Shefi i Misionit të OSBE-së dënon përdhosjen e përsëritur të varrezave ortodokse në Kosovë
Prishtinë, 21 janar 2013 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dënoi sot ashpër përdhosjen e disa varrezave ortodokse dhe monumenteve fetare nëpër Kosovë.
Gurët e varrezave ortodokse janë dëmtuar gjatë natës në komunat Kllokot, Obiliq dhe Prizren. Për më tepër, kisha e vogël në varrezën ortodokse në Obiliq mori zjarr. Këto akte vijnë pas përdhosjes së raportuar dhe të dënuar të varrezës ortodokse në Fushë Kosovë një javë më parë.
“Unë i dënoj fuqishëm aktet e përdhosjes së varrezave ortodokse në Kosovë”, tha Schlumberger. “Përdhosja e varrezave dhe monumenteve fetare është e papranueshme dhe shkel jo vetëm të drejtat e komunitetit fetar dhe etnik të cilit i përkasin, por edhe të shoqërisë në tërësi”.
“Unë jam i tmerruar nga këto akte të neveritshme vandale dhe e përshëndes dënimin e bërë nga ana e institucioneve të Kosovës. I bashkohem thirrjes së institucioneve drejtuar të gjitha komuniteteve për qetësi dhe përmbajtje nga çfarëdo akti që do të mund të çonte në dhunë. Unë e mirëpres gatishmërinë e policisë së Kosovës për të rritur masat e sigurisë për rreth vendeve fetare ortodokse dhe u bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që sa më shpejt t’i identifikojnë dhe sjellin para drejtësisë kryesit e këtyre veprave”, tha Ambasadori Schlumberger.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Në tetor të vitit 2011, Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi një katalog dhe një raport për gjendjen e varrezave ortodokse në Kosovë. Ky dokument mund të gjendet në: //www.osce.org/sq/kosovo/84401