Misioni i OSBE-së në Kosovë nikoqir i konferencës me temë luftimin e krimit të organizuar dhe kërcënimeve trans-nacionale
PRISHTINË, 17 nëntor 2014 – Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të jetë nikoqir i një konference e cila mbahet nesër në Prishtinë me temë përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve trans-nacionale.
Zyrtarë të agjencive për zbatim të ligjit, përfaqësues të qeverive, dhe akademikë nga Ballkani Perëndimor, Turqia dhe disa vende të BE-së do të vlerësojnë kërcënimet e reja që sjell krimi i organizuar dhe do të diskutojnë për shkëmbimin e inteligjencës kriminale dhe aktivitetet potenciale të përbashkëta, në pajtim me konventat ndërkombëtare.
Ata do të flasin edhe për bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë penale dhe ndihmën juridike ndërkombëtare, si dhe rolin e organizatave ndërkombëtare në koordinimin e luftimit të krimit të organizuar.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, Drejtori Gjeneral i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi, dhe Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës Sevdije Morina do të flasin në këtë ngjarje.
Ftohen mediat të marrin pjesë në këtë ngjarje, të martën me 18 nëntor 2014 me fillim në ora 09:30 në Hotelin Sirius në Prishtinë.