Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
OSBE-ja mbledh të rinjtë dhe autoritetet vendore në Shqipëri për të nxitur angazhimin për cilësi më të mirë të ajrit dhe shëndetit
Publishing date: 12 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Rinia
Rreth 70 anëtarë të Këshillave Rinorë dhe të autoriteteve vendore nga bashkitë Elbasan, Shkodër dhe Roskovec morën pjesë aktive në një seminar trajnimi gjithëpërfshirës për përmirësimin e cilësisë së ajrit në komunitetet e tyre. Objektivi kryesor i seminareve, që u zhvilluan nga 5 deri më 12 mars 2024, ishte edukimi i të rinjve pjesëmarrës për shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit dhe nxitja e tyre për të propozuar masa dhe nisma për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Në sesionet e trajnimit pati prezantime nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, pikat fokale të bashkive dhe nga Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit (ETMI). Akad. asoc. Besnik Bare, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti një sesion të veçantë, ku theksoi lidhjen kritike midis ndryshimit të klimës, ndotjes së ajrit dhe shëndetit publik. Anëtarët e Këshillave Rinor njohën rolin e tyre kyç si avokatë për mbrojtjen e mjedisit brenda territoreve të tyre dhe u angazhuan për të ndarë njohuritë e fituara gjatë seminareve me të rinjtë e tjerë, veçanërisht me ata nga grupet e cenueshme. Veprimtaritë ishin pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të Zyrës së Koordinatorit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së me titull “Fuqizimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore”, i cili, në Shqipëri, bashkërendohet nga Prezenca e OSBE-së, me ETMI-n si partner zbatues.
Shkolla e Magjistraturës nis kursin e ri për legjislacionin mjedisor, zhvilluar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 26 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Arsimi, Mirëqeverisja, Rinia
Më 25 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës zhvilluan një ceremoni të përbashkët për të paraqitur një kurs të ri kushtuar legjislacionit mjedisor dhe mekanizmave detyrues për zbatim në mbrojtjen e mjedisit. Kursi semestral, pjesë e kurrikulës të formimit fillestar për studentët e magjistraturës, fokusohet tek aspektet penale, administrative dhe civile të legjislacionit mjedisor ndërkombëtar dhe vendas. Ai u hartua nga një ekip ekspertësh vendas dhe të huaj i krijuar nga Prezenca e OSBE-së. Në hapje të veprimtarisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, tha: “Kursi i ri do të fuqizojë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm që të jenë katalizatorë për ndryshime pozitive, duke siguruar që pasuritë natyrore të Shqipërisë të mbrohen dhe ruhen për brezat që do të vijnë”. Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, falënderoi Prezencën e OSBE-së për mbështetjen në hartimin e kursit dhe njoftoi se kursi është miratuar nga bordi i shkollës dhe do të nisë zbatimin gjatë këtij viti akademik. Duke marrë parasysh shqetësimet në rritje për shkelje dhe krime të organizuara ndaj mjedisit, kursi i ri do të mbështesë rritjen e kapaciteteve e prokurorëve dhe magjistratëve të ardhshëm për të trajtuar si duhet rastet mjedisore dhe për të sjellë autorët para drejtësisë. Kursi do t’i pajisë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm me njohuritë dhe mjetet për të adresuar sfidat mjedisore, për të nxitur zbatimin e ligjeve mjedisore dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që kërkojnë drejtësi në çështjet mjedisore. Kjo gjë do të çojë në rritjen e efektivitetit të reagimit të agjencive të zbatimit të ligjit ndaj kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore. Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështetë institucionet në përmirësimin e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri. Sigurimi i ekspertizës ndërkombëtare dhe kombëtare për zhvillimin e këtij kursi u mundësua në kuadër të projektit me financim të jashtëm “ Rritja e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore ”, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen financiare të Norvegjisë, Francës dhe Italisë.
Prezenca e OSBE-së Shqipëri organizoi Forumin IX vjetor për Zhvillimin e Medias
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi më 18 shtator 2023, edicionin e nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me sigurinë e gazetarëve, legjislacioni që prek mediat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e mediave në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend. “Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion,” tha ai. Në hapje të takimit folën edhe Adea Pirdeni, Zv.ministrja e Drejtësisë, Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasador Luigi Soreca, I ngarkuar me punë ad interim, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, dhe Giulia Re, Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Sesioni i dytë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore që lindin për shkak të përdorimit të zgjeruar të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në media në ditët e sotme. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve si mjet për luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e gazetarisë profesionale. Gjatë Forumit u mbajt një ceremoni e veçantë, gjatë së cilës u shpallën edhe fituesit e konkursit vjetor të Prezencës së OSBE-së për verifikimin e fakteve. Ata janë: Arbjona Çibuku nga Citizens Channel për artikullin e saj "Pylli orbital i Tiranës". Esmeralda Cenollari nga Faktoje.al për shkrimin e saj tërheqës "Bajpasi i Vlorës". Ilda Koçi, po ashtu nga Faktoje.al, për shkrimin e saj mendjemprehtë “Të gjitha rrugët e Shijakut të çojnë në Park, një faturë 40 milionë lekë për parkun që nuk ekziston!”. Konkursi i sivjetshëm u përqendrua në verifikimin e fakteve dhe përdorimin e të dhënave nga burime të hapura, përkrahjen e gazetarisë së bazuar në fakte, si dhe promovimin e përdorimit të të dhënave me burim publik dhe të aftësive solide për mbledhjen e lajmeve.
Prezenca e OSBE-së mundëson shkëmbimin e praktikave më të mira mes Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike në Shqipëri
Publishing date: 12 korrik 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Një seminar për shkëmbimin e praktikave më të mira të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) mes bashkisë së Elbasanit dhe atyre të Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit u zhvillua në Elbasan, më 12 korrik 2023. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi veprimtarinë në partneritet me Bashkinë e Elbasanit me qëllimin për të rritur efektshmërinë e KVSP-ve në trajtimin e çështjeve të sigurisë publike dhe për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve vendore dhe aktorëve joinstitucionalë në parandalimin dhe adresimin e sfidave të sigurisë në komunitet. “Që prej krijimit në vitin 2016 me mbështetjen e Prezencës, Këshilli Vendor i Sigurisë Publike i Elbasanit – i pari në Shqipëri – ka dëshmuar efiçencë mbresëlënëse në rritjen e sigurisë në komunitet. Ai tani është një shembull i praktikave më të mira, që mund të ndahen me KVSP-të e tjera në mbarë vendin”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të takimit. Ai theksoi se suksesi i KVSP-ve varet nga përfshirja aktive e të gjithë aktorëve – zyrtarëve vendorë, agjencive të zbatimit të ligjit, organizatave të shoqërisë civile, rinisë dhe medias. Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të lartë të Elbasanit, Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit, përfshirë kryetarët e këtyre bashkive, drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Elbasanit dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme, të organizatave rinore dhe të shoqërisë civile. Në diskutimet e tyre ata theksuan rëndësinë e KVSP-ve në parandalimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike dhe mënyrat më të mira që këto Këshilla të shërbejnë si urë mes policisë dhe institucioneve dhe komuniteteve në adresimin e shqetësimeve të sigurisë publike. Mekanizmat e sigurisë të ngritura nga KVSP-ja e Elbasanit, si edhe nismat e shoqërisë civile dhe të të rinjve për sigurinë publike u paraqitën, gjithashtu, gjatë takimit. Gledian Llatja, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, tha: “Ne nuk mundemi dot të jemi një ishull në qark apo një ishull në Shqipëri dhe prandaj duhet që këto struktura komunitare dhe këtë mënyrë funksionimi, eksperiencën e mirë dhe të keqe, ta ndajmë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një ambient më të sigurt jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë qarkun dhe, pse jo, në të gjithë Shqipërinë”. Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike – të ngritura në 56 nga 61 bashkitë e Shqipërisë – janë struktura me kompetenca këshillimore, në të cilat mblidhen aktorët vendorë si pushteti vendor, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, të rinjtë, drejtuesit fetarë dhe media, për të diskutuar dhe përmirësuar bashkëpunimin shumëpalësh në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Prezenca e OSBE-së ka mbështetur krijimin dhe funksionimin e tyre që prej vitit 2016 dhe do të vijojë t’i përkrahë këto mekanizma me synimin për të institucionalizuar më tej dhe për të fuqizuar rolin e tyre në rritjen e sigurisë në komunitet.
Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese shpallin fituesit e konkursit për ankesat kushtetuese individuale
Publishing date: 14 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Arsimi, Rinia, Sundimi i ligjit
Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese shpallën sot fituesit e konkursit për hartimin ligjor të ankesave kushtetuese individuale. Në konkursin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese morën pjesë 27 studentë të drejtësisë nga universitete publike dhe shtetërore nga mbarë Shqipëria. Punimet e tyre u vlerësuan nga një komision i përbërë nga ish-gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese. Çmimet për fituesit u dhanë në një ceremoni, ku morën pjesë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Guido De Sanctis, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha dhe ish-anëtari i Gjykatës Përparim Kalo. Gjatë këtij viti, Prezenca zhvilloi trajnime për hartimin e ankesave kushtetuese individuale me 200 studentë të universiteteve publike të Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës. Projekti u mbështet në kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të bërë të njohur mekanizmin e ankesave kushtetuese individuale dhe për të trajtuar çështjet e cilësisë së dobët apo papranueshmërisë së ankesave. Reforma kushtetuese në drejtësi e vitit 2016, zgjeroi rrethin e subjekteve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në drejtim të ankimit kushtetues individual, duke mundësuar ankimet e individëve kundër çdo lloj akti të pushtetit publik që shkel të drejtat dhe liritë e tyre themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Kërcënimet kibernetike, në fokus të sesioneve informuese të Prezencës së OSBE-së me shkollat në Shqipëri
Publishing date: 2 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Sajber/ TIK Siguri, Rinia
Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, nga 19 tetori deri më 2 nëntor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u takua me fëmijë, prindër, mësues, psikologë dhe punonjës socialë në shkolla për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit për kërcënimet kibernetike. Sesionet informuese, të zhvilluara në Korçë, Pogradec, Shkodër Malësi e Madhe, Rrëshen dhe Lezhë, synuan, gjithashtu, t’i ndihmonin të rinjtë të mbrohen online, ndërkohë që kërcënimet ndaj teknologjisë dhe të dhënave konfidenciale bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Prezenca i organizoi këto veprimtari në partneritet me Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK). Temat e diskutuara me 360 pjesëmarrës u përqendruan te kërcënimet me të cilat përballen qytetarët në internet, si bullizmi, përpjekja për të vjedhur të dhënave personale (phishing), joshja e të miturve, gjuha e urrejtjes, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi mes të rinjve, si edhe te mjetet e identifikimit të hershëm dhe të parandalimit të këtyre kërcënimeve. Në fokus u vendosën edhe rolet dhe përgjegjësitë e mësuesve, prindërve dhe të psikologëve të shkollave. Një nga pjesëmarrësit, Kledisa, 15 vjeç, nga Korça, u shpreh: “Falë këtij sesioni informues, fillova të mendoj dhe të kuptoj më mirë rëndësinë e të qenit të kujdesshëm dhe të të menduarit kritik kur lundrojmë në internet. Gjuha e dhunshme përmes internetit është me rrezik për miqtë tanë dhe shoqërinë – ne kemi qenë dëshmitarë të rasteve të tilla në mesin e shokëve tanë”. Mësuesit thanë se metodologjia ishte shumë interesante dhe e dobishme për punën e tyre me të rinjtë në të ardhmen, ndërsa prindërit vlerësuan informacionet për kontrollin prindëror dhe për përmirësimin e komunikimit me fëmijët për veprimtaritë e tyre në internet, pa i gjykuar ata. Në prill të vitit 2022, Prezenca e OSBE-së mbështeti AKCESK-un në organizimin e një kampi rajonal kibernetik me të rinj dhe profesionistë nga Ballkani Perëndimor. Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, përmes krijimit të një rrjeti, ku të rinjtë, institucionet dhe aktorët e tjerë mund të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat më të mira. Prezenca do të vijojë të punojë me AKCESK-un, Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për të shtuar njohuritë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet kibernetike te fëmijët, të rinjtë, prindërit, punonjësit e shkollave dhe grupe të tjera.
Sfidat e krijuara nga dezinformimi dhe propaganda në fokus të Forumit VIII vjetor për Zhvillimin e Medias, organizuar nga Prezenca e OSBE-së Shqipëri
Publishing date: 11 tetor 2022
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Më 11 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi Forumin VIII vjetor për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me lirinë dhe zhvillimin e medias në vend, sigurinë e gazetarëve dhe sfidat e krijuara nga dezinformimi dhe propaganda, me të cilat ballafaqohen media dhe gazetarët në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për çështjen e lirisë së medias në vend. Ai tha se Prezenca i ka ndjekur me vëmendje deklaratat e lëshuara së fundmi prej sistemit të drejtësisë për ndalimin e mediave që të botojnë informacionet si rezultat i rrjedhjeve që pasuan sulmet kibernetike të verës. “I nxisim autoritetet dhe mediat që të tregohen të ekuilibruar dhe të matur, si dhe të vlerësojnë me kujdes të drejtën e publikut për informim, konfidencialitetin, sigurinë dhe privatësinë”, tha ai. Në hapje të takimit folën edhe Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Alexis Hupin nga Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri dhe Olsi Dekovi, Zv. Kryetari Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Sesioni i parë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore të lirisë dhe të zhvillimit të medias me të cilat u përball Shqipëria gjatë vitit të fundit. Në sesionin e dytë, diskutimet u përqendruan te rëndësia e gazetarisë hulumtuese, dezinformimit dhe verifikimit të fakteve si një mjet në luftën kundër korrupsionit dhe për promovimin e gazetarisë profesionale. Forumi gjithashtu përshëndeti kurrikulën e rishikuar rishtazi të programit Bachelor që do të vihet në zbatim në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës që nga ky vit akademik. Kurrikula është një prej rezultateve të projektit “Media në Fokus – Forcimi i Transmetuesit Publik dhe Shkollës së Gazetarisë në Shqipëri”, i cili u zbatua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me fonde të BE-së.