Ambasador Vincenzo Del Monaco
Ambasadori Vincenzo Del Monaco, nga Italia, mori detyrën si Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri më 16 nëntor 2020.
Ai ka shërbyer, për 23 vjet, në shërbimin diplomatik italian. Përpara se t’i bashkohej Prezencës në Shqipëri, ambasadori Del Monaco ishte ambasador i Italisë në Armeni dhe, më parë, ambasador i Italisë në Malin e Zi. Gjithashtu, ai ka shërbyer në Pekin; në Përfaqësinë e Përhershme italiane në Bashkimin Evropian, në Bruksel; si edhe në kabinetin e këshilltarit diplomatik të ish-presidentit të Italisë, Giorgio Napolitano.
Ai u diplomua shkëlqyeshëm (summa cum laude) nga Universiteti “La Sapienza” i Romës; zotëron diplomën Master i Drejtësisë në Studimet e Larta Ligjore Evropiane nga Kolegji i Evropës në Bryzh; si edhe një diplomë nga École Nationale d'Administration.
Ambasadori Del Monaco mban titullin e Urdhrit të Meritës (Commendatore) të Republikës së Italisë, titullin Kalorës të Legjionit të Nderit francez dhe Urdhrin e Flamurit Malazez të rangut të dytë.
Ai flet italisht, anglisht dhe frëngjisht. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Kryetarë të mëparshëm të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
2016-2020: Bernd Borchardt (Gjermani)
2013-2016: Florian Raunig (Austri)
2010-2013: Eugen Wollfarth (Gjermani)
2007-2010: Robert Bosch (Vendet e Ulëta)
2004-2007: Pavel Vacek (Republika Çeke)
2002-2004: Osmo Lipponen (Finlandë)
1999-2002: Geert-Hinrich Ahrens (Gjermani)
1997-1999: Daan Everts (Vendet e Ulëta)