dhe pakicat në Laç, Gjirokastër, Berat, Pustec dhe Finiq. Diskutimet u fokusuan në mënyrat për të fuqizuar përfaqësimin e grave në vendimmarrje dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Ekspertë nga KQZ-ja, Rrjeti dhe Prezenca e OSBE-së kontribuan në diskutime. Rreth 500 persona morën pjesë në këto veprimtari, të cilat ishin pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, financuar nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve
Publishing date: 9 korrik 2024
Në përgatitje të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së mbështeti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), më 9 korrik 2024, në organizimin e një tryeze të rrumbullakët për të identifikuar dhe diskutuar çështjet që prekin administrimin e efektshëm të procesit të zgjedhjeve parlamentare 2025. Në takim morën pjesë përfaqësues të partive politike, institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. Diskutimet u përqendruan te vendosja e një sistemi komunikimi efiçent mes KQZ-së dhe agjencive ligjzbatuese; administrimi dhe vëzhgimi i procesit të votimit e numërimit; përmirësimi i sistemit të raportimit të institucioneve publike në KQZ; trajnimi i komisionerëve të niveleve më të ulëta; si edhe përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes për votimin elektronik dhe asistencën e tij teknike. Përgjatë takimit, pjesëmarrësit theksuan nevojën për dialog dhe bashkëpunim të vijueshëm për të siguruar një proces zgjedhor transparent e të besueshëm. Në hapje të tryezës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha: “Qëllimi i këtij takimi është të hapim diskutimin në lidhje me çështje të cilat KQZ-ja mund t’i adresojë në mënyrë të pavarur nga ndryshimet ligjore që do të bëjë Kuvendi i Shqipërisë. Kemi mjaft çështje që mund të diskutojmë, ka mjaft problematika që KQZ-ja do të duhet t'i adresojë, me qëllim që të përmirësojmë gjithë procesin e përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve. Jemi dëshmitarë të problemeve të ndryshme që e karakterizojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Të gjitha çështjet problematike, do t'i listojmë dhe më pas të shkëmbejmë mendime për mënyrat dhe rrugët që KQZ-ja do të duhet të ndjekë për t'i adresuar. Partitë politike, shoqëria civile dhe të gjitha palët e angazhuara në zgjedhje, janë të mirëpritura për ta nxitur dhe për të ndihmuar këtë nismë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri”. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u bëri thirrje aktorëve politikë ta bëjnë reformën zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, në mënyrë që t’u lejojnë organeve të administrimit të zgjedhjeve kohë të mjaftueshme për zbatim. “Kemi një sfidë të pazgjidhur ende: zbatimin e efektshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe çështjen e votimit nga jashtë vendit. Duhet të theksoj se çdo vendim, qoftë në lidhje me ndreqjen e hendeqeve legjislative apo me normimin e elementeve praktike, duhet të rrjedhë prej konsensusit të gjerë. Ky konsensus duhet të bazohet në vlerësime tërësore dhe në konsultime gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët përkatës, duke përfshirë këtu aktorët politikë, shoqërinë civile dhe komunitetin e diasporës. Një përqasje e tillë do të mundësonte zbatim të rrjedhshëm dhe pa kundërshtime të votimit nga jashtë vendit, duke çuar edhe në rritje të besimit të votuesve në procesin zgjedhor”, tha Tarran. Takimi u mbyll me një thirrje ndaj gjithë aktorëve për të zbatuar në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse zgjidhjet dhe rekomandimet e propozuara, duke synuar kështu një menaxhim më transparent dhe të efektshëm të zgjedhjeve në Shqipëri. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.