Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së mbështet fushatën informuese që inkurajon të rinjtë dhe të rejat t'i bashkohen Policisë së Kosovës
Publishing date: 2 korrik 2025
Si pjesë e një fushate për të promovuar karrierën si zbatues të ligjit, nga 26 qershori deri më 2 korrik 2025, Misioni i OSBE-së përkrahu Policinë e Kosovës në organizimin e një sërë takimesh informuese në pesë rajone të Kosovës. Iniciativa kishte në fokus gra dhe burra të rinj, kryesisht nga komunitetet jo-shumicë, me qëllim inkurajimin e aplikimeve të tyre për t'iu bashkuar Policisë së Kosovës. Këto organizime informuese u mbajtën në Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, si dhe Prizren, duke sjellë 105 aplikues të mundshëm, përfshirë 70 burra dhe 35 gra, nga të cilët 52 shqiptarë, 19 serbë, 17 boshnjakë, tetë romë, tetë egjiptianë, si dhe një turk i Kosovës. Këto sesione informuese u ofruan kandidatëve udhëzime praktike mbi procesin e aplikimit, kriteret e kualifikimit, si dhe dobitë e karrierës në polici. Sesionet po ashtu theksuan gamën e gjerë të mundësive të zhvillimit dhe avancimit profesional që ofrohen në kuadër të Policisë së Kosovës. Gjatë prezantimeve, oficerë të lartë të policisë theksuan përkushtimin e Policisë së Kosovës ndaj diversitetit dhe përfshirjes, por edhe mikpritjen e aplikuesve nga të gjitha etnitë dhe gjinitë. Sesionet po ashtu riafirmuan përkushtimin e Policisë së Kosovës për të ngritur një institucion të sigurisë publike që është përfaqësues dhe i barabartë, që i shërben të gjitha komuniteteve në mënyrë të barabartë. “Qëllimi ynë është të mbështesim zhvillimin e një organizate policore ndër-komunitare që i shërben dhe mbron të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha znj. Maria De Benito Rodriguez, U.D. Drejtore e Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Përmes këtyre aktiviteteve informuese, ne po krijojmë hapësirë ku të rinjtë nga prapavija të ndryshme mund ta shohin veten në të ardhmen si pjesë e sigurisë publike në Kosovë”, tha ajo. Kolonel Hilmi Pacolli, Drejtor i Personelit dhe Administratës së Policisë së Kosovës, gjithashtu theksoi rëndësinë e fushatës. “Këto aktivitete informuese janë qenësore që të rinjtë nga të gjitha komunitetet të informohen dhe të inkurajohen, si dhe të ndihen të mirëpritur në Policinë e Kosovës. Forca jonë qëndron në diversitetin tonë, ndërsa ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një organizatë policore profesionale që pasqyron shoqërinë të cilës i shërbejmë.” Fushata është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të forcuar besimin mes zbatuesve të ligjit dhe publikut, duke siguruar njëkohësisht që gjenerata e ardhshme e oficerëve të Policisë së Kosovës të pasqyrojë diversitetin e plotë të shoqërisë multietnike në Kosovë.
Misioni i OSBE-së i dorëzon automjete të specializuara Policisë së Kosovës për të përmirësuar rendin dhe sigurinë publike
Publishing date: 25 qershor 2025
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Kontrolli i armëve, Policimi, Sundimi i ligjit
Më 24 qershor 2025, Misioni i OSBE-së në Kosovë i dorëzoi pesë automjete të specializuara njësisë K9 të Policisë së Kosovës për të rritur aftësitë operacionale të ekipeve policore të qenve.
Misioni i OSBE-së mbështet Policinë e Kosovës me trajnime për vlerësimin e nevojave individuale për viktimat e krimeve të urrejtjes
Publishing date: 1 dhjetor 2023
Mes 5 tetorit dhe 30 nëntorit 2023, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka trajnuar gjithsej 142 policë nga komunitete të ndryshme për vlerësimin e nevojave individuale për viktimat e krimeve të urrejtjes.
Misioni i OSBE-së nis sesione informuese me të rinj të komuniteteve jo-shumicë për t'iu bashkuar Policisë së Kosovës
Publishing date: 11 maj 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Policimi, Sundimi i ligjit
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti dje në Graçanicë takimin e parë nga gjithsej gjashtë sa do të mbahen me të rinj të komuniteteve jo-shumicë për t'i informuar ata rreth mundësive të punësimit në Policinë e Kosovës dhe për t'i njoftuar me procedurat e rekrutimit. Takimet do të zhvillohen së bashku me policinë në rajone të ndryshme në mbarë Kosovën dhe po mbahen në mbështetje të fushatës së Policisë së Kosovës për rekrutim. Në këto sesione, pjesëmarrësit do të mësojnë për procedurat e aplikimit për t'ju bashkuar policisë, duke u përqendruar veçanërisht në kriteret e rekrutimit dhe procesin e përzgjedhjes, përfshirë edhe testet me shkrim, ato fizike dhe psikologjike. Ata do të mësojnë edhe për trajnimin bazik profesional të policisë dhe për rëndësinë e punës së policisë për të kontribuar për komunitetet të cilave u shërbejnë. “Edhe pse korniza ligjore ofron mbrojtje adekuate dhe përfshirje të barabartë të të gjitha komuniteteve në radhët e policisë, përfshirja e komuniteteve jo-shumicë mbetet sfidë për policinë”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Një forcë policore diverse dhe përfaqësuese i shërben më mirë publikut. E përgëzojmë Policinë e Kosovës për përpjekjet e saj për t’iu qasur të gjitha komuniteteve, duke ofruar informacion të dorës së parë dhe përgjigjur pyetjeve, dhe duke i motivuar njerëzit që të bëhen pjesë e saj për të ofruar siguri për komunitetet e ndryshme të Kosovës”, shtoi ai. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtën dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Përveç trajnimeve të specializuara dhe mundësive zhvillimore për policinë, Misioni punon me Policinë e Kosovës për të shtuar edhe më tej pjesëmarrjen e komuniteteve jo-shumicë dhe grave në radhët e saj. Një video mesazh nga Ambasadori Davenport në mbështetje të kësaj fushate mund ta shikoni këtu: (1) Facebook
Misioni i OSBE-së mbështet Policinë e Kosovës në çështjet e disiplinës dhe llogaridhënies
Publishing date: 25 nëntor 2022
Për të ndihmuar Policinë e Kosovës (PK) në përmirësimin e hetimeve të brendshme dhe kontrollin e evidencës penale, Misioni i OSBE-së mbështeti një vizitë studimore treditore për pesë menaxherë të lartë të Divizionit të Standardeve Profesionale të PK-së në Inspektoratin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë Kombëtare dhe Policinë Kombëtare të Francës në Paris.
Misioni i OSBE-së trajnon zyrtarët e ri policorë rreth parandalimit të dhunës në familje
Publishing date: 21 tetor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Barazia gjinore, Policimi, Sundimi i ligjit
Më 21 tetor, Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli serinë prej pesë punëtorish mbi parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje për 144 zyrtarë të sapoemëruar të Policisë së Kosovës (PK).
Misioni i OSBE-së trajnon Policinë e Kosovës në mbledhjen e informatave dhe inteligjencës përmes përfshirjes së komunitetit
Publishing date: 14 shtator 2022
Misioni i OSBE-së ka përmbyllur një seri punëtorish për të tetë rajonet e Policisë së Kosovës për mënyrat dhe metodat e parandalimit të krimit përmes përfshirjes së komunitetit. Në punëtoritë e mbajtura në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë e Mitrovicë të Jugut nga 1-13 shtator kanë marrë pjesë 120 policë sektori, shumica e tyre njëkohësisht edhe anëtarë të Komiteteve Lokale për Siguri Publike, krahas përfaqësuesve të komunitetit në nivel fshati apo lagjeje. Këto punëtori kanë pasur për qëllim t’i njoftojnë policët e sektorit me detyrat dhe obligimet e tyre sipas Procedurave Standarde të Operimit të Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, hartimin e të cilave e ka përkrahur Misioni i OSBE-së. Pjesëmarrësit u informuan se si funksionon procesi i mbledhjes së informatave të inteligjencës dhe mënyrat e përpunimit të këtyre informatave të marra nga komuniteti. Ky proces mundëson identifikimin e çështjeve në nivel lokal, si dhe zgjidhjen e tyre në mënyrë më proaktive dhe efektive, duke rritur sigurinë e komunitetit. “Komitetet Lokale për Siguri Publike ndihmojnë komunitetin që t’i zgjidh problemet e sigurisë përmes bashkëpunimit dhe partneritetit në nivel lokal. Këto forume janë po ashtu edhe një mekanizëm efektiv që ndihmon përpjekjet për të parandaluar problemet para se ato të ndodhin,” tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Komuniteti gjithashtu duhet t’i njohë policët e sektorit të vet dhe qytetaret duhet të dinë kë të kontaktojnë për shqetësimet e tyre. Andaj i mirëpres përpjekjet e policisë për të fituar besimin e tyre,” shtoi ai. Pjesëmarrësit patën rastin të shohin shembuj të dosjeve sektoriale, qe shërbejnë si pikë referimi dhe përmbajnë informata rreth personave dhe objekteve te caktuara në një zonë të caktuar, dhe u aftësuan se si të përpilojnë një për sektorin e tyre, duke përfshirë edhe se çfarë informatash duhet të përzgjidhen. Këto dosje përpilohen dhe janë te qasshme në mënyrë elektronike, duke mundësuar kështu komunikim dhe marrje të shpejtë informacioni përderisa ndodh incidenti në nivel lokal, por edhe për të shërbyer pikë qendrore reference. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe sigurinë publike. Misioni punon me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit për të rritur kapacitetet e tyre në përballje me kërcënimet ndaj sigurisë dhe sigurisë publike nëpërmjet programeve speciale të trajnimit të përshtatura të zhvilluara në bashkëpunim me to.