Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për fuqizimin e partneritetit mes tyre
Publishing date: 20 mars 2024
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për të rinovuar dhe fuqizuar partneritetin mes dy institucioneve. Memorandumi krijon kornizën e përgjithshme dhe jep udhëzime për bashkëpunimin mes Prezencës dhe Kuvendit lidhur me programin “Mbështetje për parlamentin e Republikës së Shqipërisë”. “Kuvendi do të vijojë të fuqizojë partneritetin e suksesshëm me Prezencën e OSBE-së për avancimin e reformave demokratizuese dhe integrimin evropian të Shqipërisë”, nënvizoi Nikolla, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes. “Ne jemi krenarë që qëndrojmë si një partner i palëkundur i Kuvendit të Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku në përmirësimin e cilësisë së legjislacionit, shërbimeve legjislative, përfaqësimit politik dhe mbikëqyrjes. OSBE-ja në Shqipëri mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kuvendin në këto përpjekje”, tha Pasztory. Sipas memorandumit, Prezenca do të mbështesë Kuvendin në përmirësimin e funksioneve të tij legjislative, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese, si edhe administratën parlamentare në përmbushjen e funksioneve të saj, në mënyrë të efektshme dhe gjithëpërfshirëse. Prezenca dhe Kuvendi do të bashkëpunojnë edhe për të shtuar ndërveprimin e Kuvendit me qytetarët dhe për të krijuar e vënë në përdorim mjete novatore për një sistem legjislativ transparent, që përmirëson aksesin në ligjet e konsoliduara dhe arkivat parlamentare. Prezenca e OSBE-së është partnere afatgjatë e Kuvendit të Shqipërisë, mbështetur në mandatin e saj për të ndihmuar përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e institucioneve demokratike efektive dhe për të promovuar shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, në përputhje me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së.
Prezenca e OSBE-së fuqizon këshilltaret e reja në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë, përmes Programit të Ekselencës së Grave në Nivel Vendor
Publishing date: 14 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Demokratizimi, Barazia gjinore
Rreth 45 këshilltare nga qarqet e Vlorës, Shkodrës dhe Tiranës morën pjesë në tri sesione informuese të posaçme të organizuara nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e Programit të Ekselencës së Grave në Nivel Vendor #WoMEP, gjatë dy javëve të para të dhjetorit 2023. Objektivi parësor i këtyre veprimtarive ishte forcimi i efikasitetit të grave këshilltare të sapozgjedhura. Duke i pajisur ato me mjetet e nevojshme, seancat informuese synuan t'i fuqizojnë përfaqësueset vendore, duke u mundësuar atyre të shkëlqejnë në rolet e tyre. Pjesëmarrëset u angazhuan në mënyrë aktive në diskutime për të identifikuar nevojat dhe pritshmëritë e tyre, duke kontribuar në planifikimin strategjik të aktiviteteve të WoMEP-it për vitin 2024. Gratë këshilltare, gjithashtu, u thelluan në përcaktimin e përparësive zhvillimore për qeverinë vendore dhe kuptimin e ndërlikimeve të buxheteve vendore dhe politikave fiskale. Që nga viti 2020, WoMEP qëndron si një nismë kryesore në përpjekjet e Prezencës për të nxitur barazinë gjinore në nivel vendor. Ky program novator është krijuar posaçërisht për të fuqizuar gratë këshilltare që shërbejnë në 61 këshillat bashkiakë të Shqipërisë, duke theksuar aspekte kritike si barazia gjinore, lidershipi dhe aftësitë menaxhuese. Qëllimi përfundimtar është të mbështesë dhe drejtojë gratë këshilltare, duke nxitur ndryshime të prekshme brenda këshillave bashkiakë.
Prezenca e OSBE-së nis projektin për të çuar më tej reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri
Publishing date: 18 tetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Demokratizimi, Zgjedhjet
Më 17 tetor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantoi një projekt mbi reformën dhe proceset zgjedhore, që synon të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës në Shqipëri, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Projekti i OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri” financohet nga qeveritë e Suedisë, Zvicrës dhe Polonisë. Ai do të zgjasë deri në nëntor 2026. Objektivat kryesore të projektit përfshijnë mbështetjen e autoriteteve me ekspertizë dhe asistencë për zbatimin e votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare; kontribut në përmirësimin dhe depolitizimin e administratës zgjedhore nëpërmjet një trajnimi zgjedhor sistematik dhe profesional; dhe fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë. Për më tepër, projekti do të ndihmojë autoritetet shqiptare për të përmirësuar kapacitetet logjistike zgjedhore, duke kontribuar në modernizimin e kapaciteteve të trajnimit dhe të informimit dhe në rritjen e infrastrukturës teknologjike për zbatimin e duhur të votimit nga jashtë vendit. “Ky projekt shënon një gur kilometrik të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt forcimit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe garantimit që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të vlerësohet në procesin zgjedhor. Ai pasqyron përkushtimin tonë për të nxitur një proces zgjedhor që është transparent, gjithëpërfshirës dhe u përgjigjet nevojave dhe aspiratave të popullit shqiptar,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bruce Berton, gjatë prezantimit të projektit. Në veprimtari folën edhe ambasadori i Suedisë në Shqipëri Niklas Ström, ambasadorja e Zvicrës Ruth Huber dhe Shefi i Seksionit Politik dhe Ekonomik të Ambasadës së Polonisë Tomasz Frączkiewicz. “Kontributet bujare të qeverive tuaja e fuqizojnë më tej Prezencën për të ndihmuar partnerët tanë shqiptarë me një qasje më të thellë dhe më gjithëpërfshirëse në një sërë fushash. Ne e vlerësojmë thellësisht angazhimin tuaj vizionar dhe besimin e palëkundur në misionin tonë”, tha ambasadori Berton. Përfituesit kryesorë të projektit janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kuvendi i Shqipërisë dhe qytetarët shqiptarë. Puna e projektit do të kryhet në bashkërendim me partnerë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe me OSBE/ODIHR-in. Nisma është pjesë e synimit të përgjithshëm të Prezencës për të promovuar demokratizimin, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, si dhe për të konsoliduar institucionet demokratike, në përputhje me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së.
Prezenca e OSBE-së Shqipëri organizoi Forumin IX vjetor për Zhvillimin e Medias
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi më 18 shtator 2023, edicionin e nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me sigurinë e gazetarëve, legjislacioni që prek mediat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e mediave në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend. “Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion,” tha ai. Në hapje të takimit folën edhe Adea Pirdeni, Zv.ministrja e Drejtësisë, Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasador Luigi Soreca, I ngarkuar me punë ad interim, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, dhe Giulia Re, Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Sesioni i dytë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore që lindin për shkak të përdorimit të zgjeruar të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në media në ditët e sotme. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve si mjet për luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e gazetarisë profesionale. Gjatë Forumit u mbajt një ceremoni e veçantë, gjatë së cilës u shpallën edhe fituesit e konkursit vjetor të Prezencës së OSBE-së për verifikimin e fakteve. Ata janë: Arbjona Çibuku nga Citizens Channel për artikullin e saj "Pylli orbital i Tiranës". Esmeralda Cenollari nga Faktoje.al për shkrimin e saj tërheqës "Bajpasi i Vlorës". Ilda Koçi, po ashtu nga Faktoje.al, për shkrimin e saj mendjemprehtë “Të gjitha rrugët e Shijakut të çojnë në Park, një faturë 40 milionë lekë për parkun që nuk ekziston!”. Konkursi i sivjetshëm u përqendrua në verifikimin e fakteve dhe përdorimin e të dhënave nga burime të hapura, përkrahjen e gazetarisë së bazuar në fakte, si dhe promovimin e përdorimit të të dhënave me burim publik dhe të aftësive solide për mbledhjen e lajmeve.
Prezenca e OSBE-së ndihmon parlamentin e Shqipërisë të forcojë lidhjen me qytetarët
Publishing date: 17 korrik 2023
Personeli i zyrave të komunikimit me zgjedhësit nga e tërë Shqipëria dhe zyrtarë të lartë të administratës së Kuvendit u mblodhën në Shkodër, më 14 dhe 15 korrik 2023, në një takim bashkërendues dhe trajnim. Veprimtaria u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, me synimin për të përmirësuar aftësitë e stafit të zyrave të deputetëve. Ditën e parë, pjesëmarrësit diskutuan për ecurinë e zyrave dhe mësuan nga përvoja e njëri-tjetrit. Ditën e dytë, ata morën pjesë në një trajnim të fokusuar te rritja e angazhimit të qytetarëve, afrimi i Kuvendit me të rinjtë, mundësimi i takimeve mes qytetarëve dhe deputetëve, mbajtja e të dhënave dhe përgatitja e vlerësimeve. Po, ashtu stafi i Kuvendit diskutoi për planet e disa veprimtarive në terren, të cilat do të zhvillohen me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, në qarqe si Gjirokastra, Saranda, Vlora, Dibra, Shkodra, Korça dhe Elbasani. “Ne vlerësojmë rolin e pazëvendësueshëm dhe domethënës të shërbimeve parlamentare. Mbështetja jonë është provë e përkushtimit afatgjatë për të krijuar një marrëdhënie me aktive dhe të shëndetshme mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Shoqëria civile dhe parlamenti kanë filluar të afrohen dhe, duke mbështetur nisma si kjo, ne jemi të vendosur ta ngushtojmë akoma më tej largësinë mes tyre”, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, tha në hapje të takimit. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj, theksoi se parlamenti është shtëpia e popullit dhe duhet t’i shërbejë atij edhe përmes zyrave zgjedhore, që janë ura lidhëse. Ai e konsideroi rolin e Prezencës së OSBE-së si të pazëvendësueshëm në këtë proces. Për më se një dekadë, Prezenca e OSBE-së ka punuar së bashku me Kuvendin e Shqipërisë për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e tij. Në vitet 2015-2016, Prezenca mbështeti hapjen e zyrave të komunikimit me zgjedhësit në Korçë dhe Shkodër dhe, prej asaj kohe, ka organizuar veprimtari për të konsoliduar besimin dhe bashkëpunimin mes deputetëve dhe komuniteteve vendore.
Shqipëria miraton një Mekanizëm të ri Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit, hartuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
Publishing date: 29 qershor 2023
Content type: News
Më 26 qershor, institucionet shtetërore shqiptare dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC) nënshkruan një Marrëveshje të re Bashkëpunimi për Mekanizmin Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR), hartuar falë asistencës teknike të Prezencës së OSBE-së në vitet 2022-2023. Marrëveshja e re, që synon të trajtojë llojet ekzistuese dhe të reja të trafikimit të qenieve njerëzore, përfshin të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar mbrojtjen e duhur për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në Shqipëri. Ajo është fryti i një analize të plotë të vlerësimit të nevojave dhe i konsultimeve me palët e interesuara shtetërore dhe të shoqërisë civile, të kryera nga Prezenca dhe Ministria e Brendshme, me qëllim përditësimin e kuadrit të MKR-së në përputhje me sfidat shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore, kuadrin ligjor dhe me angazhimet e OSBE-së. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton theksoi faktin se, “Për herë të parë në Shqipëri, Marrëveshja e MKR-së përfshin bordin këshillimor të viktimave të trafikimit nëpërmjet strehëzave për viktimat e trafikimit, e bën atë edhe më të dallueshëm dhe në përputhje me qasjen e OSBE-së për të pasur viktimat në qendër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. Pesëmbëdhjetë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe OSHC-ve e nënshkruan Marrëveshjen e re të Bashkëpunimit për MKR-në. Vlen të theksohet se numri i nënshkruesve është zgjeruar në krahasim me marrëveshjen e mëparshme, duke përfshirë institucione të tilla shtetërore si Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Inspektorati Shtetëror i Punës, Ndihma Juridike Falas, Agjencia Shtetërore e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe Shërbimi Shtetëror i Punësimit, si dhe OSHC që ofrojnë ndihmë të menjëhershme dhe afatgjatë për viktimat e trafikimit, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve në dispozicion për të rriturit dhe fëmijët viktima të trafikimit. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë t’i ofrojë mbështetje teknike institucioneve shtetërore në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për MKR-në nëpërmjet ofrimit të udhëzimeve dhe trajnimeve specifike.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe KQZ-ja nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit për forcimin e kapaciteteve të administratës zgjedhore, intensifikimin e bashkëpunimit
Publishing date: 17 tetor 2022
Content type: News
Më 17 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi rreth intensifikimit të bashkëpunimit për forcimin e kapaciteteve të KQZ-së me synim kryerjen e veprimtarisë së saj në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet më të mira ndërkombëtare. “Kjo marrëveshje simbolizon bashkëpunimin e fortë dhe të vazhdueshëm mes Prezencës së OSBE-së dhe KQZ-së. KQZ-ja ka qenë prej vitesh një nga partnerët kryesorë dhe më të besuar të Prezencës dhe për këtë arsye mbështetja ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë ndër përparësitë tona gjatë gjithë mandatit tim. Tri shkronjat e shkurtimit të KQZ-së duhet të lexohen ndryshe si Qëndrueshmëri, Efikasitet dhe Besueshmëri [në anglisht CEC: Consistency, Efficiency and Credibility]”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në fjalën e mbajtur në këtë veprimtari. Ai shtoi se një administratë zgjedhore e paanshme, e mirëpërgatitur dhe e mirëpajisur është thelbësore për integritetin e proceseve zgjedhore. “Në këtë kontekst, Prezenca është e gatshme që ta ndihmojë KQZ-në për përballimin e sfidave të lidhura me përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm”, tha ai. Në kuadër të reformës zgjedhore, Del Monaco theksoi se Prezenca e vlerëson rifillimin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe e nxiti atë të adresojë rekomandimet ende të patrajtuara të OSBE/ODIHR-it përmes një procesi të konsultuar gjerësisht. Ai tha se nga pikëpamja teknike dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, koha po shkurtohet gjithnjë e më shumë që ndryshimet thelbësore ligjore të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shprehu mirënjohjen për Prezencën e OSBE-së dhe e falënderoi ambasadorin Del Monaco për angazhimin e tij dhe vijueshmërinë e mbështetjes ndaj KQZ. “Jemi në fazë të rëndësishme të marrëdhënieve institucionale mes KQZ-së dhe OSBE-së dhe ky memorandum është konfirmimi i bashkëpunimit që KQZ-ja dhe Prezenca e OSBE-së kanë pasur deri tani. Besoj se do të kemi këtë nivel bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Kemi akoma shumë për të bërë, zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore janë shumë afër ndaj mbështetja e OSBE-së si një nga partnerët tanë të rëndësishëm do të ketë rolin e vet në miradministrimin e procesit zgjedhore”, tha Komisioneri Celibashi. Marrëveshja e nënshkruar sot përbën një themel të fortë për të ecur përpara me veprime dhe ndërhyrje të prekshme në një sërë fushash kyçe. Këto përfshijnë mbështetjen për KQZ-në për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ato që rrjedhin nga rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë; fuqizimin e kapaciteteve të saj profesionale për administrimin e zgjedhjeve, duke përfshirë aftësitë e trajnimit dhe të kontakteve informuese me votues; si edhe bashkimin e forcave për një bashkërendim më të mirë të asistencës ndërkombëtare për çështjet zgjedhore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka ofruar mbështetje të vazhdueshme autoriteteve shqiptare, përgjatë viteve, me qëllim realizimin e proceseve të reformës zgjedhore në mënyrë të dakordësuar, gjithëpërfshirëse dhe në kohë, si dhe ofrimin e asistencës teknike për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve.