Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon shkëmbimet ndërmjet organizatave të shoqërisë civile përmes Forumit të Shoqërisë Civile
Publishing date: 15 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Mirëqeverisja, Rinia
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e 7-të të Forumit të përvitshëm të Shoqërisë Civile, platformë kjo që i mbledh organizatat e shoqërisë civile për t’i trajtuar sfidat dhe çështjet me të cilat përballen dhe për të lehtësuar shkëmbimet konstruktive ndërmjet tyre. Në edicionin e sivjetmë morën pjesë rreth 80 përfaqësues dhe aktivistë të organizatave të shoqërisë civile nga mbarë vendi që veprojnë në një gamë të gjerë fushash. Në kuadër të paneleve në përbërje të ekspertëve, pjesëmarrësit diskutuan rreth zhvillimeve në lidhje me kornizën ligjore për rininë, si dhe rolin e organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave tjera të të drejtave të njeriut në raport me monitorimin e zbatimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Diskutimet u fokusuan edhe në nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse drejt një roli më të fortë të organizatave të shoqërisë civile në shoqëri. “Aktivizmi dinamik qytetar në të gjitha nivelet është shtyllë themelore e demokracisë dhe zhvillimit social, dhe organizatat e shoqërisë civile janë në pozitë që t'i mbajnë organet qeveritare përgjegjëse për veprimet e tyre”- tha ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Gjithashtu, organizatat lokale, pra ato që janë më së afërmi qytetarëve, kanë potencialin që të dalin me zgjidhje të reja për problemet ekzistuese, duke i angazhuar aktivisht pushtetin lokal dhe banorët”, shtoi ai. Gjatë diskutimeve, organizatat rinore dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit konfirmuan sërish angazhimin e tyre për zhvillimin e vazhdueshëm të kornizës më të gjerë për rininë. Tani që Projektligji për rininë është në Kuvend, pjesëmarrësit theksuan nevojën për një proces të hapur dhe transparent konsultimesh në suazat e hartimit të akteve nënligjore përkatëse, proces ky që pritet të fillojë pas miratimit të Ligjit. Krejt në fund, Strategjia për Rininë për vitet 2024-2032 dhe plani gjegjës trevjeçar i veprimit vazhdojnë të përbëjnë dokumentet kyçe të politikave rinore që duhen finalizuar, e që do të vendosin kornizat për zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë të sektorit të rinisë. Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar fuqishëm ndaj këtyre proceseve dhe mbështetjes së palëve të përfshira në to. Më tej, Afrim Maliqi, drejtor i HandiKos, theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje më të konsoliduar të bazuar në të drejtat e njeriut ndaj të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke pasur parasysh ndryshimet kushtetuese që do të përfshijnë Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara si një instrument ndërkombëtar që do të zbatohet drejtpërdrejtë në Kosovë. Misioni i OSBE-së në Kosovë punon me organizatat e shoqërisë civile në suazat e angazhimit të vet afatgjatë për të përforcuar kontributet e sektorit të shoqërisë civile në jetën publike, dhe në funksion të rritjes së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të organizatave të shoqërisë civile me institucionet përkatëse. Misioni organizon Forumin e Shoqërisë Civile çdo vit që nga viti 2016.
Përmbyllet kampi rinor për restaurimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore në Pejë
Publishing date: 27 tetor 2023
Kampi pesëditor i të rinjve për restaurimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Pejës, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, për 10 studentë të arkitekturës, antropologjisë dhe fushave të ndërlidhura, u përmbyll më 27 tetor 2023.
Përmbyllet edicioni i 9-të i Akademisë së Dialogut për Gratë e Reja nga Prishtina dhe Beogradi i mbajtur në Strugë
Publishing date: 16 tetor 2023
Akademia e 9-të e Dialogut të OSBE-së për Gratë e Reja e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Serbi, përfundoi dje në Strugë, Maqedoni e Veriut.
Pjesëmarrëset e Akademisë së OSBE-së për Dialog përfundojnë vizitën studimore në Belfast
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Demokratizimi, Barazia gjinore, Rinia
Belfast dhe Prishtinë, 18 shtator 2023- Tetë studente, alumni të Akademisë së Dialogut të themeluar nga OSBE që bashkon gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi, përfunduan sot një vizitë studimi një javore në Irlandën e Veriut.
Misioni i OSBE-së i bashkon të rinjtë nga komunitete të ndryshme të Kosovës përmes sportit
Publishing date: 1 shtator 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e katërt të kampit multietnik të tenisit të organizuar në bashkëpunim me komunën e Graçanicës, duke mbledhur të rinj nga komunitete të ndryshme për ushtrime dhe lojëra. Në këtë edicion morën pjesë 20 të rinj nga komuniteti shqiptar, serb dhe ashkali të Kosovës nga komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Graçanicës. Të rinjtë mësuan rreth tenisit nën drejtimin e trajneres Marija Djordjevic dhe ushtruan për lojëra parakualifikuese në terrenet për lojëra të tenisit në Parkun e Gërmisë si dhe mësuan shkathtësitë e nevojshme të sportit, të cilat i treguan në ndeshjen finale në Graçanicë. Pas tri ndeshjeve finale, fituesit Marija Crvenković, Luka Filić dhe Viktor Radić u shpërblyen me medalje nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Graçanicës, Dušan Cvejić. "OSBE-ja prej kohësh është e përkushtuar në mbështetje të institucioneve në nxitjen e marrëdhënieve dhe dialogut më të mirë ndërmjet komuniteteve. Sporti është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar ura, për të rritur mirëkuptimin dhe për të promovuar respektin, duke sfiduar gjithashtu stereotipet”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport. Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić, falënderoi OSBE-në për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerësimin e përpjekjeve të komunës. “Komuna dëshmoi për të katërtin vit se qëndron për bashkëpunim. Mendojmë se mënyra më e mirë për të forcuar bashkëpunimin ndërkomunal është përmes të rinjve”. Drejtoresha e Qendrës Rinore në Obiliq, Zelushe Kelmendi, qendër që është pjesëmarrëse për të katërtin vit, theksoi se ky turne u mundëson të rinjve shoqërimin dhe thyerjen e barrierave ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Ky është viti i katërt radhazi që Misioni i OSBE-së mbështet kampin multietnik të tenisit, duke vazhduar me sukseset e viteve të mëparshme. Përveç ofrimit të një mundësie për një mjedis të shëndetshëm dhe mbështetës për lojtarët e rinj, kampi i ndihmon edhe në kapërcimin e barrierave gjuhësore dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Vë theks në fuqizimin e të rinjve përmes dialogut dhe aktiviteteve ndëretnike, duke njohur potencialin e tyre në promovimin e paqes dhe sigurisë.
Përmbyllet edicioni i 3-të i “Artfest,” mbajtur në Mitrovicën e Jugut me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë
Publishing date: 3 gusht 2023
“Artfest”, një festival treditor i artit dhe i të drejtave të njeriut për të rinjtë, i organizuar nga OJQ-ja Hapësina Shoqnore për Dekonstruksion (HSD) dhe i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, u përmbyll më 30 korrik 2023 në Mitrovicën e Jugut. Festivali, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së për të tretin vit radhazi, mblodhi më shumë se 200 fëmijë dhe të rinj të komuniteteve të ndryshme në rajonin e Mitrovicës. Gjatë festivalit, fëmijët dhe të rinjtë shprehën vizionin e tyre për një shoqëri gjithëpërfshirëse përmes krijimtarive të tyre me argjilë, vizatime, qepje, pikturim fytyrash dhe duke marrë pjesë në punëtori për ndërtimin e paqes. Gjithashtu, fëmijët dhe të rinjtë morën pjesë në aktivitete muzikore si dhe vizituan ekspozitën në Shoqatën e të Shurdhërve, “Mbishkrimi i Përkujdesit” ("Inscribing Care"), të artistes serbe Dunja Karanoviq. “Artfest ka bërë bashkë komunitetet e ndryshme përmes artit, të papenguar nga strukturat sociale dhe me bashkëpunime të mirëfillta ndërmjet komuniteteve. Ndonëse organizim formal, ndjesia e krijuar në Artfest është gjithëpërfshirëse dhe që të gjithë, fëmijë, prindër, studentë, gra, burra e të moshuar e kanë gjetur veten si pjesë përbërëse të këtij edicioni”, tha Besart Peci, aktivist i shoqërisë civile dhe një nga pjesëmarrësit. “Krijimet artistike nxjerrin në pah imagjinatën e fëmijëve dhe kjo është ajo çfarë mund ta arrijmë. Kjo e ka bërë më të bukur qytetin dhe jetën në përgjithësi”, ka shtuar ai. Me vullnetarë nga e tërë Evropa dhe nga OJQ-të lokale si HSD, Handikos, Bonevet, Community Building Mitrovica dhe Local Peace, festivali ofroi një mundësi unike për dialog dhe shkëmbim ndërmjet komuniteteve. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Promovon në mënyrë aktive qasjen gjithëpërfshirëse për të dëgjuar zërat e të rinjve dhe punon drejt zhvillimit të shkathtësive të të rinjve në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, vullnetarizmi, ngritja e vetëbesimit, të menduarit kritik, kohezioni social dhe dialogu.
Misioni i OSBE-së në Kosovë nis edicionin e 5-të të programit për gazetarë të rinj ‘Media Fellowship’
Publishing date: 22 maj 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur sot edicionin e pestë të Programit ‘Media Fellowship’, iniciativë kjo vjetore që synon të zhvillojë kapacitetet e gazetarëve të rinj dhe të krijojë rrjet kolegësh gazetarë nga komunitete të ndryshme. Tetë gazetarë nga e gjithë Kosova do të vizitojnë organizatat lokale të gazetarëve, transmetuesit publikë, këshillat e mediave të shkruara, si dhe mediat hulumtuese në Prishtinë dhe Beograd. Ata do të mësojnë nga afër për standardet e raportimit profesional, standardet e gazetarisë, raportimin cilësor, edukimin medial dhe informativ, si dhe respektimin e kodeve të etikës. "Programi ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së mbledh gazetarë të rinj nga komunitete të ndryshme, duke u dhënë atyre mundësi për t'u lidhur me gazetarë dhe ekspertë të njohur, si dhe duke i ndihmuar të zhvillohen në një ambient medial dinamik," tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Në rrugëtim e tyre drejt ngritjes profesionale, këta gazetarë të rinj do të formësojnë diskursin e ardhshëm publik dhe shpresoj se do të mbrojnë lirinë e shtypit dhe qasjen në informata të besueshme,” shtoi ai. Nisur në vitin 2017, me një ndërprerje dyvjeçare gjatë pandemisë, ‘Media Fellowship’ kultivon talentin e gazetarëve vendor, duke promovuar barazinë gjinore. Ai vazhdon të shërbejë si mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes gazetarëve nga komunitete të ndryshme, si dhe njohuritë e tyre për mënyrën se si funksionon media në rajon. Deri më tani, 38 gazetarë nga komunitete të ndryshme në Kosovë kanë marrë pjesë në program dhe i janë bashkuar të diplomuarve nga programi ‘Media Fellowship’. Gazetarët e përzgjedhur për programin e këtij viti janë: Shkodrane Dakaj, BIRN; Unitet Berisha, T7; Vlera Shabani, Kallxo.com; Zoran Saviq, KOSSEV; Dushica Stankoviq, Radio Kontakt Plus; Urosh Nikoliq, RTV Mir; Donjeta Zeqiraj, Telegrafi.com; si dhe Armand Hoti, ATV. “Doja të isha pjesë e Programit ‘Media Fellowship’, sepse mendoj se bashkëpunimi me gazetarë të tjerë në këtë program mund të jetë i dobishëm në shumë mënyra. Mund të shkëmbehen ide, të merren vlerësime për punën si dhe të fitohen njohuri nga këndvështrime të ndryshme. Këto ndërveprime mund të nxisin kreativitetin, të frymëzojnë këndvështrime të reja në storiet tona, si dhe të na ndihmojnë të përsosim aftësitë tona të shkrimit,” tha Shkodrane Dakaj nga BIRN. “Pritjet e mia nga kjo vizitë vlerësuese në media në Prishtinë dhe Beograd janë që do të kem mundësinë të shoh dhe të vërej se si funksionojnë mediat e mëdha. Ajo që më gëzon veçanërisht është se do të kem mundësinë të ndjek ndoshta program drejtpërdrejt në ndonjë televizion me frekuenca kombëtare. Si gazetare, besoj se kjo përvojë do të ketë shumë domethënie për mua në punën dhe avancimin tim në të ardhmen, sepse do të kem mundësinë të bisedoj me kolegë që kanë shumë vite, madje edhe dekada punë prapa tyre,” tha Dushica Stankoviq, gazetare në Kontakt Plus Radio. “Të qenit pjesë e këtij programi do të më ndihmojë shumë në punën time të ardhshme. E di që do të takoj njerëz me të cilët do të bashkëpunoj në të ardhmen. E vlerësoj edhe faktin që do të takoj edhe kolegë me të cilët do të ndajmë ide të ndryshme për punën tonë, por edhe përvojat tona,” tha Unitet Berisha nga T7. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.