Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së zhvillon takimin “Të rinjtë flasin” mbi zhdukjet me forcë gjatë regjimin komunist në Shqipëri dhe rolin e të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore
Publishing date: 27 maj 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia, Sundimi i ligjit
Rreth 80 studentë të Universitetit të Korçës morën pjesë në një takim “Të rinjtë flasin”, të fokusuar në çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, më 26 maj 2022. Veprimtaria, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe nga Grupi Këshillimor Rinor i saj – kishte për qëllim rritjen e përfshirjes së të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore në rrugën drejt pajtimit me të kaluarën, konsolidimit demokratik dhe ndërtimit të paqes. Pas shfaqjes së një dokumentari për personat e zhdukur, studiues të kontraktuar nga Prezenca i njohën studentët me gjetjet e tyre në këtë fushë, me fokus të veçantë te gratë e zhdukura, aspektet ligjore dhe sociologjike të persekutimit politik dhe standardet ndërkombëtare. Grupi Këshillues Rinor foli për rolin e të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore dhe drejtoi diskutimet me studentët. Gjatë takimit, u diskutua në detaje shkeljet e rënda sistematike të të drejtave të njeriut gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, që çuan në mbi 6 000 persona të zhdukur. Të rinjtë mësuan se si qytetarët burgoseshin apo ekzekutoheshin pa një proces gjyqësor, se si një numër personash të burgosur humbën jetën për shkak të rraskapitjes, kequshqyerjes dhe sëmundjeve, e se si shumë fëmijë të lindur në kampet e punës së detyruar nuk u regjistruan kurrë dhe nuk mundën të mbijetonin në ato vende. Gjithashtu, ata u ndalën edhe në historitë e viktimave që humbën jetën në përpjekje për t'i shpëtuar regjimit duke u larguar nga vendi dhe që u ekzekutuan në pikat e kalimeve kufitare; të burgosurit që u ekzekutuan gjatë përpjekjes për të ikur nga vendet e paraburgimit; dhe individët e zhdukur gjatë shërbimit ushtarak. “Kërkimi dhe gjetja e personave të zhdukur është detyrim i një shteti sipas kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar. Që nga fillimet e konsolidimit të saj demokratik në vitet ‘90, Shqipëria ka bërë përpjekje të vijueshme për t'u marrë me të kaluarën e saj dhe fatin e të zhdukurve. Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë,” tha Cailean Maclean, Shef i Departamentit të Prezencës për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut. Ky ishte forumi i dytë rinor për çështjen e personave të zhdukur që Prezenca organizoi këtë vit. I pari u zhvillua me studentë të Universitetit të Tiranës, në muajin shkurt. Prezenca njeh rolin e brezave të rinj në formësimin e së ardhmes demokratike të vendit dhe punon për t'i bashkuar ata për të eksploruar çështjen e personave të zhdukur, rolin e të rinjve në drejtësinë tranzitore dhe në implikimet që ajo ka në diskursin publik mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe axhendën për Rininë, Paqen dhe Sigurinë në vend. Veprimtaria është pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” dhe i projektit “Të rinjtë në fokus II”, që financohet nga Agjencia Austriake e Zhvillimit, Ambasada Greke në Tiranë dhe Misioni i Përhershëm i Italisë në OSBE.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet Byronë Kombëtare të Hetimit për fuqizimin e kapaciteteve hetimore
Publishing date: 24 maj 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 24 maj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli një program trajnimi tre-ditor për 16 hetues të porsapërzgjedhur të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut. Programi i trajnimeve kishte për synim forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të BKH-së së porsathemeluar për të kryer hetime penale kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të kriminalitetit të organizuar transnacional. Trajnimi u përqendrua në tema të tilla, sikurse teknikat speciale për hetimin e grupeve të krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit dhe ligjshmëria e përpunimit të të dhënave personale. Modulet e trajnimit u zhvilluan në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Shqipëri, Policinë Federale Kriminale Austriake dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Duke folur në lidhje me trajnimin, Drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj, vlerësoi përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të kësaj agjencie ligjzbatuese. “Procesi i trajnimit të hetuesve është i një rëndësie dhe fokusi të veçantë, pasi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale të hetuesve dhe rezultatet konkrete të punës së tyre në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Inkurajojmë dhe mirëpresim zhvillimin e sa më shumë aktiviteteve të tilla në të ardhmen, si dëshmia më e mirë e partneritetit mes nesh”, tha ajo. Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të mbështetjes së përbashkët, me përfshirjen e disa prej departamenteve të saj, që Prezenca e OSBE-së ofron në përkrahje të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal. Në përputhje me mandatin e saj në ndihmë të agjencive ligjzbatuese shqiptare për ngritjen e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit dhe mbështetjen e zhvillimit dhe reformave në polici, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë ta mbështesë ngritjen dhe funksionimin efikas të BKH-së, në bashkëpunim me Programin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ICITAP dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
OSBE-ja dhe UNODC-ja mbështesin Shqipërinë të godasë financimin e terrorizmit nëpërmjet regjimeve të sanksioneve financiare
Publishing date: 28 prill 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, OSCE Secretariat
What we do: Countering terrorism
Fuqizimi i kapaciteteve të Shqipërisë për të planifikuar dhe vendosur sanksione financiare të shënjestruara ndaj individëve dhe subjekteve që kanë lidhje me grupet terroriste ishte tema e një kursi trajnimi tre-ditor, i cili u përmbyll më 28 prill 2022 në Durrës, Shqipëri. Kursi i trajnimit u organizua bashkërisht nga Departamenti i Kërcënimeve Tejkombëtare OSBE-së dhe Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Prezenca e OSBE-së përgatit studim fizibiliteti për program studimesh parlamentare në Shqipëri
Publishing date: 17 shkurt 2022
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njohu partnerët akademikë, Kuvendin dhe anëtarët e shoqërisë civile me gjetjet e një studimi fizibiliteti për zhvillimin e një programi mësimor për çështjet parlamentare.
Pabarazitë gjinore dhe korrupsioni, në fokus të konferencës të nivelit të lartë të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 14 dhjetor 2021
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Një konferencë e nivelit të lartë për rritjen e ndërgjegjësimit rreth pabarazive gjinore dhe korrupsionit u zhvillua, më 10 dhjetor, në Tiranë dhe Online. Kjo veprimtari e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli Javën e Integritetit në Shqipëri, e cila kishte për synim rritjen e ndërgjegjësimit për mundësitë e shumta që ofron qasja gjinore në luftën kundër korrupsionit për rritjen socio-ekonomike, forcimin e sigurisë dhe konsolidimin e demokracisë.
Prezenca e OSBE-së organizon Konferencën Ndërkombëtare rreth çështjes së të zhdukurve me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme
Publishing date: 14 dhjetor 2021
“Zhdukjet me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës autoritare, si dhe konteksti bashkëkohor: një vlerësim social, ligjor dhe historik i politikave dhe mekanizmave të tranzicionit dhe transformimit”, është kjo tema e një konference ndërkombëtare, që po mbahet në Tiranë dhe online në datat 13 deri më 15 dhjetor.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbledh institucionet e të drejtave të njeriut nga Ballkani Perëndimor
Publishing date: 9 dhjetor 2021
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi, më 9 dhjetor 2021, një tryezë rajonale për institucionet e pavarura të barazisë dhe të të drejtave të njeriut. Përfaqësues nga Ballkani Perëndimor diskutuan, në një takim me prani fizike dhe online, për rolin dhe ndërveprimin mes tyre lidhur me proceset gjyqësore.