OSBE informon të rinjtë në Kosovë për rrezikun e trafikimit me qenie njerëzore
Kosova konsiderohet si vend i origjinës, destinimit dhe transitit për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore të huaja dhe të vendit. Përkundër kësaj, vetëdija publike për këtë çështje është ende e ulët.
“Duke marrë parasysh se përafërsisht 50 % e viktimave janë të mitur, kemi menduar që është posaçërisht e rëndësishme të ngrisim vetëdijen në mesin e të rinjve,” thotë Natalia Voronova nga njësia e kundër-trafikimit në OSBE.
Për të ndihmuar në ngritjen e vetëdijes, Misioni, në bashkëpunim me OJQ vendore, ka hartuar katër projekte rajonale, që kanë përfshirë më shumë se 2,500 nxënës. Këto projekte kanë pasur në fokus informimin e nxënësve për rrezikun nga trafikimi me qenie njerëzore dhe njoftimin e tyre me institucionet të cilave mund t’iu drejtohen nëse kanë ndonjë dyshim apo informatë.
Në rajonin e Prishtinës, për shembull, ekipet e OSBE-së kanë vizituar shkollat fillore dhe të mesme dhe kanë shfaqur filmin ‘Rekrutimi’. “Filmi flet për një vajzë të mitur, e cila për pak ia del të shpëtoj nga trafikimi. Duke qenë film vendor, efekti i tij është shumë i madh sepse tregon se mund të ndodh edhe këtu, dhe të rinjtë lehtë e identifikonin veten me viktimën,” thotë Voronova.
Në Gjilan, Gjakovë, Pejë dhe Prizren, shfaqja e filmit ka qenë pjesë e një projekti më të madh, që ka përfshirë edhe diskutime publike dhe shpërndarje të fletushkave, derisa në Mitrovicën e veriut, Misioni ka shpërndarë fletushka në rrugë, ka mbajtur emisione në radio dhe TV, si dhe një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të policisë, punëtorëve social, mbrojtësve të viktimave, OJQ-ve dhe përfaqësuesve të strehimoreve për viktima.
Shenjat e rrezikut
“Çdo detyrim i dikujt që të bëj çfarëdo qoftë pa dëshirën e tij ose saj është trafikim, shpjegon toger Sabit Kabashi, mbikëqyrës i njësitit anti-trafikim në Prizren gjatë debatit të mbajtur me 2 dhjetor me nxënësit e shkollës së mesme ‘Gjon Buzuku.’ Ai po ashtu u bëri thirrje nxënësve të jenë vetëdijshëm dhe të raportojnë çdo dyshim që mund ta kenë.
Jubilea Kabashi, drejtoreshë e strehimores në Prizren, vuri në pah se nga mund të vjen rreziku. “Rrugët, ndonjë i afërm, klubet e natës, të gjitha këto mund të jenë potencialisht të rrezikshme,” tha ajo.
Për Ardiana Gashin, nxënëse e klasës së 12, debatet kanë munguar në të kaluarën. “Unë jam nxënëse në shkollën Gjon Buzuku qe dy vite, dhe deri më sot nuk kemi pasur asnjë debat për këtë temë.” Duke u përgjigjur në pyetjen çka duhet bërë për t’iu shmangur trafikantëve, Jubilea thotë, “një i ri duhet të ketë vetëbesim, të ketë gjendje emocionale të mirë, dhe të mos jetë lehtë i manipulueshëm.”
Bashkëpunim për më shumë efikasitet
Voronova nga OSBE shpjegon se prezenca e përfaqësuesve institucional në debate është e rëndësishme sepse në këtë mënyrë të rinjtë familjarizohen me institucionet i njohin përfaqësuesit e tyre nga afër. Por, prezenca e tyre nëpër debate është shfrytëzuar edhe për të përmirësuar bashkëpunimin në mes të institucioneve të ndryshme.
“Kemi dashur të sjellim në një vend të gjitha ata që luftojnë trafikimin pasi që zbatimi i ligjeve dhe mekanizmave veprues akoma sfidohet nga një numër vështirësish, përfshirë edhe mungesën e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të institucioneve relevante,” thotë ajo.
Për të zbutur mungesën e bashkëpunimit, përveç aktiviteteve të përbashkëta vetëdijësuese, nga qershori i këtij viti Misioni ka organizuar edhe disa trajnime me institucionet qe merren me luftimin e trafikimit e qe kanë qenë të përqendruara në procedurat standarde të veprimit dhe standardet themelore për përkujdesje ndaj viktimave të trafikimit.
“Luftimi i trafikimit është një proces i komplikuar dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë përkrahjen tonë në ngritjen e vetëdijes së viktimave të mundshme dhe në përmirësimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve që merren me luftimin e këtij fenomeni,” përfundon Voronova.