Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së fuqizon këshilltaret e reja në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë, përmes Programit të Ekselencës së Grave në Nivel Vendor
Publishing date: 14 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Demokratizimi, Barazia gjinore
Rreth 45 këshilltare nga qarqet e Vlorës, Shkodrës dhe Tiranës morën pjesë në tri sesione informuese të posaçme të organizuara nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e Programit të Ekselencës së Grave në Nivel Vendor #WoMEP, gjatë dy javëve të para të dhjetorit 2023. Objektivi parësor i këtyre veprimtarive ishte forcimi i efikasitetit të grave këshilltare të sapozgjedhura. Duke i pajisur ato me mjetet e nevojshme, seancat informuese synuan t'i fuqizojnë përfaqësueset vendore, duke u mundësuar atyre të shkëlqejnë në rolet e tyre. Pjesëmarrëset u angazhuan në mënyrë aktive në diskutime për të identifikuar nevojat dhe pritshmëritë e tyre, duke kontribuar në planifikimin strategjik të aktiviteteve të WoMEP-it për vitin 2024. Gratë këshilltare, gjithashtu, u thelluan në përcaktimin e përparësive zhvillimore për qeverinë vendore dhe kuptimin e ndërlikimeve të buxheteve vendore dhe politikave fiskale. Që nga viti 2020, WoMEP qëndron si një nismë kryesore në përpjekjet e Prezencës për të nxitur barazinë gjinore në nivel vendor. Ky program novator është krijuar posaçërisht për të fuqizuar gratë këshilltare që shërbejnë në 61 këshillat bashkiakë të Shqipërisë, duke theksuar aspekte kritike si barazia gjinore, lidershipi dhe aftësitë menaxhuese. Qëllimi përfundimtar është të mbështesë dhe drejtojë gratë këshilltare, duke nxitur ndryshime të prekshme brenda këshillave bashkiakë.
Prezenca e OSBE-së fuqizon gratë këshilltare në Shqipëri me anë të Programit të Ekselencës së Grave në Nivel Vendor
Publishing date: 10 tetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Demokratizimi, Zgjedhjet, Barazia gjinore
Më 7 dhe 8 tetor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vlerësoi 20 këshilltare bashkiake të motivuara, të cilat përfunduan Programin e Ekselencës së Grave në Nivel Vendor (WoMEP) dhe organizoi gjithashtu modulin e dytë të trajnimit për 22 këshilltare të tjera, brezi i tretë i WoMEP-it. WoMEP-i i ndihmon gratë këshilltare të lidhin politikat dhe propozimet me ndjeshmëri gjinore me buxhetet e bashkive, si burim parësor për financimin e nismave që trajtojnë nevojat e komuniteteve në nivelin vendor. Ashtu si në dy edicionet e mëparshme, propozimet e zhvilluara nga brezi i tretë i këshilltareve pjesë e WoMEP-it do u prezantohen këshillave përkatës për qëllim financimi nga buxhetet bashkiake të vitit 2023. Gjatë tri viteve të fundit, Prezenca ka ndihmuar këshilltaret vendore aktive të zhvillojnë propozime konkrete për projekte, me synim zbatimin e tyre në bashki. Propozimet u përkasin fushave të ndryshme si: përkrahja e turizmit, ndihma për viktimat e tërmetit të vitit 2019, mbështetja për viktimat e dhunës me bazë gjinore. Deri më sot, WoMEP-i u ka mundësuar më shumë se 60 grave këshilltare bashkiake nga e gjithë Shqipëria të rrisin rolin e gruas në vendimmarrje në nivelin vendor. “Niveli vendor është ai që qëndron më afër qytetarëve dhe besimi tek institucionet ndërtohet pikërisht këtu. Nëse ia dilni të krijoni besimin te ju vetë dhe te puna e juaj, atëherë ia dilni edhe të krijoni besim në institucionet e Shqipërisë,” tha zëvendëskryetarja e Prezencës, Clarisse Pasztory, gjatë aktivitetit. Ajo shtoi se shpreson që shumë prej pjesëmarrëseve të WoMEP-it të garojnë përsëri në zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe të zgjidhen përsëri si këshilltare apo edhe si kryetare bashkie. Në veprimtari morën pjesë edhe anëtare të Aleancës së Grave Deputete – forum ky i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së. Kryetarja e Aleancës Merita Bakiu dhe zëvendëskryetarja Etilda Gjonaj shprehën gatishmërinë e tyre të punojnë për fuqizimin e rrjetëzimit ndërmjet grave deputete dhe këshilltareve bashkiake për të çuar përpara nisma në nivelin vendor.
“Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri bashkojnë aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të përforcuar dialogun mes brezave përmes trashëgimisë kulturore
Publishing date: 31 gusht 2022
Content type: News
Në datat 24-28 gusht 2022, njëzet aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor u mblodhën në Tiranë dhe udhëtuan drejt Gjirokastrës për të diskutuar, mësuar dhe hulumtuar qasjet lidhur me ndërveprimin social dhe promovimin e demokracisë, paqes dhe sigurisë përmes dialogut mes brezave. Që nga viti 2017, “Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së kanë sjellë së bashku qindra të rinj nga rajoni për të krijuar një platformë të përbashkët për promovimin e vlerave demokratike, bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë. Edicioni i shtatë i “Shtigjeve Rinore” pati në qendër të tij dialogun mes brezave në formimin e ndërveprimeve sociale, promovimin e vlerave demokratike, krijimin e marrëdhënieve të mira dhe kontributin për paqen dhe sigurinë në nivel vendor dhe rajonal. Pjesëmarrësit diskutuan hendekun e komunikimit ndërmjet brezave dhe efektet e tij gjatë punës në grup, si dhe implikimet e përjetuara dhe rezultatet e punës në grup. Diskutimet u moderuan nga ekspertë të fushës dhe pjesëmarrësit u pajisën me njohuri dhe resurse për të reflektuar dhe vepruar në ndërtimin e urave të reja të komunikimit me bazë kulturore. Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit morën pjesë në seminare të ndryshme lidhur me temat e rrëfimit, rolin e gruas dhe dinamikat e pushtetit, si dhe ndërveprimin mes brezave, me qëllim reflektimin dhe nxjerrjen në pah të praktikave të mira, për të kuptuar si duhet ndikimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së komuniteteve, si dhe për rrjedhojë vetë procesin e demokratizimit. Pjesëmarrësit dëgjuan nga familjet vendase për sfidat e ruajtjes së konceptit të vjetër të familjes tradicionale në kontrast me jetën moderne, kontributin e figurave historike për lirinë, si për shembull intelektualja gjirokastrite Musine Kokalari. Ata e bënë këtë përmes fjalëve të njërës prej pasardhësve të saj, si dhe vizituan punishten e një marangozi që demonstroi zanatin e vjetër të punimit të drurit dhe sfidën për ta përcjellë këtë traditë brez pas brezi. “Më lanë shumë mbresa pikturat e arta në tavanet e shtëpive të vjetra gjirokastrite, sepse kur në to bie drita, rrëzëllimi që krijohet na kujtojnë bukurinë e ditës së re që duhet jetuar dhe festuar për të gjithë familjen”, tha një nga të rejat pjesëmarrëse. Një tjetër i ri pjesëmarrës foli për atë se si, “ruajtja e trashëgimisë kulturore fillon nga të kuptuarit e saj, të logjikës pas saj, si dhe të historisë që ajo mishëron”. “Kur të kthehem në shtëpi, do të kem shumë pyetje për t’i bërë gjyshes sime,” tha ai. Gjatë katër ditëve të mbushura me veprimtari, pjesëmarrësit punuan së bashku për të evidentuar elemente të trashëgimisë kulturore, parë këto në këndvështrimin e bashkëpunimit mes brezave, si dhe shqyrtuan mundësitë për ndërveprim ndërmjet brezave në komunitetet e tyre përkatëse. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, të rinjtë pjesëmarrës u takuan, ndër të tjerë, me Ambasadorin e Austrisë në Tiranë Christian Steiner, Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Albert Hani, Nënkryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Esmeralda Llongo, si dhe zyrtarin e Ambasadës Greke në Tiranë, Panagiotis Anagnostoupoulos. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi edicionin e shtatë të “Shtigjeve Rinore” me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, Ambasadave të Greqisë dhe Italisë në Shqipëri, si dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, RYCO-n dhe Misionet e tjera të OSBE-së në rajon.
Prezenca e OSBE-së prezanton projektin për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta në Shqipëri
Publishing date: 9 qershor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, prezantoi sot një projekt trevjeçar, i cili synon të ndihmojë autoritetet kombëtare në uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe të shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. Projekti është pjesë e një projekti rajonal, i cili bashkërendohet nga Qendra e OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve dhe zbatohet nga misionet e OSBE-së në Ballkanin Perëndimor, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës. Bazuar në fushat me përparësi të identifikuara nga Ministria e Brendshme dhe nga Policia e Shtetit, projekti do të mbështetë përshtatjen e kornizës ligjore për çaktivizimin e armëve të zjarrit, forcimin e kapaciteteve të Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik lidhur me rreziqet e shpërdorimit dhe përhapjes të armëve të vogla e të lehta. “Fakti që sot jemi të gjithë këtu flet për ndërgjegjësimin tonë të përbashkët për kërcënimet dhe sfidat që kemi përpara. Po flasim për një kërcënim që përshkon nga terrorizmi te krimi i organizuar ndërkombëtar. Një kërcënim që minon besimin e komunitetit dhe kohezionin social duke nxitur dhunën e bandave dhe krimin e dhunshëm, të cilat janë edhe më të dëmshme për besimin aq të nevojshëm të të rinjve dhe të brezave të rinj tek institucionet dhe komunitetet e tyre”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në hapje të veprimtarisë. “Besoj fort që zbatimi i këtij projekti mes Ministrisë së Brendshme dhe Prezencës së OSCE në Shqipëri do të arrijë të përmbushë objektivat e dakordësuara bashkërisht, për t’u ndjekur nga gurë të tjerë kilometrikë bashkëpunimi në të ardhmen, në fushën e sigurisë dhe më gjerë,” tha zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Në fjalën e saj, Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, tha se Shqipëria mbetet patundshmërisht e përkushtuar për të përmbushur angazhimin e saj për zbatimin e standardeve ndërkombëtare lidhur me luftën kundër armëve të vogla e të lehta dhe municioneve. “Ne e mirëpresim mbështetjen e OSBE-së në zbatimin e këtij projekti dhe jemi të bindur që do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në këtë drejtim”, shtoi ajo. Në veprimtari, folën edhe ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, ambasadorja e Francës, Elisabeth Barsacq, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Jonas Paul, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, si edhe Slobodan Boskovic, oficer projekti në Njësinë Mbështetëse të Forumit të OSBE-së për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë. Projekti kontribuon në përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmbushjen e qëllimeve kryesore të Udhërrëfyesit për Armët e Vogla e të Lehta dhe Municionet dhe për të krijuar një zgjidhje të qëndrueshme ndaj armëmbajtjes së paligjshme, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse. Përmes këtij projekti, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri kontribuon, gjithashtu, në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, që kanë të bëjnë me eliminimin e të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave, uljen e përhapjes së paligjshme të armëve, dhe forcimin e institucioneve kombëtare për parandalimin e dhunës dhe luftës kundër terrorizmit dhe krimit.
Prezenca e OSBE-së organizon konferencë të nivelit të lartë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Publishing date: 1 nëntor 2021
Një konferencë e nivelit të lartë për arritjet e Shqipërisë në axhendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë dhe punën që mbetet për t’u bërë u zhvillua në Tiranë, më 1 nëntor 2021. Konferenca u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ambasada holandeze dhe UN Women Albania me rastin e 21-vjetorit të miratimit të rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “Për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.
Prezenca e OSBE-së promovon integrimin e perspektivës gjinore në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë
Publishing date: 2 korrik 2021
Më 1 dhe 2 korrik, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështeti organizimin e seminarit përmbyllës me Aleancën e Grave Deputete dhe Nënkomisionin për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, me rastin e përfundimit të legjislaturës së tanishme.
OSBE-ja i bashkohet fushatës kombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore 2020: Dëgjo! Beso! Mbështet!
Publishing date: 25 nëntor 2020
Me rastin e veprimtarive të përvitshme “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri iu bashkua fushatës ndërgjegjësuese kombëtare, e modeluar sipas fushatës mbarëbotërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tema e fushatës së sivjetshme është: “Dëgjo! Beso! Mbështet!”.