Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së organizon trajnime të përbashkëta për qeverisjen mjedisore për inspektorë, policë dhe prokurorë në Shqipëri
Publishing date: 13 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Mirëqeverisja, Policimi, Sundimi i ligjit
Nga data 11 deri më 13 mars 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnoi mbi 40 oficerë policie, prokurorë, inspektorë dhe ekspertë të mjedisit lidhur me identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve mjedisore. Pjesëmarrësit, që vinin nga qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Dibrës, mësuan përmes studimit të rasteve, ushtrimeve simuluese dhe punës në grupe, që kishin për qëllim forcimin e karakterit ndërinstitucional të çështjeve mjedisore. Mbështetur në ekspertizën e tre trajnuesve, dy të huaj dhe një vendas, pjesëmarrësit u njohën me risitë më fundit se si të adresojnë në mënyrë efektive sfidat mjedisore dhe si t’i hetojnë ato duke përdorur praktikat më të mira në rajon. Ata theksuan nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe mirëkuptim të ndërsjellë të roleve në nivel vendor në trajtimin e sfidave mjedisore. Inspektorët e mjedisit thanë se ndarja e paqartë ligjore mes institucioneve të ndryshme pengon punën e tyre gjatë inspektimeve në terren. “Prezenca ka promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional për të trajtuar kundërvajtjet dhe krimet mjedisore përmes përpjekjeve të ndryshme që përfshijnë inspektorët mjedisorë, policinë dhe prokurorinë. Qëllimi përfundimtar është që pjesëmarrësit të kultivojnë një kulturë bashkëpunimi, ekspertize të përbashkët dhe angazhimi proaktiv për t’u orientuar në kompleksitetin e inspektimit, identifikimit, parandalimit dhe ndjekjes penale të këtyre krimeve”, tha Elton Qëndro, oficer programi dhe menaxher projekti në Prezencën e OSBE-së. Trajnimet u mbështetën te vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore, si edhe te vlerësimi i nevojave për trajnim për qeverisjen mjedisore, të dy të zhvilluar me nismën e Prezencës. Këto veprimtari janë pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe financohet nga Norvegjia, Franca dhe Italia.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon takim rajonal të njësive të qenve të policisë dhe prezanton një manual trajnimi
Publishing date: 1 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 28 dhe 29 shkurt 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi takimin e dytë rajonal të ekspertëve për përmirësimin e kuadrit rregullator për njësitë e qenve të policisë. Takimi, i mbajtur për të dytin vit radhazi në Shqipëri, mblodhi përfaqësues të njësive të qenve të policisë nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Prishtina, si edhe ekspertë të përgatitjes së qenve të policisë nga Franca dhe Austria. Veprimtaria mundësoi seanca teorike dhe ushtrime praktike, diskutime dhe prezantime nga ekspertët e përgatitjes së qenve të policisë. “Duke marrë parasysh sfidat e ngjashme me të cilat përballet rajoni ynë, këto takime shërbejnë si një platformë përmes së cilës zyrtarët e juridiksioneve të Ballkanit Perëndimor, ekspertët ndërkombëtarë dhe komuniteti i donatorëve shkëmbejnë njohuritë dhe aftësitë mes njësive të qenve që përfitojnë nga projektet e ndihmës së OSBE-së,” theksoi Sasho Trpchevski nga Prezenca e OSBE-së. Saimir Boshnjaku, Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, theksoi kontributin e takimeve të tilla për rritjen e kapaciteteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira me partnerët. Ai vlerësoi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Prezencës së OSBE-së përmes lidhur me projektin për armët e vogla dhe të lehta. Takimi rajonal i këtij viti u fokusua në manualin e sapohartuar të trajnimit, që do të shërbejë si një mjet për rritjen profesionale të të gjithë shoqëruesve dhe instruktorëve të qenve të policisë. Manuali, i përgatitur në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sipas nevojave të Policisë së Shtetit, do të shërbejë si bazë për trajnimet e trajnerëve, që do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të qenve të policisë për zbulimin e armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse të jashtëligjshme. Hartimi i manualit është një ndër veprimtaritë e shumta të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. Takimi rajonal, i cili qe gjithashtu pjesë e projektit, u organizua me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor.
Prezenca e OSBE-së trajnon Policinë e Shtetit shqiptar mbi tendencat më të fundit në prodhimin, trafikimin e paligjshëm dhe shpërndarjen e drogave të reja sintetike
Publishing date: 29 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Policimi, Reforma dhe bashkëpunimi ushtarak
Katërmbëdhjetë punonjës të Policisë së Shtetit morën pjesë në trajnimin “Trafikimi i drogave sintetike- një kërcënim global në rritje”, që u zhvillua nga 27 deri më 29 shtator 2023. Trajnimi u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së Programi i Asistencës së Trajnimit për Hetimin Kriminal Ndërkombëtar (ICITAP), Administrata e SHBA për Zbatimin e Drogës (DEA), Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA) dhe Policia Gjyqësore Federale Belge. Gjatë trajnimit, hetuesit e Policisë së Shtetit u njohën me tendencat më të fundit në prodhimin, trafikimin e paligjshëm dhe shpërndarjen e drogave të reja sintetike, në nivel rajonal dhe global. Ata gjithashtu mësuan nga praktikat më të mira ndërkombëtare në hetimin dhe çmontimin e grupeve të krimit të organizuar të përfshira në trafikimin e paligjshme të drogave sintetike. Kjo veprimtari është pjesë e projekteve të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për zbatimin e ligjit shqiptar për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal”. Synimi është asistimi i agjencive ligjzbatuese shqiptare në zhvillimin e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit, mësimin nga praktikat më të mira dhe mbështetja e zhvillimit dhe e reformës në polici.
Prezenca e OSBE-së mundëson shkëmbimin e praktikave më të mira mes Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike në Shqipëri
Publishing date: 12 korrik 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Një seminar për shkëmbimin e praktikave më të mira të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) mes bashkisë së Elbasanit dhe atyre të Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit u zhvillua në Elbasan, më 12 korrik 2023. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi veprimtarinë në partneritet me Bashkinë e Elbasanit me qëllimin për të rritur efektshmërinë e KVSP-ve në trajtimin e çështjeve të sigurisë publike dhe për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve vendore dhe aktorëve joinstitucionalë në parandalimin dhe adresimin e sfidave të sigurisë në komunitet. “Që prej krijimit në vitin 2016 me mbështetjen e Prezencës, Këshilli Vendor i Sigurisë Publike i Elbasanit – i pari në Shqipëri – ka dëshmuar efiçencë mbresëlënëse në rritjen e sigurisë në komunitet. Ai tani është një shembull i praktikave më të mira, që mund të ndahen me KVSP-të e tjera në mbarë vendin”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të takimit. Ai theksoi se suksesi i KVSP-ve varet nga përfshirja aktive e të gjithë aktorëve – zyrtarëve vendorë, agjencive të zbatimit të ligjit, organizatave të shoqërisë civile, rinisë dhe medias. Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të lartë të Elbasanit, Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit, përfshirë kryetarët e këtyre bashkive, drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Elbasanit dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme, të organizatave rinore dhe të shoqërisë civile. Në diskutimet e tyre ata theksuan rëndësinë e KVSP-ve në parandalimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike dhe mënyrat më të mira që këto Këshilla të shërbejnë si urë mes policisë dhe institucioneve dhe komuniteteve në adresimin e shqetësimeve të sigurisë publike. Mekanizmat e sigurisë të ngritura nga KVSP-ja e Elbasanit, si edhe nismat e shoqërisë civile dhe të të rinjve për sigurinë publike u paraqitën, gjithashtu, gjatë takimit. Gledian Llatja, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, tha: “Ne nuk mundemi dot të jemi një ishull në qark apo një ishull në Shqipëri dhe prandaj duhet që këto struktura komunitare dhe këtë mënyrë funksionimi, eksperiencën e mirë dhe të keqe, ta ndajmë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një ambient më të sigurt jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë qarkun dhe, pse jo, në të gjithë Shqipërinë”. Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike – të ngritura në 56 nga 61 bashkitë e Shqipërisë – janë struktura me kompetenca këshillimore, në të cilat mblidhen aktorët vendorë si pushteti vendor, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, të rinjtë, drejtuesit fetarë dhe media, për të diskutuar dhe përmirësuar bashkëpunimin shumëpalësh në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Prezenca e OSBE-së ka mbështetur krijimin dhe funksionimin e tyre që prej vitit 2016 dhe do të vijojë t’i përkrahë këto mekanizma me synimin për të institucionalizuar më tej dhe për të fuqizuar rolin e tyre në rritjen e sigurisë në komunitet.
Shqipëria miraton një Mekanizëm të ri Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit, hartuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
Publishing date: 29 qershor 2023
Content type: News
Më 26 qershor, institucionet shtetërore shqiptare dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC) nënshkruan një Marrëveshje të re Bashkëpunimi për Mekanizmin Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR), hartuar falë asistencës teknike të Prezencës së OSBE-së në vitet 2022-2023. Marrëveshja e re, që synon të trajtojë llojet ekzistuese dhe të reja të trafikimit të qenieve njerëzore, përfshin të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar mbrojtjen e duhur për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në Shqipëri. Ajo është fryti i një analize të plotë të vlerësimit të nevojave dhe i konsultimeve me palët e interesuara shtetërore dhe të shoqërisë civile, të kryera nga Prezenca dhe Ministria e Brendshme, me qëllim përditësimin e kuadrit të MKR-së në përputhje me sfidat shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore, kuadrin ligjor dhe me angazhimet e OSBE-së. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton theksoi faktin se, “Për herë të parë në Shqipëri, Marrëveshja e MKR-së përfshin bordin këshillimor të viktimave të trafikimit nëpërmjet strehëzave për viktimat e trafikimit, e bën atë edhe më të dallueshëm dhe në përputhje me qasjen e OSBE-së për të pasur viktimat në qendër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. Pesëmbëdhjetë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe OSHC-ve e nënshkruan Marrëveshjen e re të Bashkëpunimit për MKR-në. Vlen të theksohet se numri i nënshkruesve është zgjeruar në krahasim me marrëveshjen e mëparshme, duke përfshirë institucione të tilla shtetërore si Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Inspektorati Shtetëror i Punës, Ndihma Juridike Falas, Agjencia Shtetërore e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe Shërbimi Shtetëror i Punësimit, si dhe OSHC që ofrojnë ndihmë të menjëhershme dhe afatgjatë për viktimat e trafikimit, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve në dispozicion për të rriturit dhe fëmijët viktima të trafikimit. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë t’i ofrojë mbështetje teknike institucioneve shtetërore në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për MKR-në nëpërmjet ofrimit të udhëzimeve dhe trajnimeve specifike.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet agjencitë ligjzbatuese shqiptare për forcimin e kapaciteteve hetimore në luftë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar
Publishing date: 27 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Transnational Threats Department
Në datat 26-27 qershor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një program trajnimi dy-ditor për shtatëmbëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Shtetit (PSH), Byrosë Kombëtare të Hetimit (NBI) dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Veprimtaria e trajnimit u mbajt me mbështetjen e Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, si dhe të organeve ligjzbatuese të shtetit italian, sikurse Policia e Shtetit, Guardia di Finanza dhe Grupi i Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierëve. Programi i trajnimit synonte forcimin e kapaciteteve të përgjithshme hetimore dhe operacionale të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Gjatë trajnimit u trajtuan tema të tilla si instrumentet legjislative të BE-së në përgjithësi dhe Platforma Shumëdisiplinore Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT) me në qendër rrjetet kriminale me rrezikshmëri të lartë në veçanti, veprimet operacionale që përfshijnë Ballkanin Perëndimor, hetimi financiar dhe penal i rrjeteve të krimit të organizuar transnacional, analiza e të dhënave dhe përdorimi i teknikave speciale të hetimit, si dhe lidhjet mes korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional. Kjo veprimtari u organizua nga Departamentet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për Bashkëpunim për Sigurinë dhe për Qeverisjen për Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore. Ajo u mbajt në kuadër të projekteve të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje zbatimit të ligjit shqiptar për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal” dhe “Veprim i Konsoliduar kundër Korrupsionit në Shqipëri”. Këto projekte synojnë t’i vijnë në ndihmë agjencive ligjzbatuese shqiptare në fuqizimin e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit, mësimin nga praktikat më të mira të organeve simotra evropiane, si dhe mbështetjen e zhvillimit të Policisë së Shtetit dhe reformimit të saj.
Prezenca e OSBE-së dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve forcojnë kapacitetet e zyrtarëve shqiptarë për regjimin e posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë
Publishing date: 16 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Nga 12 deri më 16 qershor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi një trajnim për 25 punonjës të regjimit të posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Regjimi i posaçëm – i cili filloi të zbatohet në Shqipëri më 2020, mbështetur në modelin italian 41-bis – vendos një sërë kufizimesh mbi të burgosurit, të cilat, nëse zbatohen në mënyrë të papërshtatshme, mund të çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut. Trajnimi i njohu pjesëmarrësit me konceptet, mjetet dhe aftësitë për të trajtuar të dënuarit me rrezikshmëri të lartë në regjimin e posaçëm. Ai u përqendrua te specializimi i stafit të burgjeve si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në trajtimin e të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. “Ky trajnim shumë i vlefshëm ka si qëllimi që regjimi i posaçëm të jetë funksional në parandalimin efektiv të rrjeteve të krimit të organizuar brenda sistemit të burgjeve dhe të minimizojë mundësinë e orkestrimit të aktiviteteve kriminale nga prapa hekurave. Ai është pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të luftuar krimin e organizuar dhe për të ruajtur sigurinë publike. Një falënderim i veçantë shkon për Prezencën e OSBE-së, si një ndër mbështetësit kryesorë të përpjekjeve për reformimin e sistemit të burgjeve”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija. Në hapje të trajnimit folën dhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta dhe drejtuesi i Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut në Prezencën e OSBE-së, Cailean Maclean. Gjeneral Brigade Mauro D’Amico – ish-Drejtor i Grupit Operativ të Lëvizshëm të Policisë italiane të Burgjeve, me përvojë të gjerë në regjimin 41-bis – dha kontributin e tij të çmuar në trajnim. Paralelisht, më 15 qershor, Prezenca dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizuan edhe një tryezë konsultative për regjimin e posaçëm dhe sfidat e tij, ku morën pjesë rreth 30 gjyqtarë, prokurorë dhe personel drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e të tjerë. Më herët gjatë këtij muaji, Prezenca përfundoi hartimin e një kurrikule trajnimi për stafin e regjimit të posaçëm në burgje, i cili do të përfshihet në kurrikulën e formimit profesional të stafit të burgjeve nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Këto veprimtari janë vijimësi e mbështetjes së Prezencës për reformën e burgjeve në Shqipëri, përgjatë viteve dhe të përfshirjes aktive të saj në promovimin e të drejtave të njeriut të personave të dënuar dhe të paraburgosur. Së fundmi, në dhjetor 2022, Prezenca organizoi një vizitë studimore të zyrtarëve shqiptarë në mjediset e regjimit 41-bis në Itali. Përveç regjimit të posaçëm, Prezenca ka kontribuar në arritjet në sistemin penitenciar duke ofruar mbështetje legjislative për paketën ligjore për sistemin penitenciar; duke punuar për Parandalimin dhe Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çojnë në Terrorizëm në burgje dhe në shërbimin e provës; si edhe duke krijuar programin Master në Kriminologji në Universitetin e Tiranës. Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështesë reformën në sistemin penitenciar në Shqipëri.